SHBA-ja zotohet për angazhimin e “palëkundur” ndaj NATO-s

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në udhëtimin e tij të parë në Bruksel, është zotuar të rindërtojë dhe forcojë NATO-n dhe të konsultohet me aleatët për veprimet e ardhshme në Afganistan.

Blinken po merr pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s më 23-24 mars.

Ai do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e Bashkimit Evropian si pjesë e përpjekjeve të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për të riparuar raportet transatlantike.

“Unë kam ardhur këtu për të shprehur angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara (ndaj NATO-s)”, u tha Blinken gazetarëve, ndërsa u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Temat e diskutimit në samitin e ministrave të Jashtëm të NATO-s janë shqetësimet mbi Kinën dhe Rusinë, si dhe e ardhmja e misionit të aleancës perëndimore në Afghanistan, ku gjenden 9.600 ushtarë të saj.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, vitin e kaluar arriti një marrëveshje me talibanët për të tërhequr trupat e huaja deri më 1 maj 2021.

I pyetur në lidhje me ndonjë tërheqje të mundshme nga Afganistani, Blinken tha se SHBA-ja ende është në rishikim të opsioneve dhe se do të konsultohet me aleatët për këtë proces.

“Ne kemi hyrë së bashku dhe kur të jetë koha e duhur, ne do të largohemi së bashku”, tha ai.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka thënë se afati i 1 majit do të ishte “i vështirë” për Uashingtonin./REL

Ngjarja paraprake

Gjëra romantike që mund të bëni me partnerin tuaj në shtëpi

Ngjarja e ardhëshme

Monika Kryemadhi tregon problemin më të madh në 30 vite tranzicion

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian