Rusia dëshiron luftë në Ballkan, këtë dëshirë mund ta realizojë përmes Serbisë!

Shkup, 27 dhjetor – Zëdhënësja e diplomacisë së Moskës, një ndër zërat kryesorë të propagandës ruse, Marija Zakharova ka komentuar sërish ngjarjet e fundit në Kosovë. Përsëri, Zaharova e sheh situatën në rajonin vetëm përmes luftës. Ajo ka thënë se situata në Kosovë nuk është larg shpërthimit të një konflikti të një shkalle të gjerë. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme pas një takimi mes kryeministrit, Albin Kurti, dhe komandantit të KFOR-it, janë pajtuar që barrikadat e vendosura në veri duhet të hiqen së shpejti për ta mundësuar lirinë e lëvizjes. Situata në veri të Kosovës është e tensionuar dhe serbet kanë vendosur barrikada që bllokojnë pikat kufitare. Megjithatë, situata në veri të Kosovës është tensionuar jashtëzakonisht shumë prej kohës kur Kosova u bë palë në bisedime falë lidershipit aktual që po udhëheq me Kosovën, e që kjo nuk është aspak në favor të Serbisë, shkruan Zhurnal.

 

Situata e tensionuar në veri të Kosovës-

Situata në veri të Kosovës vazhdon të mbetet e tensionuar. Deri më tani, fillimisht është raportuar për vendosjen e gjashtë obusëve, apo armëve të gjata, pranë kufirit në Jarinjë nga ana e ushtrisë serbe, më pas heqjen e tyre. Në Kosovë dje është mbledhur Këshilli i Sigurisë ku mes tjerash është folur edhe për KFOR-in me komandantin e të cilës Kurti pati një takim gjatë ditës së djeshme. Megjithatë, aty është thënë se sa i përket barrikadave do të vazhdohet të priten veprimet e KFOR-it.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka konfirmuar se “persona të maskuar”, kanë sulmuar një ekip të televizionit “Klan Kosova”, ku si pasojë, dy gazetarë kanë marrë trajtim mjekësor.Kujtojmë se, që nga 10 dhjetori grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët kryesore që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Këto dy pika kufitare tashmë po mbahen të mbyllura. Barrikadat u ngritën sipas serbëve të veriut pas arrestimit të një ish-polici serb, Dejan Pantiq, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Kujtojmë se mbrëmë u raportua se të shtëna armësh janë dëgjuar në veri të Kosovës, ndërsa sot ushtria serbe ka vendosur disa topa me rreze të gjatë afër pikëkalimit administrativ të Jarinjës, pra kufirit me Kosovën.

Moska sheh luftë të mundshme në Ballkan-

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se situata në Kosovë nuk është larg shpërthimit të një konflikti të një shkalle të gjerë. Këto deklarata, Zakharova i ka bërë gjersa ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë.

 “Përkeqësimi i ri që shpërtheu në krahinë tregon bindshëm se devijimi nga korniza aktuale rregullative për Kosovën vetëm sa provokon ekstremistët e Prishtinës. Situata nuk është larg nga një konflikt real në shkallë të gjerë”, tha Zaharova, transmeton B92.

Shpërqendrimi i vëmendjes përmes Ballkanit është një ndër strategjitë ruse që përdoret në situatat kur e gjithë Evropa dhe SHBA-të kanë sytë drejt Rusisë, sidomos pas shkurtit të këtij viti kur edhe filloi invazioni rus në Ukrainë. Dhe, nëpërmjet krijimit të ndonjë situata destabilzuese në Ballkan, Rusia tenton ta zhvendos vëmendjen dhe fokusin kryesisht në ndonjë vend tjetër, që të jetë më e lirë për të vepruar.

Ivana Stradner, hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracisë – me seli në Uashington – beson se Ballkani i duhet Rusisë në kohë lufte për shpërqendrim të vëmendjes.

“Moska ka dëshiruar që të destabilizojë Ballkanin me vite, mirëpo jo sepse dëshiron që ta pushtojë atë. Tensionet janë të rëndësishme ashtu që Rusia të shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit nga ajo që është duke ndodhur në Ukrainë, sidomos tani”, ka thënë ajo në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Edhe Stronski beson se “interesi i Rusisë në Ballkan, nuk ka të bëjë me vetë Ballkanin, por me aftësinë për të pasur një derë të hapur në Evropë dhe Ballkani është një prej mënyrave më të lehta, apo të vetme për ta arritur këtë gjë”.

Rusia përfiton nga tensionet mes Kosovës dhe Serbisë-

Autoritetet e Kosovës tash e një kohë përmendin ato që i quajnë tentime të Rusisë për të destabilizuar rajonin. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përmendur këtë çështje kur ka takuar sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Uashington. Osmani ka thënë se përpjekjet e Rusisë përhapen në Ballkan nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”.

“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti amerikan, Joe Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, ka thënë Osmani më 27 korrik.

Këto përpjekje të Rusisë i ka përmendur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një bisedë me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, të realizuar më 2 gusht. Sipas kryeministrisë, Kurti ka thënë se fushata dezinformuese e Serbisë është duke u ndihmuar nga shteti rus. Ndikimi rus është përmendur edhe ditë më parë kur autoritetet e Kosovës kanë arrestuar e më pas dëbuar gazetaren rus, Daria Aslamova.

Ndryshe, përpjekjet e Rusisë për ta destabilizuar rajonin nuk janë të tanishme por datojnë më herët, fokusi i Rusisë është kryesisht në Kosovë, por nuk përjashtohen edhe shtetet tjera në të cilat ndikimi i propagandës ruse ka pasur një ngritje të hovshme. Prandaj, edhe nga Maqedonia e Veriut janë dëbuar shumë diplomatë rus për të cilët është vlerësuar se kanë bërë spiunazh dhe kanë keqpërdorur detyrën e tyre.

Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”. /Zhurnal.mk

Burimi: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

​Gjykatësit shqiptarë shpërngulen nga veriu në jug të Mitrovicës

Story i radhës

Fitore me përmbysje e Pejës

Të fundit nga