Rusia dhe fillimi i një lufte të re të ftohtë

Deri më 24 shkurt, kur Presidenti Vladimir Putin urdhëroi futjen e trupave ruse në Ukrainë, Lufta e Ftohtë i përkiste muzeve të historisë, si një periudhë e errët në historinë e Evropës. Por ndasitë mes Moskës dhe Perëndimit nuk po tregojnë shenja përmirësimi. Analistët thonë se situata aktuale e marrëdhënieve Rusi-Perëndim mund të jetë fillimi i një lufte të re të ftohtë, ose vazhdimi i luftës së vjetër.

Më shumë se katër muaj pas fillimit të sulmit rus në Ukrainë, bota ka ndryshuar, ndërsa Rusia është pozicionuar sërish kundër Perëndimit. Udhëheqja ruse e akuzon NATO-n se ka ngritur në Evropë një perde të re të hekurt, pas takimit të krerëve të vendeve të aleancës në Madrid muajin e kaluar.

“Konkluzioni më i mirë që mund të nxjerrim është se në takimin e Madridit, NATO-ja bëri një lloj evolucioni, që pas themelimit në vitin 1949 duke u kthyer tek rrënjët e saj, në parimet e ofrimit të sigurisë ushtarake, që daton që nga periudha e kohës së Luftës së Ftohtë”, tha për Zërin e Amerikës Zëvendësministri i Jashtëm rus Aleksandër Grushko.

I izoluar në arenën ndërkombëtare, presidenti rus po kërkon të forcojë lidhjet me ata pak aleatë që i kanë mbetur, veçanërisht me udhëheqësin bjellorus, Alexander Lukashenko. Ata kanë në plan të unifikojnë vendet e tyre dhe Presidenti Putin thotë se në fakt Perëndimi po ndihmon në arritjen e këtij qëllimi.

“Trysnia e pashembullt politike dhe me sanksione, e ushtruar nga i ashtuquajturi ‘Perëndim kolektiv’ po na shtyn të përshpejtojmë procesin e integrimit”, tha Presidenti Putin.

Në një Evropë të ndarë, mundësia që Ukraina dhe Moldavia, dikur pjesë të Bashkimit Sovjetik, të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, është gjithashtu një çështje shqetësuese për Kremlinin. Por analistët thonë se NATO-ja është frika kryesore e Moskës.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Andrey Kortunov, Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit të Çështjeve Ndërkombëtare Ruse, një institut hulumtues për politikën e jashtme me seli në Moskë.

“Udhëheqja ruse është kryesisht e shqetësuar nga vendosja e infrastrukturës ushtarake armiqësore në territorin e këtyre vendeve. Por meqenëse Bashkimi Evropian nuk është një lojtar i fortë në fushën e sigurisë, afrimi i Ukrainës me BE-në duhet të përbëjë më pak shqetësim për Kremlinin sesa afrimi i Ukrainës me NATO-n”.

Në rrugët e Moskës, opinionet ndaj NATO-s janë shpesh negative.

“Ne nuk jemi agresivë. Por, ju (NATO), mos u futni në territorin tonë. Putini ka të drejtë kur thotë: ‘Ne nuk ju prekim ju. Dhe ju (NATO) mos prekni kufijtë tanë’”, thotë një banor i Moskës.

Por ka edhe nga ata që, pasi sigurohen se nuk i përkasim televizionit shtetëror rus, shprehen ndryshe.

“Nuk e konsideroj (NATO) armiqësore, as nuk e konsideroj se ka vënë në shënjestër Rusinë. Le të themi se është një klub interesash. Nuk shoh se përbën ndonjë kërcënim për Rusinë”, thotë për Zërin e Amerikës një banore e Moskës.

Ndërkohë që situata vazhdon të jetë e rëndë, shumë njerëz në Rusi besojnë se një perde e re e hekurt po shtrihet në të gjithë Evropën, një luftë e ftohtë e dytë, ose ndoshta rikthimi i Luftës së Ftohtë që nuk u zhduk kurrë./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Sot protesta e opozitës para Kryeministrisë, qytetarët me autobusë drejt Tiranës

Story i radhës

Shorti i vuri përballë Ukrainës e Holandës, flet trajneri i Kosovës në futsall: Kemi një superfuqi grup

Të fundit nga