Sali Lushaj i përgjigjet Idajet Beqirit: E vërteta e rrahjes së avokatit dhe ku ishte Izet Haxhia! Gati të përballem në gjyq, nëse…

Sali Lushaj reagon pas akuzave të avokatit të Izet Haxhisë, duke hedhur poshtë si mashtrime pretendimet e tij se e ka dhunuar dhe është ndaluar për ngjarjen e ndodhur në vitin 1998.

Lushaj tregon se nuk e ka takuar kurrë Idajet Beqirin dhe aq më pak ta ketë dhunuar apo të jetë ndaluar ndonjëherë për këtë çështje. Ai thotë se është gati që të përballet në gjyq me Beqirin, në rast se ai ka qoftë edhe një provë të vetme për ato që deklaroi dy ditë më parë në gazetën “Panorama”. Madje, Sali Lushaj thotë se është gati t’i kërkojë edhe falje publike, nëse rezultojnë të vërteta ato që thonë. Por sipas tij, Idajet Beqiri e di shumë mirë që ato që tregon nuk janë të vërteta.

Idajet Beqiri, avokati i Izet Haxhisë, ka reaguar në lidhje me intervistën që ju dhatë për gazetën “Panorama” disa ditë më parë, duke hedhur poshtë deklaratën tuaj se ishte dhunuar nga klienti i tij vite më parë. Madje shprehet se jeni ju që e keni dhunuar në vitin 1998. Si qëndron e vërteta?

E vërteta është se deri kur reagova unë, Idajeti nuk ka folur për asgjë. Tani që fola unë, Idejeti shpërthen kundër meje. Këto janë sajesat e tij. Asgjë nuk është e vërtetë. Unë nuk e kam goditur. Për këtë ngjarje që ai i referohet, në atë kohë është ndaluar Izet Haxhia. Ka qëndruar 72 orë në paraburgim e më pas është liruar. Unë në jetën time nuk jam ndaluar, as nuk jam arrestuar për këtë çështje. Beqiri shprehet se ju keni qëndruar në paraburgim dhe jeni lënë i lirë vetëm pasi një miku juaj, që e identifikon me emrin Seja, i ka kërkuar falje në emrin tuaj… Kurrë, nuk është e vërtetë. E gjitha është trillim. Nuk ka asgjë të vërtetë. Në qoftë se unë jam ndaluar qoftë edhe një orë për këtë çështje, ose në qoftë se më ka thirrur në rajon dikush për Idajet Beqirin, unë do ta pranoja dhe do ta kisha thënë publikisht.

Si është e vërteta e asaj ngjarjeje që përmend avokati Idajet Beqiri? A keni qenë ju dëshmitar ditën ku ai është dhunuar?

Po. Kanë qenë 2 vetë, jo 8 vetë siç thotë ai se ishin banditë. Po ky edhe sarandjotë po të ishin, do t’i quajë nga Tropoja. Sepse iu ka bërë gogol atij Tropoja, Berisha… Sipas tij, Berisha nuk e donte veten kur ka dalë nga zyra dhe ka parë Idajet Beqirin, këtë farë trimi. Edhe sipas tij, qenka tmerruar dhe na paska urdhëruar zoti Berisha për ta dhunuar…

Pra, një nga këta persona që ka dhunuar në atë kohë Idajet Beqirin, ju thoni se ka qenë Izet Haxhia?

Shiko, Izeti ka qenë aty. Ka qenë prezent. Dhe për këtë arsye u ndalua Izeti, për rrahjen e këtij. Ndërkohë sot e ka avokat. Le ta deklarojë edhe vetë Izeti që është ndaluar në atë kohë për atë ngjarje.

A njiheni personalisht me Idajet Beqirin?

Kurrë në jetën time nuk jam takuar me të. Ky më paska takuar mua edhe te 313-ta! Ekzistojnë dokumente, hyrjedalje në burg. Kush është prokurori që paska bërë ballafaqimin për njohje? Ky është një mashtrim. Komplet gënjeshtër. Idajet Beqirin e kam parë vetëm një herë në stadiumin e Luksemburgut, ka qenë me të shoqen. E kemi pasur një radhë përpara, por nuk kemi folur. Kemi qenë emigrantë, si ne, si ai.

Po atëherë pse mendoni se ka rrëfyer një histori të tillë?

Ai ka qëllime të tjera. Ky do të duket sikur gjithçka që thotë nëpër gjyqe, apo diku tjetër, është e vërtetë. Në qoftë se është e vërtetë që unë jam takuar në Prokurori ose në burg me të, ato dalin. Janë fakte. Kur ka hyrë Idajet Beqiri, kë ka takuar, kush është prokurori i çështjes së tij. Le të dalë ky prokuror. Mua le të më thërrasë Prokuroria kur të dojë për shpifje apo për trillim. Jam gati të përgjigjem për gjithçka. Në qoftë se kam qëndruar qoftë edhe 1 orë, në qoftë se më ka thirrur ndonjë polic gjyqësor, jam gati të përgjigjem. Por e gjitha është gënjeshtër. Edhe i bëj thirrje Prokurorisë që ta ndjekë këtë çështje. Ai thotë që do vijë në gjyq. Unë shkoj. Po më thirri Gjykata, unë shkoj për çdo gjë. Çfarë frike kam unë të përballem me Idajet Beqirin?

Te gjyqi i Izet Haxhisë?

Po. Unë për Izet Haxhinë nuk kam folur gjënë më të vogël dhe nuk kam çfarë të flas. As për Ismetin, as për vëllanë tjetër. Sepse nuk kam folur kurrë. Ky gjyq bëhet për Izetin. Çdo trupë gjyqësore që e sheh këtë çështje thotë që Sali Lushaj nuk është dëshmitar në këtë çështje. Se në fakt nuk jam. Nuk kam lidhje me të. Për Izetin nuk kam folur sepse nuk kam pasur çfarë të flas, jo se kam rezervuar diçka.

Po atëherë pse ky mllef?

Nuk e di. E ka kapur me zotin Berisha, sepse është burgosur, me të drejtë. Nuk ka qenë hera e parë që është burgosur Idajet Beqiri. Ka edhe të kaluarën e tij në Krujë. I di ai të gjitha këto. Nuk dua të futem tek e kaluara e tij, por për rastin konkret, Idajet Beqiri çdo gjë e ka gënjeshtër. Le të bëjë padi në Gjykatë. Të tregojë faktet. E nëse del e vërtetë ajo që thotë ai, unë do t’i kërkoj publikisht falje. Por ai e di shumë mirë që ato që ka thënë nuk janë të vërteta.

***

Çfarë tha Sali Lushaj për avokatin e Izet Haxhisë

“Çështja është e zbardhur, unë nuk e kuptoj se çfarë duan t’i zbardhin më. Se çfarë thotë ai avokati, këto të tjerat janë kot, se njihet Idajeti për kështu gjërash. Ai është rrahur nga Izeti, unë kam qenë prezent, e ka rrahur dhe tani e ka avokat. Mua më vjen keq. Ai do që ta përziejë Izetin. Ai do që t’i marrë hakun, do që ta lërë në burg. Për mua ai nesër le të dalë. Edhe Jaho le të dalë. Po pse shkojnë më në Tropojë? Asnjë nuk e shkel më Tropojën. Pse shkoj unë në Tropojë dhe në gjithë Shqipërinë? Unë atë ditë në mitingun e Tropojës kam parë komunistë që qanin sepse menduan se u ‘çliruan’. Ata thërrisnin ‘Sali Berisha’”.

Çfarë tha Idajet Beqiri për ish-truprojën e Berishës

“Erdhi Sali Lusha me 8 banditët e Tropojës. Më rrethuan dhe në asfaltin e rrugës te ‘Toptani’ më kanë goditur me shkopinj, grushte dhe mjete të tjera, duke më lënë të plagosur. Në këtë ngjarje ka qenë dhe Izet Haxhia. ‘Na ndërseu Berisha’, më ka thënë më vonë në zyrë Sali Lusha. Të 9 këta persona u arrestuan. Nuk e pranonin krimin. Më ka ardhur në zyrë një miku i ngushtë i Sali Lushës, të cilit për etikë po i them vetëm shkurtimin e emrit, siç e njeh edhe Sali Lusha, Seja… E kishte dërguar Sali Lusha. Më tha që Sali Lusha është në burg dhe kërkon ta falësh. Ka rënë pre e urdhrit të Sali Berishës për t’u hakmarrë ndaj teje.

Ngjarja paraprake

Putini po vdes? Rusia po e fsheh sëmundjen e tij serioze

Ngjarja e ardhëshme

Malajzia fillon testimin e 1.7 milionë punëtorëve të huaj lidhur me COVID-19

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian