“Mu deshtë me paguar injeksionin 1 euro, nuk e di se në atë ambulantë jonë në qendër atje e kemi 0.30 cent, kontrolla është 1 euro, 0.30 cent e kemi injeksionin”, tha pacientja, Xhevahire Maqestena.
E për kontrollën që bëri, ajo pagoi 5 euro.
Kjo pasi vizitën e kreu në shtëpinë e shëndetit që nuk i takon lagjes së saj.
“E pata një keqësim të gjendjes bajagi keq dhe mu deshtë me ardh këtu meqë e kisha afër këtu prej punës që erdha ambulanten edhe pritja katastrofë. E mori letërnjoftimin e shtinë në kompjuter edhe thotë ti nuk i përket kësaj lagjes duhet me shkuar në qendër, në çfarë gjendje isha unë me marramendje me tension me të gjitha edhe në fund më thotë atje ose paguaj 5 euro. Kjo është e tmerrshme 5 euro me paguar që nuk jam banore e kësaj lagjeje”, tha ajo.
E mllefosur me ndryshimet në çmime është edhe kjo qytetare.
“S’di çka janë tu bo këta udhëheqës me këtë fukarallëk”, tha pacientja tjetër, Pashkë Berisha.
Por nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë thonë se kjo nuk është një rritje.
Sipas drejtorit të QKMF-së, Bujar Gashi është mirë që udhëzimi administrativ është përditësuar, pasi deri tani në fuqi ka qenë ai i vitit 2006.
“Ka disa shërbime që janë eleminuar prej pagesave, psh. EGK ka qenë si një shërbim i veçantë që është paguar, tash nuk paguhet. Injeksionet kanë qenë 30 cent, kanë kaluar në 1 euro. Janë disa ndryshime të vogla që nuk qojnë shumë peshë, tu marrë parasysh që një pjesë e madhe e qytetarëve janë të liruar prej pagesave”, tha drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi.
Udhëzimi administrativ i përditësuar ka filluar të zbatohet tash e dy javë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet.
Burimi: botasot.info