SHBA, ish-producenti Weinstein shpallet fajtor për përdhunim edhe në vendimin e dytë

Gjykata e Lartë në Los Angeles të SHBA-së shpalli fajtor për përdhunim ish-producentin holivudian, Harvey Weinstein (70), në vendimin e dytë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Juria e shpalli Weinstein fajtor lidhur me akuzën e një gruaje për përdhunim, sipas mediave amerikane.

Juria diskutoi për gati dy javë përpara se të merrte vendimin e saj bazuar në pretendimet e një gruaje të paidentifikuar e cila tha se Weinstein e përdhunoi atë në një dhomë hoteli në Beverly Hills në vitin 2013.

Prokurorët thanë se ai përdori ndikimin e tij në Hollywood për të joshur aktoret ambicioze në takime private dhe më pas abuzoi seksualisht me to.

“Përdhunuesit përdhunojnë. Mund të shikoni formularin. Keni prova të pakundërshtueshme për natyrën e këtij personi dhe atë që u bëri këtyre grave”, tha prokurori Paul Thompson.

Avokatët e Weinstein thanë se akuzat kundër klientit të tyre ishin të sajuara ose janë bërë me marrëveshje si pjesë e një “marrëdhënieje transaksioni” me producentin e filmit. Ata theksuan se nuk kishte prova për abuzim ndërsa avokati Alan Jackson i quajti viktimat “kërkuese të famës dhe pasurisë”.

Weinstein tashmë është duke vuajtur një dënim me 23 vjet burg në New York, pasi u dënua për përdhunime të tjera.

Vendimi i dënimit për rastin e Los Angeles është planifikuar për në fillim të vitit të ardhshëm. Megjithatë, çfarëdo dënimi të jepet, Weinstein duhet së pari të kryejë dënimin e tij aktual me burg në New York përpara se të transferohet në Kaliforni.

Producenti holivudian është i njohur për filmat si “Pacienti anglez” dhe “Shekspiri i dashuruar”.

Më shumë se 100 gra, përfshirë aktore të famshme amerikane, e kanë akuzuar atë për ngacmim seksual që nga viti 2017, por Weinstein mohon të gjitha akuzat dhe pretendon se gratë kanë pranuar marrëdhëniet seksuale.





Story i mëparshëm

Skandali që tronditi PE/ Eurodeputetja greke: I bëra të gjitha për 750 mijë eurot që nuk më duheshin

Story i radhës

Petrovska: Për momentin nuk ka asnjë kërcënim real për sigurinë e shtetit

Të fundit nga