Rrëzohen akuzat për ngasje në gjendje të dehur ndaj Bruce Springsteenit

Qeveria i ka hedhur poshtë të enjten akuzat e ngritura ndaj Bruce Springsteenit për ngasje në gjendje të dehur dhe të pakujdesshme, duke bërë të ditur se niveli i alkoolit në gjakun e rokerit të njohur ishte aq i ulët saqë nuk i ka justifikuar akuzat.

Ndërkaq Springsteen është shpallur fajtor për akuzën e tretë lidhur me konsumimin e alkoolit në një hapësirë të mbyllur, në Gateway National Recreation Area.

Duke u paraqitur para një trupi gjykues dhe më shumë se 100 vëzhguesve me anë të videolidhjes, Springsteen ishte ulur afër avokatit Mitchell Ansell dhe ka pranuar se ishte në dijeni që konsumimi i alkoolit në park është i jashtëligjshëm.

“Kisha pirë dy shotsa me tekila”, ka thënë Springsteen, kur u është përgjigjur pyetjeve nga një asistent i përfaqësuesve ligjorë të Shteteve Bashkuara të Amerikës.

Gjykatësi amerikan, Anthony Mautone, e ka dënuar Springsteenin me gjobë prej 500 dollarësh dhe 40 dollarë shtesë për pagesë të gjyqit.

“Mendoj se mund ta paguaj menjëherë, i nderuari gjykatës”, i ka thënë Springsteen gjykatësit Mautone.

Sipas një dokumenti të përpiluar nga policia e parkut, Springsteen i kishte thënë policit në park se kishte pirë dy shotsa para 20 minutash, por nuk do ta bënte testin e alkoolit para se të arrestohej.

Kur e kishte bërë testin në stacion, niveli i alkoolit në gjak ishte 02, çereku i kufizimit ligjor në New Jersey.

Në raport përshkruhet se si ai kundërmonte shumë prej alkoolit dhe nuk kishte ekuilibër gjatë testimit.

Përfaqësuesi ligjor i Springsteenit, Mitchell Ansell, ka lëshuar një komunikatë, në të cilën thuhet se Springsteen është i kënaqur me rezultatin e paraqitjes në gjyq.

“Prokurori nuk ka qenë në gjendje për t’i siguruar dëshmitë e nevojshme dhe faktet, siç edhe ka dyshuar, për akuzën për ngasje nën ndikim dhe ngasje të pakujdesshme dhe për këtë arsye i ka hedhur poshtë të dy akuzat. Springsteen, që nuk ka kurrfarë të kaluare kriminale të çfarëdo lloji, vullnetarisht është shpallur fajtor se e ka thyer rregullin e konsumimit të alkoolit në një zonë të ndaluar, duke e pranuar gjobën prej 500 dollarësh. Duam ta falënderojmë gjykatën dhe nuk do të flasim më shumë rreth kësaj tani”, ka shkruar avokati Ansell.

Springsteen kishte performuar më 20 janar, si pjesë e inaugurimit të Joe Bidenit si president, me këngën “Land of Hope and Dreams” përpara “Lincoln Memorial”.

Ngjarja paraprake

Ancelotti zbulon ëndrrën

Ngjarja e ardhëshme

SHBA, zhduket gripi mes pandemisë së COVID-19-s

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian