Ruskovska: Më kanë lënë me vetëm pesë prokurorë

Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion prej dy javësh punon me pesë prokurorë më pak, të cilëve më 1 shkurt u mbaroi mandati 4-vjeçar, ndërsa nga ana tjetër ende nuk është mbajtur seanca për zgjedhjen e prokurorëve të rinj. Për shkak të kësaj situate, Prokuroria ka mbetur të funksionojë me vetëm 8 prokurorë, 3 prej të cilëve në departamentin e specializuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kryetarja e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Vilma Ruskovska për “Fokus” deklaroi se funksionojnë me shumë vështirësi, ndërsa nga 1 shkurti në gjykime shkojnë vetëm prokurorët që kanë mandat.

“Si funksionojmë? Shume e vështire. Mbeta me pesë prokurorë me mandat. Tre të tjerët janë në njësinë e specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me kompetenca policore dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve”, deklaroi Ruskovska.

Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Antonio Jolevski, thotë se seanca zgjedhore ende nuk është caktuar, sepse do të ketë vlerësim të ri për prokurorët me mandat të skaduar.

“Nuk është caktuar seancë, pritet rivlerësimi i kandidatëve nga Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Me kohë do të publikojmë në ueb faqen e Këshillit se kur do të caktohet seanca zgjedhore”, tha Jolevski.

I pyetur se pse duhet rivlerësim, Jolevski tha se katër nga kandidatët e Prokurorisë kanë parashtruar ankesa, ndërsa Këshilli ka marrë vendime me të cilat janë pranuar ankesat e tyre.

“E kemi porositur Prokurorinë që të rivlerësohet”, thotë Joleski.

Me këtë zgjatet edhe më tej koha e përzgjedhjes së prokurorëve për të luftuar krimin e organizuar në vend.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Bien ndjeshëm rastet e reja në Kosovë, sot 2 humbje jete nga Covid-19

Story i radhës

Digjet një sipërfaqe prej 400 metra kallam në Strugë

Të fundit nga