Të paktën 23 persona kanë humbur jetën për shkak të tornadove dhe stuhive të forta që goditën rajonin e Mississippit në SHBA, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Mississippit thuhet se të paktën 23 persona kanë humbur jetën për shkak të tornadove dhe stuhive.
Në një postim nga llogaria e agjencisë në Twitter konfirmohet numri i viktimave dhe thuhet se “janë plagosur dhjetëra persona ndërsa 4 të tjerë llogariten si të zhdukur” dhe “fatkeqësisht pritet që kjo shifër të rritet”.
Guvernatori i Mississippit, Tate Reeves në një postim nga llogaria në Twitter tha se kanë mundësuar mbështetjen mjekësore për të prekurit nga tornadot dhe se kanë rritur numrin e ambulancave dhe automjeteve të tjera të situatës emergjente. Ai tha se po vazhdojnë në mënyrë aktive punimet e kërkim-shpëtimit.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (NWS) para katastrofës ndau paralajmërimin se “një tornado po shkon drejt zonës Rolling Fork” në rajon si dhe mesazhin “Fshihuni menjëherë për të mbrojtur jetën tuaj”.