Rusia, Bjellorusia dhe Serbia

Rusinë e cila po e sulmon Ukrainën me të gjitha mjetet luftarake që ka në dispozicion, duke vrarë me mijëra civilë të pafajshëm po e përkrahin në Evropë vetëm Bjellorusia dhe Serbia. Janë këto dy shtete të vetë identifikuar si përkrahësit më të fuqishëm të fashistit rus Vladimir Putin.

Putini muaj më parë dhe para fillimit të okupimit të Ukrainës, kishte deklaruar se mijëra trupa ruse të grumbulluara në kufi me Ukrainën janë aty për ushtrime ushtarake, e në vërejtjet se për qëllim ka sulmin dhe okupimin e Ukrainës, ai kishte deklaruar se këto janë gënjeshtra dhe insinuata të perëndimit sepse ai kurrë nuk do të sulmojë Ukrainën. Bile i merrte joserioze deklaratat e shumë udhëheqësve të shteteve perëndimore e i quante gënjeshtra të drejtuara kundër Rusisë.

Me veprimet e fundit të Rusisë, këto deklarata të udhëheqësve perëndimorë në krye me presidentin Biden dolën tërësisht të vërteta, kurse deklaratat e Vladimir Putinit dolën gënjeshtra dhe mashtrim i opinionit botërorë sepse ky kishte deklaruar se kurrë nuk do ta sulmonte Ukrainën. Por e sulmojë me të gjithë arsenalin luftarak konvencional që ka në dispozicion.

Putin po deklaron se po e lufton fashizmin në Ukrainë e në të vërtetë ai është përkrahësi më i madh i partive të djathta e pro-fashiste në Evropë duke filluar nga Pegiba në Gjermani, Fronti Popullor i Mari Le Pen në Francë, Dodikun në Bosnje e deri në Mal të Zi Mandiqin e Frontit Demokratik. Këta me partitë serbe në Mal të Zi në përkrahje të Rusisë tentuan me grusht-shtet ta përmbysin Gjukanoviqin presidentin e Malit të Zi.

Sa i përket Serbisë përveç regjimit aktual të A. Vuqiqit, Rusia përkrahë dhe financon edhe partinë e ish kriminelit Millosheviq pra partinë Socialiste të Serbisë në krye të së cilës është Ivica Daqiq kryeministër i ardhshëm i Serbisë e si i përkëdheluri i Rusisë edhe kryetarë.

Para dy tre ditëve patëm rastin të lexojmë komentin e ish ambasadorit amerikan në Kosovë Filip Kosnet i cili deklaroj: ‘’mbani mend këtë qe po e shkruaj dhe them! Serbia është pro Ruse dhe kështu do të mbetet’’. Këtë që e tha Kosnet u vërtetua në demonstratën e organizuar të premten me 4 Mars në Beograd në kryeqytetin e Serbisë. Këto demonstrata ishin të orientuara kundër Evropës dhe Amerikës e në përkrahje të Rusisë dhe Vladimir Putinit në okupimin e Ukrainës. Në këto demonstrata morën pjesë me mija qytetarë të Serbisë duke bartur flamuj të Rusisë dhjetëra metra të gjatë dhe me fotografi të Putinit e duke i thurur lavdi fashistit të kohërave tona pra Putinit. Këta demonstrues i kërkonin Putinit qe të iu ndihmojë për botën serbe që do te thotë të iu ndihmojë për formimin e Serbisë së madhe duke përfshirë Kosovën, Malin e Zi dhe Republika Srpskën në të. Prapa këtyre demonstruesve dhe kërkesave të tyre qëndron presidenti i Serbisë miku më i ngushtë i Edi Ramës Aleksandar Vuqiq. Vuqiq si Milosheviq në kohën e tij deklaron se do ti mbrojë serbët kudo që janë edhe pse asnjë prej tyre nuk është i sulmuar apo rrezikuar as në Kosovë, Mal të Zi apo Bosnje.

Të njëjtat deklarata i bënte Vladimir Putin për pakicat ruse duke filluar nga Abhazija, Osetia, Krimeja, Donjesku e LLuganski si pretekst për të ndërhyrë në këto territore të cilat tani janë të okupuara nga Rusia. Pra u pa qartë se qëllimi nuk ishte për t’i mbrojtur këto pakica ruse, por për t’i destabilizuar këto shtete dhe për ti okupuar këto pjesë të cekura më lartë duke i shpallur si shtete e duke iu pranuar mëvetësinë apo pavarësinë e tyre ndaj shtetit amë. Putin tani si duket po e përsërit veprimin e Stalinit para fillimit të Luftës së Dytë Botërore ku ukrainasve iu kishte plaçkitur e marrë të gjithë ushqimin dhe bagëtinë, duke i lënë pa kurrfarë ushqimi ku si pasojë e kësaj nga uria kishin vdekur me miliona ukrainas, dhe nga këtu e ka burimin edhe urrejtja e ukrainasve ndaj rusëve. Tani Putin nuk po lejon hapjen e korridoreve humanitare për distribuimin e ushqimit duke lënë pjesë të okupuara pa ushqim dhe siç po duket shumë ukrainas do të vdesin nga uria por edhe të ftohtit, sepse rusët para dy ditëve morën nën kontroll centralet atomike që e furnizojnë Ukrainën me rrymë.

Nëse Rusia me Putinin në krye nuk ndalet me forcë ( sepse Putin e njeh vetëm forcën) në Ukrainë atëherë janë të rrezikuara të gjitha ish Republikat e Bashkimit Sovjetik, tani shtete të pamvarura por në shumicën tyre kufijtë e jashtëm i ruan ushtria ruse.

Kur jemi te Ukraina dhe fashizmi Ukrainës të cilin kinse po lufton Putini me qëllim të denazifikimit, këtu kemi të bëjmë me një mashtrim të opinionit botëror dhe shtrembërimin e së vërtetës dhe vetvetiu shtrohet pyetja si mund të jetë kryetar i një shteti fashist një njeri që ka deklaruar vetë se është me prejardhje hebreje siç është Volodimir Zelenski.

Votimi i Serbisë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara për ta dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, është një mashtrim sepse këtë Rezolutë Serbia e përkrahu pjesërisht duke mos përkrahur sankcionet kundër Putinit dhe udhëheqësve tjerë rusë. Këtë duhet ta ketë në dijeni Amerika dhe Evropa sepse qëllimi i Serbisë ishte që formalisht të përkrahë një pjesë të kësaj Rezolute në mënyrë që mos ti ndërpriten fondet e majme që i merr nga BE-ja dhe nga Fondi MCCC amerikan, selinë e të cilit Amerika dikur me Grenellin e kishin vendosur në Beograd. Tani ka ardhur koha që kjo seli të bartet nga Beogradi në ndonjë qytet tjetër e më së miri në Prishtinë.

Këtu habit fakti se si Edi Rama me entuziazëm të jashtëzakonshëm e komenton dhe e përkrahë një vendim gjysmak të Serbisë në Kuvendin e OKB-së sikur ky te ishte një vendim i pranimit të Kosovës nga ana e Serbisë. Është koha fundit qe Edi Rama të distancohet nga Vuqiq dhe shteti i tij fashist Serbia e cila i mohon masakrat dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptarë . Edi Rama duhet të largohet nga nisma ruso-serbe Open Ballkan sepse kundër këtij projekti janë shumica e shqiptarëve kudo që janë. Nëse Edi Rama këmbëngulë në këtë projekt, atëherë rrezikohet e ardhmja e Kosovës por edhe gjithë shqiptarisë. Unë them se kur një udhëheqës shteti i shkel interesat kombëtare dhe i nëpërkëmbë ato e detyrë e ka që ti mbrojë e ti ruajë si gjerat më të shenjta, atëherë është detyrë e shenjtë e popullit që punët ti marrë në duart e veta dhe të mbrojë shtetin dhe interesat kombëtare nga TRADHTARËT.

Derisa Serbia nuk distancohet nga e kaluara e sajë dhe nuk i pranon krimet e kryera, nuk mund të llogaritë në ndonjë të ardhme asnjëherë dhe do të mbetet ashtu si është nacionaliste , fashiste bashkë me Bjellorusinë si pjesë e Rusisë vlerat e të cilave i ndajnë bashkë. Rusia është duke i vendosur raketat bërthamore balistike në Bjellorusi e këtë e planifikon të e bëjë edhe në Serbi gjë të cilën serbët do ta prisnin me entuziazëm të jashtëzakonshëm. Një gjë të tillë besoj se Perëndimi dhe Amerika me siguri nuk do ta lejojnë sepse Serbia në të gjitha anët është e rrethuar nga shtetet anëtare të NATO’ s.

Kërcënimet që vijnë nga Rusia për DESTABILIZIMIN E Ballkanit perëndimor nuk duhet nënçmuar sepse njërin nga përkrahësit më të mëdhenj të Rusisë, Serbinë e kemi fqinj. Për këtë shkak duhet të përkrahet vendimi i Qeveris së Kosovës për Fondin e Sigurisë. Këtë fond duhet ta përkrahin të gjithë shqiptarët kudo që janë sepse e forcon pavarësinë dhe shtetin e Kosovës duke rritur aftësinë mbrojtëse të Ushtrisë sonë. Ky fond nuk do të jetë si fondet e tre përqindëshit apo vendlindja thërret, fonde qe u keqmenaxhuan, u keqpërdoren e u vodhën masivisht nga ata që duhej dhe ishin të obliguar që këto fonde të i orientonin për luftë e në të mirë të popullit e jo duke i plaçkitur e mbushur gjepat e vet. Për të gjitha mjetet që grumbullohen në Fondin e Sigurisë, do të dihet kah kanë shkuar dhe si janë shpenzuar deri në centin e fundit. Tani na paraqiten disa matrapazë të dyshimtë të cilët këtë fond e quajnë lëmosh e ata që e iniciuan lypsarë. Këtu duhet cekur pa kurrfarë rezerve se këta njerëz që deklarojnë kështu janë të dyshimtë dhe me deklarimet e tilla i bashkëngjiten Serbisë e cila është kategorike kundër forcimit të Ushtrisë së Kosovës dhe armatimit të saj. Qeveria duhet të gjejë edhe burime shtesë për këtë Fond duke e pajisur Ushtrinë tonë me raketa Jawelin dhe Stinger të prodhimit amerikan pa marrë parasysh çmimin që i ofrohet. Sot Ukraina po vuan për shkak të armatimit jo të mjaftueshëm , kurse Perëndimi më herët hezitonte për ta furnizuar me armatim bashkëkohorë dhe te sofistikuar. Po të kishte mjaftë armë Ukraina, Putini nuk do të kishte guximin ta sulmonte.

Është për tu çuditur deklarata e zotit Eskobar i cili deklaroi para disa dite për Asociacionin e komunave serbe duke kërkuar kompromis nga Kosova për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Zoti Eskobar sigurisht se i din me mirë se unë këto qe i ceka më lartë. Serbia është orientuar definitivisht kah Lindja, Rusia dhe Kina dhe kjo është rruga që e ka zgjedhur dhe nuk mund ta ndryshoni pa marrë parasysh se çfarë oferte i bëni Serbisë. Zoti Eskobar nuk e di se a e keni lexuar pakon e Ahtisarit dhe çfarë të drejtash me Kushtetutën e Kosovës iu janë dhënë serbëve të Kosovës ? Unë mund të them këtu duke i analizuar shumë Kushtetuta të shteteve Evropiane se të drejtat qe i gëzon pakica serbe në Kosovë, nuk i gëzon asnjë pakicë në shtetet e Evropës. Zoti Eskobar ju duhet me këmbëngulje të insistoni që katër shtetet të Evropës dhe anëtare të NATO’ s ( Spanja , Greqia, Rumunia dhe Sllovakia ) ta njohin pavarësinë e Kosovës. Këtë pavarësi siç e dini e vulosi GJND-ja dhe pranimi nga këto katër shtete do të iu lehtësonte edhe juve punën që jeni duke bërë dhe do të stabilizonte këtë pjesë të Ballkanit kurse Kosovës do ti hapte rrugën për anëtarësim në BE e sidomos në NATO.

Bindja ime është se çfarëdo lëshimi që i bëhet në Kosovë Vuqiqit ai nuk do ta nënshkruaj marrëveshjen për pavarësinë e Kosovës sepse këtë nuk e lejon Putini dhe këtu përfundon i gjithë mundi i juaj për të shtyrë Serbinë që të pranojë pavarësinë e Kosovës.

Vetëm atëherë kur Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës ne mund të ulemi e të bisedojmë jo që të kënaqim Serbinë, por si ta përmirësojmë jetën e qytetarëve serb në Kosovë e në të kundërtën nuk kemi nevojë të bisedojmë me Serbinë për organizimin e brendshëm të Kosovës sepse shumë kemi vuajtur nga Serbia.

Fatkeqësi historike ka qenë dhe është për popujt që historikisht janë kufizuar me Rusinë dhe Serbinë. Serbia është arnuar dhe formuar si shtet me ndihmën e Rusisë duke grabitur territore të popujve fqinj, e si të tillë më së shumti kemi pësuar ne shqiptarët. Serbia duke vrarë me qindra mija shqiptarë e duke bërë spastrim etnik të shqiptarëve është zgjeruar në tokat shqiptare sa dy Kosova të sotme.

Serbia e ka zgjedhur lindjen pra Rusinë dhe Kinën, dhe këto janë zgjedhje të saj dhe popullit të sajë, sepse për zot shtëpie në shtëpinë e tyre e kanë zgjedhur Putinin.

Kosova e ka zgjedhur rrugën kah Perëndimi dhe miqësi te përjetshme me Amerikën.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

OBSH: Sulmet në spitalet e Ukrainës po shtohen ndjeshëm

Story i radhës

Konferenca me traditë 40 vjeçare Podim thirrje startupeve të Evropës Juglindore

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish