Serbia si shtet artificial dhe kufijtë e Kosovës

Në rrethana optimale askush më shumë se shiptarët nuk do të duhej të ishte më i interesuar për bisedime dhe rivendosjen e çështjes së kufijve. Kurdo që mund të shtrohet kjo çështje, baza e saj është në Kongresin e Berlinit ose thënë më saktë në zbatimin e plotë ose revidimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit. Vetëm mbi këtë bazë mund ta bisedohet kjo temë kurdo që janë të gatshëm të gjithë faktorët relevantë.

Si pasojë e këtyre vendimeve, Shqipëria edhe Kosova janë shtetet e vetme në Ballkan që përgjatë gjithë kufijve të tyre kufizohen me shqiptarë dhe territore shqiptare.

Në Ballkan pra, askush më shumë se shqiptarët nuk ka interes e argumente të flasë e të hapë çështje të kufijve, për aq sa ka vlerë forca e argumenteve e jo argumenti i forcës.

Është e ditur, ose së paku Evropa dhe Serbia në veçanti, e dijnë se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shtete të ndërtuara në masën më të madhe mbi territorin (tokat) e shqiptarëve. Gati gjysma e territorit të Serbisë së sotme është territor shqiptar, ndërsa si shtet u formua dhe u njoh nga fuqitë e mëdha të kohës vetëm pas aneksimit të territorit shqiptar përmes spastrimit etnik e gjenocidit më 1877/78, dhe si e tillë, ajo nuk mund të kuptohet e të njihet ndryshe veçse si një shtet artificial.

Kongresi i Berlinit i kishte njohur dhe pranuar Serbisë territorin shqiptar prej 10.972km2 i njohur si Sanxhaku i Nishit prej nga shqiptarët ishin dëbuar dhunshëm përmes masakrave e spastrimit etnik por njëkohësisht Kongresi ua kishte njohur të drejtën shqiptarëve që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, pra në vendin e tyre. Për këtë qëllim madje ishte formuar edhe një Komision ndërkombëtar. Që nga ajo kohë Serbia asnjëherë nuk e përfilli dhe nuk e zbatoi atë vendim duke e penguar edhe Komisionin që të kryejë punën e tij.

Në çdo rast, zbatimi i vendimeve ndërkombëtare nga Serbia, duhet të fillojë nga këtu.

Në raport me Kosovën e shqiptarët, pra Serbia që nga ajo kohë nuk ka pranuar dhe nuk ka zbatuar asnjëherë asnjë vendim ndërkombëtar që ka qenë sado pak në interesin e shqiptarëve. E tillë ka mbetë edhe deri në ditët e sotme. Ka refuzuar ta pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, ka refuzuar Marrëveshjen e Ahtisarit, ka refuzuar dhe po e konteston edhe Vendimin e GJND dhe ka refuzuar të zbatojë pothuaj të gjitha marrëveshjet që i ka nënshkruar gjatë bisedimeve 2011-2018. Politika serbe pra nuk lidhet vetëm me regjimin aktual por ka të bëjë me politikat e saj shtetërore anti-shqiptare të ndërtuara së bashku me Kishën Ortodokse Serbe dhe Akademinë Serbe të Shkencave e Arteve, përmes shumë elaborateve me të cilat ndjekin një linjë politike sllave- ortodokse me qendër në Kremlin.

Që nga 1912 kur Serbia e aneksoi edhe Kosovën e sotme e deri më 1999, e ka konsideruar atë në të gjitha trajtat dhe format e një kolonie të saj.

Nëse kjo botë (demokratike!), ende respekton dhe njeh gënjeshtrat, përrallat e mitet e rrejshme serbe të para mbi 600 viteve, si bazë e vendosjes së politikave serbe në Ballkan e në veçanti në raportet Kosovë-Serbi, pse nuk duhet ta pranojë dhe ta respektojë të vërtetën e vet dhe realitetin për shqiptarët prej pak më shumë se 100 viteve?!

Evropa, vetëm me rolin prijës e vendimtar të SHBA-ve e korrigjoi përgjysmë gabimin dhe borxhin ndaj Kosovës e shqiptarëve. Ka mbetë për ta korrigjuar edhe gjysmën tjetër, në vend të presioneve që i bëhen Kosovës për ta prishë e për ta lënë gjysmë edhe këtë gjysmë që është tani.

Story i mëparshëm

Rusia nxjerr raketat bërthamore, Anglia jep alarmin: Çfarë thuhet në raportin e fundit

Story i radhës

Drita në epërsi, Ferizaj humb penalltinë

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish