“Shantazh, skandal i paprecedentë”/ Sateliti dhe Vigjilenti? Gurakuqi: Asnjë lidhje me mua dhe familjen time, me Nishanin do vazhdoj betejën ligjore

Ditë më parë, ish-deputeti i PD-së, Romeo Gurakuqi akuzoi drejtpërsëdrejti Bujar Nishanin se e kishte përjashtuar si kandidat për zgjedhjet e ardhshme. Më datë 25 dhjetor, Gurakuqi tha se ish-kreu i shtetit e kishte shantazhuar, deklaratë që erdhi një ditë pasi ish-Presidenti Bujar Nishani e këshilloi t’i hidhte një sy dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe i kërkonte t’i thërriste kujtesës edhe për dy pseudonime Sateliti dhe Vigjilenti, duke pretenduar se ata janë i ati i Romeo Gurakuqit dhe vetë Romeo Gurakuqi.

Së fundmi, Gurakuqi shprehet:

“Jam njoftuar nga Autoriteti për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), se dy kartelat në shifra të paraqitura nga ai individi që për fat të keq ka qenë President i vendit, nuk kanë të bëjnë as më mua, as me familjen time”.

Më tej vijon:

“E gjithë mjegulla e hedhur në opinionin publik kundër personit tim dhe njerëzve të familjes sime nga ish – presidenti i Republikës dhe simahorët e prapësive të tij përbën një shpifje të mirëfilltë, një përpjekje për të më dëmtuar imazhin, shantazh kundër personit tim. Rasti në fjalë është flagrant dhe përbën skandal të paprecedent në jetën publike të Shqipërisë së 30 viteve të fundit, që nuk mund të kalohet lehtë, jo vetëm nga unë, por shpresoj as nga  organet e drejtesise dhe ligjit të Republikës së Shqipërisë. Nga individi në fjalë, ish -president i Republikës, janë përdorur dy numra kartelash, emrat e dy oficerëve operative dhe dy pseudonime informatorësh të ish -Sigurimit të Shtetit, të cilët identifikohen lehtë në Berat dhe Lushnjë. E gjithë kjo maskaradë është stisur për të goditur një deputet të PDSH, familjen e tij, për të më frikësuar, për të mbytur fjalën e lirë dhe arsyetuar mbrapshtitë  e goditjes së deputetëve opozitare ne bllok. Pyetja ime është: Kush është ky individ, që guxon të kryejë një vepër të tillë kaq të rëndë kundër personit, një natë para Krishtlindjeve? Është ish- presidenti i vendit dhe ish-ministri i brendshëm, i cili pasi rrëfen si pa gja të keq, se në detyrën që ka pasur ka shkelur disa ligje, godet politikisht duke shpifur paturpësisht një përfaqësues të lartë të Opozitës shqiptare, drejtuesin e përfaqësisë demokrate të Shkodrës në Parlamentin e Shqipërisë, një nga anëtaret e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Shqipërisë. Nuk kam mjete të tjera për t’iu përgjigjur një individi, që në linjë me gjithë jetën e karrierën  e vet, për një javë rresht gënjeu  në mënyrë djallëzore  opinionin publik, lëndoi  familjarët  e mi, indinjoi miq, dashamirë, bashkëqytetarë, njerëz vullnetmirë dhe me arsye, krijoi aq trazirë kundër Opozitës, sikurse e kishte ba gjeneralisht në media për dy muaj rresht, që nga data, 23 tetor 2020. Unë gjej rastin të falenderoj nga zemra bashkeqytetarët  e mi, të cilët më mbështetën fuqishëm që ne momentin kur dëgjuan lajmin e pështirë, nuk dyshuan kurrë tek unë dhe nuk i besuan për asnjë cast shpifjeve poshtëruese  të këtij njeriu, që u maskua nën petkun e ish- presidentit. Vetvetiu lind pyetja: nëse një si ai paska patur të dhëna kaq të rënda kundër një deputeti të PDSH, pse nuk ka folur menjëherë duke e denoncuar faktin? Si është e mundur që Kryetari i Këshillit Kombetar godet me shpifje te denja per sherbime kurthesh,  një deputet të partisë së tij, një anëtar të këtij Këshilli?! Individit në fjalë inati ia errësoi arsyen, zanati i vjetër ia zgjoi shqisat e përfjetura, banaliteti i së keqes ia paralizoi arsyen dhe sulmoi në terrin që ka brenda vetes.  Tashmë, që shpifja e tij doli sheshit, atë nuk ka retorikë që ta shpëtojë, avokat që ta mbrojë, përkrahës të ndershëm të së djathtës që të mos e braktisë. Une premtoj se ai do behet shembull per cilindo që të ardhmen e vet e ndërton  mbi praktika të tilla diversioni. Pyetja tjeter qe vjen natyrshem ne radhe është: Si  ka mundësi që një njeri me këtë spesor moral dhe intelektual të jetë caktuar dhe të ketë shoshitur kandidatët e mundshëm për deputetë të PDSH? Në fakt ai, masha e topitur e së keqes, por sidomos ata, simahorët nxitës, që me anën e tij tentuan të mashtrojnë opinionin publik, më në fund duhet ta kuptojnë se e shkuara nuk blihet, sado i pasur qofsh sot, sado diploma të kesh blerë në tregun e shumicës. Sepse e kaluara rri aty, e shpërndarë në mijëra pikla dhe stërkala, që nuk shlyhen me kinse pushtetin e dhuruar pikërisht për shërbime të këtilla. Koha kur mbi njerëz të pafajshëm ndërtoheshin skema poshtërimi dhe prozhmimi nga kupolat e errëta, ka marrë fund. Këtë gjë ia bëj me dije këtij individi, që ka patur rastin të kryesojë Republikën dhe te gjithë kurthaxhinjve që i bëjnë hije, që kujtojnë se ai ka diçka në dorë për të ardhmen e Opozitës, që shkon me vendosmeri drejt drejtimit të vendit. Këtë gjë ua premtoj edhe qytetarëve shqiptarë, pse dinjiteti im dhe vlerat që më ushqejnë nuk më stepin në impenjimin tim politik”.

Për ta përmbyllur me:

“Nishani e ka nisur karrierën si shërbëtor i zjarrtë i dhunës, mbrojtës i dhunuesve dhe ndihmës i mjeshtrave të kurtheve të botës së cilës ai i përket gjenetikisht. Me individin në fjalë do të vijoj betejën nëpërmjet drejtësisë shqiptare, e cila duke e dënuar aktin qe ai kreu, do të dënojë shpifjen si mjet për të kontrolluar politikën shqiptare dhe për të mashtruar opinionin publik”.

Ngjarja paraprake

Merkel, në fjalimin për Vitin e Ri, luftimin e pandemisë e quan “detyrë të shekullit”

Ngjarja e ardhëshme

Pranojeni ose jo, këto janë shenjat më të bukura të horoskopit!

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian