SHBA kërkon që Azerbajxhani dhe Armenia të zbatojnë armëpushimin

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kërkoi sot armëpushim midis Azerbajxhanit dhe Armenisë pas rritjes së dhunës në rajonin e diskutueshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Azerbajxhanit dhe Armenisë të zbatojnë angazhimet e tyre për një armëpushim siç është rënë dakord dhe të pushojnë së shënjestruari zonat civile, siç janë Ganja dhe Stepanakert”, shkroi Pompeo në Twitter.

Një armëpushim humanitar u shpall të shtunën për shkëmbimin e të burgosurve dhe tërheqjen e trupave të pajetë në Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht si i Azerbajxhanit.

Armëpushimi erdhi pas një takimi trepalësh të premten në Moskë midis ministrave të jashtëm të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Por një ditë më vonë Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha se Armenia shkeli armëpushimin humanitar.

Ministria e Jashtme e Armenisë pretendoi që Baku ka granatuar enklavat e qytetit Stepanakert të Malësisë së Karabakut, duke shtuar se u shkaktuan edhe viktima civile.

Natën e 11 tetorit, qyteti i dytë më i madh në Azerbajxhan, Ganja, i cili qëndron larg vijës së frontit, u godit me raketa nga forcat e armatosura armene. Në sulm humbën jetën të paktën 10 civilë dhe u plagosën shumë të tjerë, përfshirë të mitur.

“Ne shprehim keqardhje për humbjen e jetëve të njerëzve dhe qëndrojmë të përkushtuar për një zgjidhje paqësore”, tha diplomati i lartë amerikan.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike janë tensionuar që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Përleshjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe që prej asaj kohe Armenia ka vazhduar sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase.



. .

Ngjarja paraprake

Qytetarët të shqetësuar nga sulmet e qenve endacakë, veterineri tregon faktorët e agresivitetit

Ngjarja e ardhëshme

Facebook ndryshon pamjen vizuale të Messenger

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian