Scholz: Kemi shans që të arrijmë një marrëveshje për programin bërthamor të Iranit

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i ka bërë thirrje Iranit që të mos i prishë bisedimet që kanë për qëllim ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

“Udhëheqja iraniane tani ka një zgjidhje: tani është momenti i së vërtetës”, tha Scholz gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih më 19 shkurt.

Scholz tha se pas bisedimeve në Vjenë, që kanë zgjatur mbi 10 muaj, “të gjitha elementet për të përmbyllur negociatat janë tani në tavolinë”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se është “e papranueshme” për fuqitë botërore nëse Irani vazhdon të pasurojë uraniumin, teksa ka suspenduar monitorimin e programit bërthamor nga agjencia bërthamore e Kombeve të Bashkuara.

“Tani ne kemi shansin që të arrijmë një marrëveshje që do të lejojë që sanksionet të hiqen”, tha Scholz, por paralajmëroi se “nëse ne nuk arrijmë ta menaxhojmë shpejt këtë situatë, negociatat rrezikojnë që të dështojnë”.

Gjermania, Franca dhe Britania, së bashku me Rusinë dhe Kinën, kanë ndërmjetësuar bisedimet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Irani është përballur me sanksione të ashpra nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera, para se të arrihej marrëveshja me fuqitë botërore më 2015, që kishte për qëllim lehtësimin e sanksioneve në këmbim të frenimit të aktiviteteve bërthamore të Teheranit.

Më pas, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump, tërhoqi Uashingtonin nga marrëveshja më 2018 dhe rivendosi sanksione ekonomike ndaj Iranit.

Diplomatët perëndimorë kanë thënë më herët gjatë kësaj jave se bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore janë në fazën finale dhe se ata shpresojnë se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje.

Më 17 shkurt, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Teherani ka nevojë për energji bërthamore dhe jo armë.

Khamenei – që ka autoritetin kryesor mbi çështjet fetare dhe politike në Irani – tha se Teherani “duhet të mendojë për të nesërmen” dhe se “herët apo vonë ne do të kemi nevojë për energji paqësore bërthamore”.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Harris e Johnson i premtojnë mbështetje presidentit ukrainas

Story i radhës

Që rrobat të dalin “akull” të lara, si të eleminoni papastërtitë dhe erën e keqe të lavatriçes

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish