Serbia çfarë (s’) e njohim

Gjatë dhjetorit të vitit 2011, në Beograd po mbahej një gjykim jo i rëndomtë. Në njërën prej seancave të tij, një burrë që deri atëherë po dëshmonte si dëshmitar i mbrojtur, vendos të zbulohet dhe hapas të tregojë për krimet e luftës së njësisë paramilitare (por gjithmonë në koordinim me komandantin e kazermës ushtarake) të Pejës, “Shakalli” (çakejtë), në mesin e të cilëve kishte qenë edhe vetë, ndërsa 13 prej tyre ishin ulur në bankën e të akuzuarve.

Që “çakejtë” të hyjnë në fshatrat shqiptare dhe me të shtëna rafalesh e shpërthime gjithkah, por edhe duke i vrarë të mbështetur për muri njerëzit e paarmatosur (“Për Serbinë”, brohoriste gjithmonë në ato raste njëri prej tyre) , për t’i dëbuar (“le t’i përzëmë kandrrat”, thoshte njëri) pasi t’ua kenë marrë paratë e stolitë e më pas duke ua plaçkitur e djegur shtëpitë – të thuash se ka qenë rutinë e “luftës” së tyre.

Por, barbaritë e tyre tyre nuk përfundojnë me kaq.

Njëri prej tyre e kishte vrarë aq mizorisht një fëmijë në rrugën Pejë-Rozhajë, sa edhe ekzekutorët më të tmerrshëm kishin neveri ndaj tij; një tjetër kishte shpikur një metodë origjinale të vrasjes së “shiptarit”: i afrohesh nga prapa, në një kënd saktësisht të caktuar, e qëllon në kokë dhe pastaj shihet mirë se si kafka e truri i fluturojnë në ajër; se si njëri prej tyre e dhunonte një grua shqiptare, e cila “nuk kukatte, vetëm rënkonte” dhe pastaj e bën shoshë me automatik; se si dy prej tyre grindeshin për atë “se si shiptari flet më shpejt” dhe njëri thoshte se ua nxjerr fjalët me hekurin që ia vë “shiptarit” në trup, ndërsa kur fillon të djegë ai flet, ndërsa tjetri duke e goditur me kondak në kokë “ndërsa truri i luan dhe flokët ia rjep nga koka…”

Dhe, në një çast, mes veprimeve të tilla sadiste e të tjera, të cilat edhe sot mund të lexohen në portalin “Peshçanik”, dëshmitarit të përmendur i mbushet kupa.

“Unë i bëra reformë ndërgjegjes sime. Nuk mund të ketë justifikim – edhe ata na e kanë bërë ne. Zuzari është zuzar”, thotë ai.

Në këtë “reformë të ndërgjegjes” ai nuk është i vetmi. Një intelektuale serbe, e cila ishte në përfundim të një libri të saj, në përpjekje që të jepte përgjigje në pyetjet pse “Serbia po mbetet prapa për tridhjetë vjet”, pse “po luhet vetëm loja zero sum game”, pse “po kryqëzohen orientimet që Serbia të bëhet pjesë e Bashkimit evropian, me vendimin që Kosova përgjithmonë të trajtohet si pjesë e Serbisë, ndërsa me këtë rast orientimi i dytë e anulon të parin”… Duke e lexuar procesverbalin e dëshmisë së mësipërme, ajo do të kuptojë se “rrugën e Serbisë drejt Evropës dhe evropeizimit nuk ishte Kosova që e pengonte”.

***

Sociologia Vesna Peshiq, në libri e saj “Shoqëria e egër”, duke u shërbyer edhe me analiza të studiuesve të tjerë, po përpiqej të gjente përgjigje pse Serbia, edhe pas “revolucionit” të 5 tetorit të vitit 2000 dhe rrëzimit të pushtetit të Millosheviqit, nuk është demokratizuar dhe nuk e ka gjetur rrugën e saj drejt Evropës.

Pak a shumë ka ndodhur si në vijim. Opozita e bashkuar demokratike e Serbisë (DOS), nuk do të mund ta rrëzonte Millosheviqin, sikur aparati i tij i dhunës të mos hiqte dorë prej tij. Aparati i pushtetit e ka tradhtuar Millosheviqin dhe i është ofruar pushtetit të ri, duke e ruajtur kështu fuqinë e tij dhe pozitat, ndërsa liderët e DOS-it i kanë pranuar pa reformim e me ndryshime sipërfaqësore kadrvovike. Me këtë, sipas disa autorëve, që atëherë marrëveshja e bërë e ka kushtëzuar një shkallë të vogël apo kurrëfare të ndryshimeve. Njëri prej tyre thotë se qysh më 6 tetor është bërë e qartë se ndryshime të thella nuk do të ketë, sepse është bërë pakt mes “avangardës e retrogrades”.

Udhëheqësit e DOS-it kanë menduar vetëm ta rrëzojnë Millosheviqin e jo edhe se çfarë do të bëjnë pas kësaj. Edhe udhëheqësit, të cilët kishin ideologji të ndryshme, do të jenë të ndarë. Vojisllav Koshtunica mendon se Serbisë duhet sjellë demokracinë, por duke e ruajtur programin nacional, për të ruajtur interesat kombëtare dhe shtetërore në lidhje me Kosovën, për të ruajtur shtetin e përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi dhe për të ruajtur plaçkën kryesore të luftës – Republikën Sërpska. Mbështetëse e Koshtunicës do të jetë ushtria serbe.

Nga ana tjetër, Zoran Xhinxhiq konseiderohet se ishte në anën e modernizimit dhe evropizimit. Ai besonte se gjëja më e rëndësishme për Serbinë ishte krijimi i një shteti dhe ekonomie moderne, dhe drejtimi i rrugës së saj drejt Perëndimit dhe integrimit evropian. Ai besonte se gjëja më e rëndësishme për Serbinë ishte të ndryshonte vetëdijen e gabuar historike për qëllimet që e lanë në prapambeturi. Kjo mund të arrihet duke integruar shpejt Serbinë në Bashkimin Evropian, reformat dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare, e cila ishte “mitologjike” dhe bllokoi përcaktimin e Serbisë si një shtet modern. Por, edhe Xhinxhiq ishte aleancë me “Beretat e kuqe”, njësi speciale e shërbimit serb të inteligjencës (për ironi, do të jenë mu ato të cilat edhe do t’ia organizojnë atentatin, në vitin 2003), i afërt edhe me pasanikët e rinj të krijuar në kohën e Millosheviqit, madje edhe ai, së paku për shkaqe pragmatike, ka ditur të luajë në kartën nacionale. Demokratik Tadiq do të vazhdojë me moton kontradiktore të tij “Edhe Kosova, edhe Evropa”.

Që të tretë i kanë ruajtur të paprekura këto forca të prapavijës. Pluralizmi në posedimin e forcës, si shprehje e shtetit të privatizuar të cilin e ka lënë trashëgimi Millosheviqi, jo vetëm që nuk është eleminuar, por edhe është forcuar. Shërbimet janë ndarë dhe, duke kërkuar mbrojtësit e tyre politikë, kanë ndërruar anë, duke i parë interesat e tyre. Prandaj, pas 5 tetorit, u realizua vetëm faza e parë demokracisë – zgjedhje të lira dhe të ndershme, kryesisht sepse forcat e prapavijës kanë qenë aq të forta sa të pengojnë thellimin e demokracisë nga ajo zgjedhore deri në kushteuese (liberale).

Ballafaqimi i këtyre dy koncepteve has në një pikë, nga e cila ato më nuk mund të bashkëjetojnë. Literatura tregon si në shuplakë të dorës – shkruan Vesan Peshiq – se obligimi i Serbisë që t’ia dorëzojë kriminelët e luftës Tribunalit të Hagës ka qenë ajo pika kyçe e cila i ka përkufizuar të gjithë aktorët, pozicionet e tyre, shpërbërjen e DOS-it dhe ndryshimet modeste të cilat i ka sjellë Pesë tetori. DOS-i padyshim se ka gëzuar mbështetje të konsiderueshme që të fillojë rindërtimin demokratik të Serbisë. Se sa do ta shfrytëzojë këtë mbështetje për transformimin me themel të një shoqërie të dështuar dhe “shtetësisë së papërfunduar dhe jo-moderne” është varur jo aq nga vizioni i të ardhmes sa nga ballafaqimi me të kaluarën. Revolucion i pesë tetorit është thyer në të kaluarën: “Pika bazike e konfliktit, i cili së shpejti pas shpërbërjes së DOS-it, nuk ka qenë thjesht raporti ndaj së ardhmes, por para së gjithash politika e raportit ndaj të kaluares”. Në të vërtetë, Serbia ka qenë plotësisht e pa gatshme që të ballafaqohet me krimet nga e kaluara dhe kështu ta spastrojë terrenin për të ardhmen; qytetarët e saj kanë qenë të bindur se serbët në luftat e kaluara vetëm janë mbrojtur, se kanë qenë viktima të popujve tjerë të cilët kanë bërë krime. Ndërsa luftërat i kanë konsideruar të arsyeshme dhe “çlirimtare” sepse janë bërë për shkak të “mbrojtjes”, që do të thotë krijimi i shtetit serb në tërë “hapësirën e tij”, në të cilin serbët më nuk do t’i ekspozohen armiqësisë së popujve tjerë. Vetëdija etnike (“tribale”) ka qenë aq e fortë sa krimet ndaj tjerëve janë dukur të arsyeshme.

***

Dhe, ajo që do ta bëjë ta “reformojë vetëdijen” dëshmitari nga fillimi i këtij teksti, nuk do të jetë e mjaftueshme për Serbinë. Sepse, “nuk ka qenë fjala vetëm për ballafaqimin moral dhe penal-juridik me krimet e bëra në luftë, por për të kaluarën kriminale, e cila ka qenë e pranishmë në shërbimet e papacifikuara të sigurisë. Prapa skenës, në të cilën prijësit kanë diskutuar për të ardhmen ka qëndruar ‘shtet-kartel i privatizuar i Millosheviqit’, i përbërë prej kriminelëve të luftës dhe profiterëve, strukturave kriminale brenda ushtrisë, shërbimit të sigurimit dhe policisë. Të gjitha këto elemente i ka ndërlidhur e bashkuar ideologjia e nacionalizimit tribal, si mbulesë për privatizimin e aparatit shtetëror.”

A mund ta bëjë këtë Vuçiqi, të dalë nga kjo skemë e njohur, i cili edhe vetë ka dalë mu nga këto struktura?

Analistët, që nga nënshkrimi i marrëveshjes në Uashington, e sidomos këto ditë, me rastin e formimit të qeverisë së re të Serbisë, në bazë të asaj se e hoq apo e degradoi Vuçiqi një ministër të njohur si pro-rus që t’i lexojnë shenjat se kah po shkon Vuçiqi – mos po kthehet kah Perëndimi?

“Shibicarenje”, do t’i quajë këto lëvizje një analist beogradas. “Shibicarenje” i thonë njëfarë loje që e bëjnë ca njerëz nëpër rrugë duke i përzier ca kuti të shkrepseve, nën njërën prej të cilave ndodhte një monedhë.

“Pushteti në Serbi është i lidhur ngushtë me mafian. Në tetë vitet e kaluara të pushtetit të Partisë përparimtare serbe (të Vuçiqit), kriminaliteti për nga vëllimi është më i madh dhe për nga mjetet në dispozicion i pakrahasueshëm me të nëntëdhjetat”, do të thotë një ish-kuadër i lartë i policisë serbe.

Raporti i progresit i Komisionit Evropian për Serbinë kanë qenë të tilla sa ka pasur vlerësime se BE-ja mund t’i ndalojë fare bisedimet për anëtarësim!

Të dhënat statistikore këto ditë tregojnë se dy të tretat e qytetarëve të Serbisë jetojnë në varfri.

A mund ta besojë kush se një pushtet i tillë në Beograd vërtet e ka hallin për serbët e Kosovës?

Aspak! Pushteti i tillë kërkon vetëm shpëtim për veten, ndërsa në Kosovë kërkon një lidhje çfarëdo qoftë që të ketë ndikim, në mënyrë që të legjitimohet si “mbrojtës i serbëve”, ashtu siç i ka “mbrojtur” deri më tash.

Prandaj, në mënyrë të pacipë, Vuçiq deklaron se “edhe Serbia duhet të fitojë diçka”?! Një pjesë të Kosovës, apo një Asociacion, si pushtet i tretë, në mënyrë që vendimet politike të pushtetit në Kosovë të varen drejtpërdrejt nga Beogradi!

A nuk e bën të qartë kjo se tërë angazhimet e deritashme të Perëndimit rreth Serbisë kanë qenë humbje kohe, dhe se nëse tash i mundësohet çfarëdo ndikimi në Kosovë, vetëm sa ia zgjat jetën këtij pushteti prej atyre çfarë vërtet është vështirë ta gjesh në botën e sotme?

Sigurisht, edhe pozicionimi i udhëheqësve tanë ka qenë i gabuar. Por, prej tyre është vështirë të presish diçka, deri sa edhe sot e kësaj ditë ndërkombëtarët i përjetojnë në mënyrë aq fëmijërore, deri sa thonë “çka na duhet Evropa, kur e kemi Amerikën (?!), apo se shpërbërja e Task Forcës është bërë për shkak se ka qenë antikushtetuese – thua se në Ambasadën e ShBA-ve apo në Zyrën e BE-së – të cilat e kundërshtuan vendimin e Qeverisë së Kosovës – nuk dinë se Kosova ka një kushtetutë dhe se çfarë shkruan në të?!

Ngjarja paraprake

Turqi, rritet në 62 numri i të vdekurve nga tërmeti

Ngjarja e ardhëshme

Rendohet bilanci i viktimave në Turqi, gazetari shqiptar në Izmir: Ka ende shpresë për të mbijetuar

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian