Rrëfim nga kujtesa fëmijërore- 22 vjet nga Masakra e Belegut

(I mbijetuar i Masakrës së Belegut, autor i dy librave për masakrën)

Masakra e
Belegut 29 mars 1999

Ndonëse kanë kaluar më
shumë se dy dekada nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, memoria ime
ka ngelur e freskët, ende e qartë si kristali i një fëmije që sapo kishte
mbushur 9 vjet. Ende në shiritin e kujtesës sime më rrëshqasin natyrshëm ato
skena vuajtjesh, maltretimesh, frikë nga e panjohura, se po vriteshim tash a
tash.

Sa herë që vjen 29
marsi, dhe jo vetëm, unë kthehem në marsin e vitit 1999, në vitin e rëndë të
vrasjeve, torturave, masakrave deri në shfarosje totale, por edhe të kthesës së
madhe të shqiptarëve për fitoren e luftës për liri. Kthehem dhe shndërrohem në
Endritin 9 vjeçar, në Belegun e djegur e të shkatërruar, në Kosovën e kapluar më
flakë e erë gjaku të njomë.

E kujtoj si sot, ishte
ditë e hënë marsi, pranvera kishte lëshuar rrënjë, pemët kishin filluar të çelnin
sythet e tyre, fushat dhe kodrinat po rinoheshin me petkun e gjelbëruar. Por,
vetëm qielli nuk ishte në sinkron me token. Ai po shfaqej i zymtë, retë e zeza
e kishin pushtuar vendin tim, kukuvajkat po paralajmëronin tragjedinë e madhe.
Dita e 29 marsit 1999 ishte kobshme për vendlindjen time, si fëmijë atëbotë e
them pa modesti më bëhej sikur e kisha mposhtur frikën, me siguri qe po, e
kisha mposhtur, krismat e plumbave dhe gjëmimet e topave ishin bërë tinguj të zakonshëm
për veshin tim, tanket dhe autoblindat e paramilitarëve me helmeta ishin bërë
pamje e përditshme e syve të mi.

E kujtoj futjen e
policisë brenda oborrit të shtëpisë sime, pushtimin e tij nga paramilitarë serb
me tyta armesh mbi civilë shqiptarë që të vetmin mëkat që kishin bërë ishte se
po jetonin në tokën e paraardhëseve të 
tyre që kishin jetuar brez pas brezi këtu, në atdheun tonë autokton. Të
hutuar e në ankth, na mblodhën të gjithë, u nisëm në karvanin e pa kthim drejt
qendrës së fshatit, duke ecur rrugës, një autoblind na printe e ne ishin në mes,
anash ecnin në këmbë me armë të gjata ushtarët serbë të armatosur deri në dhëmb,
ndërsa në fund të kolonës qëndronte edhe autoblinda tjetër, si për ta siguruar
rrugën se tufa e shqiptarëve civil që po shkonte drejt ferrit, të mbërrinte e sigurt
atje. Rrugës në asnjë moment nuk ia lëshova dorën nënës sime, e cila tashmë
kishte barrë të rëndë të kujdesej për mua dhe motrën, babai nuk e dinin se çfarë
i kishte ndodhur, siç nuk do ta dinim deri në qershorin e vitit 1999, e
mendonim si të vdekur, ashtu siç na vinin lajmet në Shkodër, ku qëndrova me
familje për tre muaj si refugjat. Rrugëtimi i ferrit nga shtëpia deri në vendin
e grumbullimit në qendër të fshatit, ishte i tmerrshëm, çdo gjë po digjej,
qiellin e atij muzgu tragjik po e ndriçonin flakët e shtëpive që po digjeshin në
çdo skaj të rrugës kafshë të ngordhura, kukama e dënesje nënash, në prani të
familjes kishin pushkatuar në pragun e shtëpisë, Naim e Nezir Vishajn, po ashtu
edhe profesor Daut Aliçkajn. Tmerri i vërtetë kishe filluar.

Të hutuar dhe në ankth,
policia dhe ushtria serbe kishin filluar aksionin e plaçkitjes, torturës dhe maltretimit
të banorëve jo vetëm të Belegut por edhe të fshatrave tjera që lufta i kishte
degdisur për ato momente në Beleg. Atë natë marsi, burrat u ndanë nga gratë dhe
fëmijët. Në çdo moment pritej pushkatimi dhe therja jonë, nuk ndodhi atë natë,
sikur ishte vullnet nga Zoti që ne fëmijët dhe gratë të shpëtonim, për ta
treguar e rrëfyer vuajtjen tonë për liri, por nga pushkatimi nga paramilitarët
serbë nuk shpëtuan 46 burra që nga mosha 16 vjeçare e deri tek pleq të shtyrë
në moshë.

Në mëngjesin e 30
marsit, filloj eksodi i madh për në Shqipëri, në rrugën pa kthim. Ishte momenti
i fundit kur fëmijët po i shikonin fytyrat e baballarëve të tyre, çast i
trishtueshëm kur nënat po merrnin mallin me veti për bijtë e tyre që nuk do t’i
takonin kurrë. Momente prekëse që i kisha përjetuar si fëmijë, është shumë e
vështirë të gjesh ndonjë përshkrim adekuat të asaj ndjesie, e dhimbshme, e
tmerrshme sa që edhe lotët ishin shterur e zëri kishte ndërruar tonalitetin,
nuk mund as të bërtisje.

