Senatorët përkrahin akuza penale kundër Bolsonaros

Senatorët brazilianë kanë votuar për të rekomanduar akuza kundër presidentit Jair Bolsonaro, për mënyrën se si e ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit.

Një panel i Senatit ka përkrahur raportin që kërkon ngritjen e akuzave kundër Bolsonaros, përfshirë krime kundër njerëzimit, pasi autoritetet kanë regjistruar më shumë se 600,000 mijë vdekje me koronavirus.

Gjetjet do të prezantohen para Prokurorit të Përgjithshëm, zyrtar i emëruar nga Bolsonaro.

Presidenti ka thënë se është “fajtor për absolutisht asgjë”, mirëpo kriza e ka dëmtuar popullaritetin e tij.

Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë viktima me koronavirus në botë, sesa Brazili.

Megjithatë, ende nuk ka garanci se vota do të rezultojë me akuza penale, pasi rekomandimet e raportit duhet të analizohen nga Prokurori i Përgjithshëm, Augusto Aras, i cili pritet ta mbrojë presidentin.

Në raport përmenden dyshime se Qeveria e Bolsonaros ka zbatuar një politikë që ka mundësuar përhapjen e koronavirusit brenda shtetit, me shpresën e arritjes së imunitetit të tufës.

Presidenti brazilian përshkruhet si “personi kyç përgjegjës për gabimet e kryera gjatë pandemisë nga Qeveria federale”.

Përveç krimeve kundër njerëzimit, Komiteti i Senatit ka rekomanduar edhe tetë akuza të tjera përfshirë, nxitje të krimit, falsifikim të dokumenteve dhe shkelje të të drejtave sociale.

Bolsonaro akuzohet për keqpërdorim të fondeve publike dhe përhapje të lajmeve të rreme për pandeminë.

Raporti prej 1,300 faqesh, po ashtu ka rekomanduar akuza kundër dy korporatave dhe 77 personave, përfshirë tre djemtë e rritur të presidentit.

Agjencia e lajmeve Associated Press ka cituar zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të ketë thënë se do ta shqyrtojë raportin në detaje, sapo të arrijë në zyrë.

Bolsonaro ka insistuar se Qeveria e tij “e ka bërë gjënë e duhur nga fillimi” i pandemisë dhe aleatët e tij kanë qenë të shpejtë për të hedhur poshtë rekomandimet e raportit, duke i konsideruar të bazuara në motive “politike dhe zgjedhore”.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, mik i Bolsonaros, ka thënë nëpërmjet një deklarate se e përkrahë presidentin brazilian, sepse ‘ai lufton shumë dhe e do popullin e Brazilit”.

Në muajin mars, Bolsonaro pati nxitur shumë reagime kur u tha brazilianëve që të “mos ankohen” për koronavirusin, një ditë pasi shteti është përballur me shifra rekorde të viktimave në periudhë 24-orëshe.

Ai ka vazhduar të përhapë dezinformata në rrjetet sociale dhe të hënën, Facebook-u, e ka fshirë një video të tij, në të cilën pretendon pa fakte një lidhje mes vaksinave kundër koronavirusit dhe sëmundjes së AIDS-it.

Platforma tjetër, YouTube e ka bllokuar po ashtu atë video, si dhe e ka pezulluar kanalin e Bolsonaros për një javë.

Brazili, shtet me 208 milionë banorë, ka regjistruar të paktën 606,000 viktima dhe 21.7 milionë raste me koronavirus, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins./REL

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

Beteja e shqiptareve me VMRO DPMNE me 31 Tetor

Ngjarja e ardhëshme

Projektligji për bashkëqeverisje/ Shehi: Do shtoni zinxhirin korruptiv, dëgjoni këshillën time se do trembni…

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian