Rusia pretendon fitore në referendumet e rreme për aneksim

Zyrtarët e instaluar nga Moska në rajonet pjesërisht të pushtuara të Ukrainës pretenduan se shumica e votuesve në referendumet e rreme kanë votuar për bashkimin me Rusinë.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara njoftuan se po planifikojnë të paraqesin një rezolutë në Kombet e Bashkuara për të dënuar të ashtuquajturat referendume.

SHBA-ja po ashtu po përgatit një rund të ri të sanksioneve kundër Rusisë nëse ajo anekson territorin ukrainas, por edhe një pako të re të armëve për Ukrainën në vlerë prej 1.1 miliard dollarësh do të shpaloset së shpejti, thanë zyrtarët amerikanë.

Votimet e organizuara me nxitim u mbajtën për pesë ditë në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut dhe në Zaporizhja e Herson në jug. Këto katër rajone përbëjnë rreth 15 për qind të territorit ukrainas.

Zyrtarët e instaluar nga Rusia pretenduan se rezultatet varijonin nga 87 për qind deri në 99.2 për qind në favor të bashkimit me Rusinë. Kreu i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus tha se kjo dhomë mund ta shqyrtojë aneksimin më 4 tetor.

“Rezultatet janë të qarta. Mirë se erdhët në shtëpi, në Rusi”, tha Dmitry Medvedev, ish-presidenti rus që tani shërben si kreu i Këshillit të Sigurisë së Rusisë dhe njëherësh është aleat i presidentit Vladimir Putin.

Në territoret e pushtuara, zyrtarët e instaluar rusë mblodhën votat shtëpi më shtëpi. Kievi dhe Perëndimi thanë se kjo ishte e paligjshme dhe ishte një metodë e frikësimit të votuesve me qëllim që të krijohet pretekst ligjor për Rusinë që të aneksojë katër rajonet ukrainase.

“Kjo farsë në territoret e pushtuara nuk mund të quhet as imitim i një referendumi”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një video-adresimi në orët e vona të së martës.

SHBA-ja tha se do të prezantojë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që do t’u bëjë thirrje shteteve anëtare të mos pranojnë asnjë ndryshim për Ukrainën dhe që ta obligojë Rusinë që të tërheqë trupat, tha e dërguara e Uashingtonit, Linda Thomas-Greenfield.

“Referendumet e rreme ruse, nëse pranohen, do të hapin ‘Kutinë e Pandorës’ të cilën ne nuk mund ta mbyllim”, tha ajo gjatë një takimi të Këshillit.

Rusia ka fuqinë që të vendosë veto ndaj rezolutës në Këshillin e Sigurimit, por Thomas-Greenfield tha se nëse ndodh kjo, atëherë SHBA-ja do ta dërgojë këtë çështje para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Çdo referendum i mbajtur nën këto kushte, nën tytën e pushkës, kurrë nuk mund të jetë as për së afërmi i lirë apo i drejtë”, tha zëvendësambasadori britanik në OKB, James Kariuki.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha gjatë takimit të Këshillit se të ashtuquajturat referendume janë mbajtur në mënyrë transparente dhe në bazë të normave zgjedhore.

“Ky proces do të vazhdojë nëse Kievi nuk i pranon gabimet e tij strategjike dhe nuk fillon që të udhëhiqet nga interesat e popullit të tij dhe jo të udhëhiqet nga interesat e atyre personave që po luajnë me të”, tha Nebenzia.

Nëse Rusia anekson katër rajonet ukrainase, Putin mund ta paraqesë çdo përpjekje ukrainase për të rimarrë këto rajone, si sulm ndaj vetë Rusisë.

Javën e kaluar, Putin tha se ishte i gatshëm të përdorte armë bërthamore për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë.

Por, Mykhailo Podolyak, këshilltar i Zelenskyt, i tha agjencisë Reuters se Kievi nuk do të ndikohet nga kërcënimet bërthamore apo nga votimet për aneksim, por do të vazhdojë me planet e tij për të rimarrë të gjithë territoret që forcat ruse kanë pushtuar.

Ai tha se ukrainasit që kanë ndihmuar në organizimin e të ashtuquajturave referendume do të përballen me akuza për tradhti dhe me të paktën pesë vjet burgim. Ndërkaq, ukrainasit që janë detyruar të votojnë, sipas tij, nuk do të ndëshkohen.

Pakoja e re e SHBA-së

Ndërkaq, pakoja e re e armëve e SHBA-së për Ukrainën do të përfshijë sisteme raketash HIMARS së bashku me municione, disa lloje të sistemeve të dronëve dhe sisteme radarësh. Po ashtu, aty do të ketë edhe pajisje shtesë për armë të ndryshme dhe ndihmë teknike, tha një burim që kishte njohuri për këtë ndihmë të re amerikane.

Por, Rusia sërish ka paralajmëruar SHBA-në kundër armatosjes së Ukrainës.

“Në nxitjen e Kievit që të vazhdojë përdorimin e pajisjeve ushtarake të pranuara nga Perëndimi, Uashingtoni nuk e kupton rrezikun e veprimeve të tij… Hapat tanë për të mbrojtur atdheun do të jenë të vendosur”, tha ambasadori i Rusisë në SHBA, Anatoly Antonov.

Diplomatët thanë se kërcënimet bërthamore janë përpjekje e Rusisë për ta frikësuar Perëndimin dhe për ta shtyrë që të ulë mbështetjen për Ukrainën.

Asnjë nga katër rajonet ku u mbajtën referendumet e rreme nuk janë nën kontrollin e plotë të Rusisë, ndërkaq forcat ukrainase po raportojnë për më shumë përparime, pasi ata larguan forcat ruse nga rajoni i Harkivit gjatë kundërofensivës të nisur më herët gjatë këtij muaji.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rajoni lindor i Donjeckut mbetet ende prioritet strategjik për Ukrainën – dhe Rusinë – dhe luftimet atje janë “veçanërisht të ashpra”.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe Putin ka thënë se qëllimi i luftës është “çlirimi” i Donbasit, që përbëhet nga rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.

Teksa u raportua se Ukraina po shënon sukses në kundërofensivën e saj në Harkiv, më 21 shtator Putin shpalli një mobilizim të pjesshëm, duke thirrur në luftë 300.000 rezervistë./REL

Story i mëparshëm

Ecni 10 mijë hapa në ditë për të humbur peshë

Story i radhës

Ambasada e Gjermanisë në Shkup me njoftim për qytetarët

Të fundit nga