Në natën e 29 marsit, për të vazhduar edhe më 30 mars 1999, ishin ndaluar
nga forcat serbe 46 burra për t’u ekzekutuar më pas, jo vetëm banorë të fshatit
Beleg por dhe të fshatrave tjera përreth që lufta i kishte zënë aty atë ditë
marsi.

Ky është
një përshkrim i shkurtër i gërmuar thellë nga kujtesa e një fëmije që sapo
kishte filluar ta jetoj pranverën e nëntë, i atij skenari të tmerrshëm të
Masakrës së Belegut, e cila llogaritet si njëra nga krimet më të llahtarshme të
regjimit serb në luftën e fundit në Kosovë.

Nga 46 të
ekzekutuarit në këtë masakër deri më tani janë identifikuar vetëm 12 trupa,
ndërsa pjesa dërmuese, pra 34 mbesin ende të zhdukur. Ndonëse dihen autorët e
krimit të cilët i kam dokumentuar në dy librat e mi për këtë masakër, përsëri
drejtësia vendore e sidomos ajo ndërkombëtare nuk kanë bërë asgjë në zbardhjen
dhe dënimin e merituar për autorët e këtij krimi makabër.

Dëshmitarët
e Masakrës së Belegut, disa herë i kanë deponuar dëshmitë dhe faktet e tyre në
Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende nuk ka ndonjë proces
gjyqësor ndaj kriminelëve që vranë, masakruan dhe torturuan banorët e fshatit
Beleg.

Sot, 22
vjet nga momenti i ndodhjes së Masakrës së Belegut, familjarët, të afërmit e të
ekzekutuarve në Beleg mbesin me ankth, në pritje të ndonjë lajmi për trupat e
tyre, varret kanë mbetur të hapura, me epitafe të shkruara, por mungojnë një
grusht eshtra. Kaq kërkojnë familjarët e tyre, që sadopak t’iu zbutet dhimbja,
si një vend për t’i ndje më afër, se per t’i vajtuar ata nuk e meritojnë, janë
martirë të kësaj toke të lirë.

Aktualisht
në të gjithë vendin janë të zhdukur rreth 1643 persona, Serbia e di saktë
vendndodhjen e tyre, andaj duke qenë se jemi në prag të një marrëveshje me
shtetin armik, si një i mbijetuar i masakrës dhe si qytetar i kësaj Republike
iu bëj apel dhe thirrje në emër të gjithë familjarëve që t’i bëhet presion
Serbisë për kthimin e të gjitha eshtrave të personave të zhdukur në Kosovë.

Familjarët e të rënëve jo
vetëm në Beleg por edhe në nivel të Kosovës, asnjëherë nuk do të jenë të qetë
përderisa kriminelët nuk e marrin dënimin e merituar.

Ankthin ata
e kanë bërë pjesë të jetës, tash e 22 vjet.          

Ky ankth shpresoj të mos
vazhdoj në pafundësi.

Lavdi të rënëve në Masakrën e
Belegut!

Të rënët në Masakrën e Belegut

Deri më tani nga
Masakra e Belegut janë të identifikuar këta persona:

  • Shaqë (Curr) Binakaj
  • Hysni (Curr) Binakaj
  • Nezir (Ibish)Vishaj
  • Naim (Daut) Vishaj
  • Daut (Murat) Aliçkaj
  • Gëzim (Selmon) Vishaj
  • Jetmir (Arif) Mazrekaj
  • Qazim (Osë) Hulaj
  • Sadri (Adem) Zukaj
  • SHefqet (Curr) Belegu
  • Shaban (Haxhi) Kadriaj
  • Ali (Haxhi) Kadriaj

Ndërsa, shumica e
të rënëve në këtë masakër ende nuk janë gjetur. Dhe, ende nuk dihet se KU JANË:

  • Zymer (Miftar) Binakaj
  • Brahim (Adem) Zukaj
  • Hamid (Dervish) Zukaj
  • Rexhep (Lum) Neziraj
  • Faton (Hasan) Vishaj
  • Fatmir (Halil) Vishaj
  • Ramë (Shaban) Kilaj
  • Sadri (Hajdar) Vishaj
  • Mujë (Isuf) Vishaj
  • Malë (Isuf) Vishaj
  • Zenel (Ukë) Vishaj
  • Hazir (Himë) Zukaj
  • Shaban (Ramë) Nitaj
  • Nekë (Halil) Binakaj
  • Hajdar (Hamëz) Mazrekaj
  • Ali (Avdyl) Mazrekaj
  • Bashkim (Lush) Hadergjonaj
  • Afrim (Lush) Hadergjonaj
  • Xhevdet (Bajram) Hadergjonaj
  • Muhamet (Bajram) Hadergjonaj
  • Mehmet (Halil) Tolaj
  • Xhevat (Ukë) Tolaj
  • Misin (Hajdin) Tolaj
  • Arif (Haxhi) Mazrekaj
  • Isa (Tahir) Tolaj
  • Sahit (Bekë) Mazrekaj
  • Hasan (Sahit) Mazrekaj
  • Sundim (Sahit) Mazrekaj
  • Naim (Hysen) Tolaj
  • Ragip (Osmon) Morina
  • Beqir (Idriz) Dervishaj
  • Tafë (Bekë) Dinaj
  • Smajl (Ramë) Ukëhaxhaj
  • Haxhi (Shaban) Kadriaj
Ngjarja paraprake

Takohen sot Zaev e Mickovski, diskutojnë për regjistrimin dhe Kodin zgjedhor

Ngjarja e ardhëshme

Pranvera, stina e vaksinimit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian