Samiti i NATO-s fillon nën masa intensive të sigurisë dhe masave ndaj COVID-19

Liderët e vendeve anëtare të NATO-s, sot mblidhen në selinë e NATO-s nën masa shumë të rrepta të sigurisë dhe nën masa të marra kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Selia e NATO-s në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel pret krerët e 30 qeverive dhe shteteve aleate të cilët do të mblidhen me një axhendë intensive.

Në mesin e temave kryesore të Samitit të NATO-s, janë vendimet rreth udhërrëfyesit që do të drejtojnë në 10 vitet e ardhshme aleancën, koncepti strategjik i NATO-s, rritja e Rusisë dhe Kinës, ndikimi i ndryshimit të klimës mbi sigurinë, kërcënimet kibernetike dhe teknologjitë shkatërruese dhe përfundimi i misionit të NATO-s në Afganistan.

Për takimin me këtë axhendë intensive i cili zhvillohet për herë të parë pas takimit të Samitit të fundit të NATO-s që u mbajt më 3-4 dhjetor 2019 në Britani, kanë ardhur mijëra punonjës dhe gazetarë nga 30 vende. Delegacionet do të zhvillojnë në selinë e NATO-s takime nën masa të rrepta të sigurisë dhe kundër pandemisë.

Për shkak të samitit janë mbyllur shumë rrugë në destinacionin e vajtjes së liderëve për në selinë e NATO-s. Forcat belge të sigurisë kanë marrë masa të gjera të sigurisë edhe në hotelet ku do të akomodohen liderët dhe delegacionet si dhe në zonat përreth selisë së NATO-s. Zyrtarët belgë kanë njoftuar se me këtë qëllim janë mobilizuar të paktën 2 mijë forca sigurie. Po ashtu në kuadër të kësaj janë bërë ndryshime edhe në disa destinacione të transportit publik.

Janë vaksinuar punonjësit e NATO-s

Për samitin në selinë e NATO-s janë rritur edhe masat kundër COVID-19. Nga anëtarët e delegacioneve që do të marrin pjesë në samit dhe takimet në këtë drejtim, është kërkuar që të kryejnë testet e PCR.

Për punonjësit në selinë e NATO-s vaksinimet kanë filluar disa javë më parë. Vaksinat janë siguruar nga Polonia, një prej vendeve anëtare. Rreth 3.500 punonjës në selinë e NATO-s janë vaksinuar që nga muaji mars nga dhjetëra punonjës të shëndetësisë që kanë ardhur nga Polonia për vaksinimin.

Po ashtu për shumë persona që do të jenë prezent në selinë e NATO-s gjatë takimeve është kërkuar të përdorin maska të prodhimit special të tipit FFP2. Në shumë vende në ambientet ku do të mbahen takimet janë vendosur dezinfektues për duart. Në hyrjet e ndërtesave janë vendosur punonjës për matjen e temperaturës.

Numri i gazetarëve të akredituar është i kufizuar

Samtit i NATO-s ndiqet nga rreth 600 gazetarë të ardhur nga shumë vende të botës. Pavarësisht se kjo shifër është më e lartë se në samitet e mëparshme, këtë herë numri i gazetarëve të akredituar është i kufizuar në kuadër të masave për pandeminë.

Për punonjësit e medias është ndarë një vend pas ndërtesës së selisë. Në qendrën e gjerë të medias janë përgatitur hapësira të punës duke pasur kujdes distancimin social.

Nga gazetarët është kërkuar të paraqesin testin PCR me rezultat negativ të kryer jo më shumë se 4 ditë më parë. Është theksuar nuk do të jepen akreditime për ata që nuk kanë test negativ. Për gazetarët është vendosur kushti që të përdorin maskat FFP2 përgjatë kohës që ndodhen në seli gjatë samitit.



. .

Ngjarja paraprake

Lehtësime të reja, në dasma dhe koncerte mund të thirrni deri 1000 mysafirë!

Ngjarja e ardhëshme

Ky është reagimi i parë nga Christian Eriksen pas sulmit në zemër

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian