Rrugëtimi politik dhe shtetëror i Serbisë nga afrikanizimi drejt bosnjëzimit duhet të përfundojë me skandinavizim që të ketë paqe e qetësi në Ballkan

Serbia gjithmonë në aksion dhe sulm permanent ekspansionist të hegjemonizmit të vetë. Në pyetjen që Serbia i parashtron vedit se “Përse Serbia në luftë gjithmonë fiton, kurse në paqe humb ?” duke kritikuar me ironi akterët kryesor të paqes, indirekt më së miri shihet se Serbia përpos faktit se shkelë të gjitha normat dhe konventat paqësore ndërkombëtare ajo është e interesuar për kriza dhe luftë sepse në luftë e shef dobinë e hegjemonizmit vetë.

Që nga shkatërrimi i Perandorisë Otomane shtetet e Ballkanit janë në konflikt apo luftë në mes veti, ku Serbia është gjithmonë protagoniste e këtyre luftërave. Luftërat ballkanike të fillimshekullit dhe ato të fundshekullit kaluar më së miri e pasqyrojnë marrëdhënien në mes shteteve të Ballkanit. Serbia për qëllime ekspansioniste ka kryer vrasje, terror e gjenocid të pa parë ndaj shqiptarëve dhe ka bërë pastrim të dhunshëm etnik (pjesë nga definicioni ndërkombëtar: edhe “pastrimi i dhunshëm etnik është gjenocid”) e shpërngulje të shqiptarëve nga vatrat e veta etnike prej kufirit jugor të Pashallëkut të Beogradit (1791) e kah jugu deri te kufiri verior i Kosovës, duke i okupuar ato territore të shqiptarëve autokton dhe duke kolonizuar Kosovën në ekspansionizmin e dhunshëm të vetë (Djordje Krstic. “Kolonizacija u juznoj Srbiji”, Sarajevo, 1928). Krahas okupimit Serbia ka zhvilluar edhe marrëdhënie të egra e koloniale duke e eksploatuar tërë pasuritë e Kosovës.

Afrika zakonisht merret si simbol i kolonializmit dhe i eksploatimit të egër të pasurive nëntokësore nga të huajt. Vërehen këto dy fakte të këqija historike: Kosova ishte i vetmi vend në Europë i kolonizuar (kuptohet, nga Serbia). Kurse Serbia është treguar, prapë në rekordin e vetë (të dytë), si i vetmi shtet në Europë kolonizues brenda kontinentit vetë. E frymëzuar nga kolonializmi në Afrikë, ka përdorur Serbia të njëjta metoda dhe ka afrikanizuar Kosovën duke eksploatuar të gjitha pasuritë tokësore e nëntokësore të Kosovës. Derisa kolonizuesit tjerë kishin kolonizuar shtete në kontinente tjera, Serbia nuk e kishte marr atë “mund” por kishte kolonizuar hiç më larg se fqiun e vetë, shqiptarët.

Por në fundshekullin e kaluar, pas periudhës së terrorit, vrasjeve dhe gjenocidit e dëbimit të shqiptareve autokton nga trojet etnike, në saje të luftës çlirimtare e heroike të popullit shqiptarë dhe UCK dhe me ndihmen e NATO-s Kosova me shumë viktima njerëzore dhe materiale është çliruar nga Serbia. Që nga viti 2008 Kosova është e pavarur dhe shtet sovran e konfirmuar edhe nga GJND-ja në Hagë. Shteti i Kosovës pakicave etnike, duke përfshirë këtu edhe serbët, u garanton të gjitha të drejtat sipas standardeve më të larta në botë. Madje kur është në pyetje pakica etnike serbe të drejtat e garantuara janë përtej atyre standardeve.

Ndërkaq, Serbia prapëseprapë është e pakënaqur. Serbia kërkon territore. Dhe tani ka zbuluar një truk tjetër të ekspansionizmit territorial, të fshehët dyfazor, dhe kërkon formimin e bashkësisë (“zajednica”) të komunave me shumicë serbe në Kosovë, edhepse Kosova është shtet multietnik dhe nuk ka organizma të tillë njëetnik. Një asociacion i tillë, po të është me kompetenca ekzekutive, siç synon Serbia, do të thoshte shtet në shtet të Kosovës dhe federalizim të Kosovës nga dy entitete. Ndërkaq, përpos faktit se një federalizëm i tillë do të ishte absurd dhe nuk ka baza ligjore, e tërë bota e din mirë se dy federatat e njëpasnjëshme në ish Jugosllavi (RSFJ dhe RSJ) kanë çuar deri në luftëra të ashpra, në tragjedi dhe gjakderdhje ose tensione të vazhdueshme, dhe ishin pikërisht federalizmat ato që kanë shpie deri te ato gjakderdhje. Në fund definitivisht u shkatërruan ato federalizma. U tregua se federalizmat janë histori tragjike në Ballkan.

Ky akt federalizimi i ri që tani e synon Serbia nuk ka baza ligjore dhe do të ishte shkelje e rëndë dhe në kundërshtim themelor me Kushtetutën e Kosovës sipas të cilës Kosova është shtet unitar, i pranuar nga më shumë se 140 shtete të OKB. Një asociacion i tillë i komunave me shumicë serbe, i kërkuar nga Serbia, para se Serbia ta pranon Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, vetvetiu lind dyshimin e bazuar se Serbia për atë asociacion synon kompetenca ekzekutive, dhe se ky është qëllimi primar i saj.

Në këtë mënyrë Serbia, meqë ka humbur marrëdhëniet koloniale ndaj Kosovës për shkak të çlirimit të Kosovës, përpiqet afrikanizimin e mëhershëm ta zëvendësojë tani me bosnjëzim të Kosovës nëpërmjet të asociacionit me kompetenca ekzekutive. Kurse Presidenti i Serbisë, Vuçiqi, duke qenë i vetëdijshëm se tani nuk mund të ketë riokupim dhe rikolonizim me forcë të Kosovës bënë përcaktim të ri dhe dëshiron ekspansionizmin ta fshehë dhe ta zhvillojë në dy faza. Sa për fillim, në fazën e parë, përpiqet të krijojë “zajednicën” dhe pastaj, në fazën e dytë, shkëputjën e asaj “zajednice” nga Kosova për t´ia bashkangjitur Serbisë. Këtu për Serbinë shihet roli e rëndësia e “zajednicës” me kompetenca ekzekutive si instrument për ekspansionizmin e Serbisë. Prej këndej ajo deklarata e Vuçiqit se barrikadat do të hiqen kur formohet, siç e quan ai qëllimisht gabueshëm, “Asociacioni i komunave serbe”, edhepse mendohet në Asociacionin e komunave ME SHUMICË serbe. Shihet po ashtu se çfarë gabimi i madh e i pafalshëm i Qeverisë Kosovës do të ishte nëse e pranon një asociacion të tillë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Dihet se asnjë kryeimam, asnjë pop, asnjë prift, apo edhe as vetë Papa, si dhe asnjë mexhlis apo sinod kishtar, nuk mund të ngritën mbi Kuranin dhe mbi Biblën e ta shkelë atë, sepse ajo do të ishte herezi, sikur që dihet se asnjë kryeministër, asnjë president, asnjë qeveri apo institucion shtetëror, nuk mund të ngritet mbi Kushtetutën dhe ta shkelë atë, sepse ajo do të ishte qeveri kuislinge. Ose në shembullin tjetër edhe më të thjeshtë aksiomatik nga mjekësia (shembull tepër i thjeshtë për Borellin – i njohur për deklaratën e tij “Pacta sunt servanda”, dhe Lajçakun, të dytë Përfaqësues të Lartë të BE), kur mjeku aktual kinse duhet patjetër ta zbatojë dhe ta vazhdojë atë terapi të cilën e ka ordinuar (pseudo-) mjeku paraprak, edhe poqese ajo terapi është kryekëput në kundërshtim me shkencën e mjekësisë. Ky do të ishte një krim, duke filluar nga përgjegjësia ndaj Betimit të Hipokratit dhe më tutje ndaj çfarëdo betimi që qëllim ka pacientin e shëndosh dhe shoqërinë e shëndosh.

Borelli është i njohur me deklaratën e tij “Pacta sunt servanda” (“Marrëveshjet duhet të mbahen”), që ka më tepër të bëjë me tregti dhe obligim nga kontrata për individët apo ndërmarrjet që kanë nënshkruar marrëveshjen dhe implikimet që sjellë shkelja e asaj marrëveshje (sepse ato raste nuk kanë “Kushtetutë” përmbi kokë dhe përgjegjësi respektive), por jo edhe për qeveritë që shkelin Kushtetutën e cila qëndron fuqishëm dhe paluhatshëm “mbi kokë” të çdo qeverie. Obligimi i një qeverie për respektimin e Kushtetutës është aksiomë, dhe qeveria aktuale mbanë vetë përgjegjësi pavarësisht se a e ka, dhe sa e ka respektuar Kushtetutën qeveria paraprake. Betimi i çdo qeverie të re bëhet para Librit Kushtetues dhe jo para qeverisë në largim.

Në atë “zajednica” kundërkushtetuese (Kushtetuta shkelët në 23 nene) që ëndërron Vuçiq, përpos defektit politik e konstitucional njëetnik, ekziston edhe defekti tjetër, i dytë, po aq defekt esencial. Ky është defekti i kompaktësisë gjeografike e territoriale. Respektivisht, ajo “zajednica” do të shtrihej në tri pjesë hapësinore të Kosovës si miniterritore, plotësisht të ndara dhe, si miniterritore, shumë të largëta në mes vedi dhe nuk do të paraqitnin tërësi kompakte gjeografike e territoriale. Madje dy prej këtyre miniterritoreve janë në distancën ekstreme, njëra në pikën më veriore dhe tjetra në pikën më jugore të Kosovës. Në atë pasqyrim dhe ne ato distanca të ndara këto miniterritore mund të komunikonin në mes vedi dhe të kenë lidhje vetëm “me korrespondencë” dhe kështu Vuçiqi mendon të bashkon “botën serbe”. Shembull i tillë analog i ndonjë bashkësie me atë distribucion territorial absurd e me kompetenca ekzekutive nuk ekziston fare në Europë apo diku tjetër në botë. Një praktikë e tillë do të shtynte të gjitha shtetet të luftojnë në mes vedi, në një çmenduri tragjike luftarake “secili kundër secilit”, sepse nuk ka shtete pa pakica etnike. Madje edhe vetë Sërbia i ka myslimanët në Sanxhak dhe hungarezët në Vojvodinë.

Tani Serbia territorialisht, nga dikur Pashalluku i Beogradit, në ekspansionin e vetë me gjenocid, dhunë e terror ndaj shqiptarëve, e zmadhuar sa edhe për tri Kosova, në dëm të shqiptarëve autokton, ka zbritur me gjenocid në jug, në kufi me Kosovën, pikërisht deri te Trepça dhe Ujmani, ku e ka synimin kryesor të vetë, pikërisht te bërthama e pasurisë së Kosovës (në popull sarkazma: ” Serbia e konsideron Trepçën manastirin më të madh”). Duke ëndërruar pasurim nëpërmjet rikolonizimit dhe ekspansionizmit tani Serbia harxhon para të mëdha në blerje të armëve dhe kërcënon me luftë. Shpenzimet nga lufta i konsideron shumë më të vogla se sa përfitimi nga riokupimi.

Ndërkaq në pjesën tjetër të Europës, në veri, në Skandinavi, deri para vitit 1905 suedezët dhe norvegjezët jetonin në një shtet të përbashkët. Por norvegjezët vendosën në mënyrë të njëanshme të mos jetojnë më bashkërisht dhe kërkuan ndarje të qetë. Suedia, edhe atëherë në nivelin e vetë të lartë kulturor dhe human e frymën dhe botëkuptimin e vetë demokratik, e respektoi vullnetin e tyre dhe e pranoi ndarjen dhe më 1905 u ndanë në mënyrë të qetë si dy shtete të pavarura. Që nga ajo ndarje Suedia dhe Norvegjia kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe bashkëpunojnë në mes veti dhe gëzojnë respekt të madh dhe nderim në botë dhe madje merren si shembull në botë i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit.

Pikërisht nga ky shembull skandinav u frymëzua presidenti Vaclav Havel (1936 – 2011), shkrimtar, nga disidenti në president, kur nga shteti federal dhe politikisht i trazuar i Çekosllovakisë, më 1993 arriti si President që të krijohen në mënyrë të qetë e paqësore dy shtete të pavarura që sot janë Çekia dhe Sllovakia. Sot atje është paqe e përhershme, dhe është evituar gjakderdhja. Këto dy shtete të krijuara e morën si pikënisje dhe shembull pikërisht Skandinavinë e vitit 1905 dhe sot edhe vetë këto janë bërë shembull tjetër botëror i ndërtimit të paqes.

edhe Ballkani, dhe brenda tij Serbia, me vonesë më shumë se një shekull, sipas shembujve të dëshmuar historikisht, por me një mendësi të re demokratike, duhet të skandinavizohet në mënyrë që shtetet e kombet e Ballkanit të jetojnë në paqe, siguri, mirëkuptim dhe të bashkëpunojnë më mes veti. Por, Vuçiq tregohet i humbur në kohë dhe në hapësirë (viti 1905 i largët më shumë se një shekull, si dhe Europa është tjetër hapësirë dhe nuk është Afrikë) dhe i shikon gjërat po nga ajo prizmë e tij. Gadishulli ballkanik duhet ta merr si shembull pikërisht gadishullin skandinav si zgjidhje të vetme që siguron paqe dhe qetësi të përhershme në rajon. Këtë e ka dëshmuar historia. Zgjidhjet tjera nuk ofrojnë paqe dhe domosdo çojnë dhe riciklojnë konflikte të reja.

Kuptohet se është iluzore të mendohet se Serbia, në mendësinë e përforcuar hegjemoniste dhe ekspansioniste të vjetër të saj, të trashëguar që nga Pashallëku i Beogradit, që me gjenocid ka zbritur deri te veriu i Kosovës, do të heq dorë vetvetiu dhe në mënyrë spontane nga euforia e ekspansionizmit të vetë shekullor dhe apetitet eksploatuese që sjellë ai. Prandaj duhet një mendësi e re demokratike në Serbi. Vuçiqi paraqet rrezik për hapa joracional dhe rrezik për paqe. Por, nga ana tjetër po aq reale është edhe bindja për reagimin e vendosur dhe të fortë e kategorik të faktorit ndërkombëtar nga vetëdijesimi i këtij faktori dhe historia tragjike e praktika në të kaluarën, se Serbia në sulmin okupues të vetë si kundërpërgjigje njeh vetëm forcën. Shtetet perëndimore në Europë po ashtu kanë bërë të kuptohet faktin tepër me rëndësi se në Ballkan mbrohet Mesdheu. Ëndërr e përhershme e Rusisë ka qenë dhe mbetët “të rrëshqet” në Mesdhe. Prandaj nga lufta në Ballkan rrezikohet vetë Europa dhe paqe botërore. Këtë mësim nuk guxon ta harrojë jo vetëm Serbia e Vuçiqit, e cila Kosovën e kërcënon me polici e ushtri dhe me luftë të re, duke llogaritur në përkrahje nga Rusia, por nuk guxon ta harrojë askush që dëshiron të mos përsëritet historia. E nesërmja përcaktohet sot. Të bëhet Europa e mirë nga të gjithë dhe për të gjithë.

 

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

Story i mëparshëm

Haki Abazi kritika Qeverisë Kurti për Strategjinë për Energjinë: Çon te dështimi

Story i radhës

​Oficerë të rangut të lartë u drejtohen ushtarakëve bullgarë jashtë vendit

Të fundit nga