Serbia nuk mund t’i vjedhë pronat e Isa Boletinit. Mitrovica është e shqiptarëve!

Ajo që ka ndodhur në Mitrovicë është sa “qesharakisht ironike” për “inteligjencën “ shqiptare, po aq edhe tmerrësisht e dhimbshme. Qeveria e Albin Kurtit me urgjencë duhet të sigurojë dokumentet e pronësisë së kësaj zone, të cilat janë në kadastrat e Perandorisë Osmane. Me pas t’ua kthejë ligjërisht tokën pronarëve të ligjshëm, që janë familja Boletini dhe shume familje të tjera shqiptare. Dihet që pjesa dërmuese e popullatës së pjesës veriore të Mitrovicës janë të ardhur si kolonë, gjatë mbretërisë Jugosllave dhe më pas Federatës, për të punuar në Minierë, dhe kthimi i pronave, pronareve të ligjshëm shqiptare , do ti nxirrte ata automatikisht kolonë nga këto toka të uzurpuara.

Pra, kur bëjmë politikë duhet të përdorim të gjitha mundësitë juridike, ekonomike, territoriale dhe menaxhuese për të fituar një betejë të caktuar. Sa i takon komunave të asociuara, Qeveria e Kosovës duhet të bëjë veç një lloj lëshimi me reciprocitet: Tu thotë ndërkombëtareve që ne “E pranojmë asocimin e komunave të veriut (pa të drejtë shkëputje) me disa Kushte”: Kushti numër një; Serbia ta njohë shtetin e Kosovës në kufijtë e saj aktual, menjëherë dhe pa kushte, – paralelisht me fillimin e procesit të asociimit, – e dyta; këto komuna të njohin autoritetin e Qeverisë së Kosovës mbi territoret e tyre pa kushte dhe të ndërpresin lidhjet direkte me Beogradin, dhe e treta; Policia dhe Ushtria të jenë nën kontrollin e Qeverisë Qendrore, dhe e fundit; të bëhet paralelisht krijimi i Komunave të Asociuara Shqiptare në Jug të Serbisë, me të njëjtat të drejta siç do ti kenë dhe serbët në veri të Kosovës. Serbia mund të vihet para presionit të papërballueshëm politik, diplomatik e Juridik. Nëse Shqipëria në bashkëpunim me Kroacinë, depozitojnë një dosje për gjenocid serb mbi Shqiptaret dhe Kroatët, me fotografi dhe të dhëna që janë të shumta dhe të dokumentuara, Serbia “do të vihet me shpatulla për muri”, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës apo Strasburgut do ta ndëshkonin rëndë me shuma financiare të papërballueshme. Kështu që Serbia do të detyrohej të bënte një zgjidhje diplomatike për të mos pësuar poshtërim dhe shkatërrim ekonomik… Ky opsion është opsioni i fundit që mund të hidhet, nëse Vuçiqi vazhdon të tregohet “Neo-Millosheviç”. Serbia duhet ta kuptojë, se të drejtat e serbëve respektohen duke u integruar të gjithë së bashku në BE, dhe se politika e saj e nxitur nga Rusia, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të çojë në shkatërrimin e Serbisë. Gjithashtu Serbia nuk duhet të harrojë se është e rrethuar nga vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Serbët nuk kanë për tu kthyer në Urale për të ndarë jetën me rusët e Siberisë, por do të rrojnë me Shqiptarët në Ballkan. (Fati ynë i pashmangshëm). Kështu që gjetja e një mënyre bashkëjetese në Paqe, do të ishte akt inteligjent nga ana e diplomacisë serbe. Sa më shpejt ta njohë Serbia Kosovën, aq më mirë do të jetë për kombin serb, dhe paqen në Ballkan… ndërsa serbët e Kosovës duhet ta kuptojnë se kur të integrohemi bashkë në Evropë, gjithë lufta e financuar nga Beogradi për komuna të asociuara, do të ngjajë me luftën e Don Kishotit me mullinjtë Erës.

Pra pranimi i Kosovës dhe Serbisë ne Evropë njëkohësisht, zgjidh automatikisht problemin e Mitrovicës, në të mirë të dy popujve. Logjikisht dhe juridikisht shtrohet pyetja pse shqiptarët e Kosovës duhet të qëndrojnë nën një shtet serb, kur të gjithë “vëllezërit sllavë të një gjaku” e braktisën atë shtëpi që quhej Federata Jugosllave, për shkak të marrëzive të politikës serbe, që çuditërisht vazhdojnë edhe sot.

Serbët aktualisht kanë marrëdhënie të këqija me të gjitha shtetet fqinje, si Kroacinë, Hungarinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, dhe madje edhe me Bullgarinë. Nuk arrij ta kuptoj politikën miope të Vuçiçit, i cili po kthehet në një “vegël e bindur ruse”, për ta ulur veten në nivelin e një “muzhiku rus” në Ballkan, ndërkohë që të gjitha kombet e tjera sllave, e kanë kuptuar se interesat e tyre, nuk i mbron Rusia, por Bashkimi Evropian, me demokraci direkte, nivel jetese, harmoni e paqe mes popujve sllave e jo-sllavë, me zhvillim e perspektivë. Sot jetojmë në epokën e menaxhimit politik, ekonomik, dhe për gjithçka është ekonomia që vendos. Lufta thjesht është një marrëzi, dhe haraçet e luftërave i paguajnë njerëzit e thjeshtë. Pra, ka ardhur koha që Kosova e Shqipëria duhet të bëjnë një politikë më inteligjente, e cila me sa kam parë deri më sot ka munguar.

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

Story i mëparshëm

Seritë Galaxy S23 mund të debutojnë më vonë sesa ishte parashikuar

Story i radhës

​Ka shkuar në 31 numri i të vdekurve nga shpërthimi i një cisterne nafte në Afganistan

Të fundit nga