Rrëfehet Latif Demolli, nga jeta e gjeneratës së artë deri te gjyqtari ndërkombëtar dhe pas pensionimit 

Latif Demolli rrëfehet për karrierën e tij sportive plot 46 vite, që për një çast këto vitet e shkuara i duken sikur të futesh për dere e me dalë për dritare! Ai tregon për peripecitë e ndryshme nga boksieri i talentuar, nga jeta me gjeneratën e artë të Prishtinës dhe deri të gjyqtar ndërkombëtar, po ashtu flet edhe për jetën private.   
 
“Bota sot”: Si iu lindi dashuria për boksin?
Latif Demolli:
Dashuria ndaj boksit, gjithsesi me lindi në moshë të re, 14-vjeçare, duke i shikuar në mbrëmje meçet e Muhammad Ali, George Foremanit, Joe Frazier, Ken Norton etj.

Image

Në atëkohë kemi ndejtur deri në mëngjes duke e pritur meçin e Muhammad Ali dhe aty u dashuruam me sportin e shkathtësive bujare. Sepse jetonim me meçet e Ali dhe diskutonim me javë.

Të nesërmen, me dy komshinjtë e mi dhe shokët e klasës, vendosëm që të shkojmë e të regjistrohem në klubin e famshëm të asaj kohe, që quhej Radniçki nga Prishtina, në vitin 1974.  

Image

Pas një kohe, pas dy muajve dy shokët e mi u larguan, se iu duk sport paksa monoton e paksa i vështirë, ndërsa unë vazhdova me stërvitje dhe çdo ditë fitoja dashuri ndaj këtij sporti që kishte shikueshmëri të madhe. 

“Bota sot”: Po trajneri i juaj i parë?
Latif Demolli
: Trajneri i parë i imi ka qenë Branko Dragishiq! Fillova me meçe si juniorë qysh në moshën 15-vjeçare dhe që ishin parameçe, ku në atëkohë ishin të domosdoshme apo obligative para meçeve ekipore, që i zhvillonin klubi i seniorëve në ish Ligën e Parë të ish Jugosllavisë.

Shkollat e boksit Prishtina ka qenë ndër shkollat më të mira në ish Jugosllavi. Kemi stërvitur në palestrën e sportit, interesant ka qenë fakti se, gjatë ditës organizohej loja e Bingos, në një sallë jo të përshtatshme për stërvitje. Kjo nënkupton se kushte nuk kanë qenë të mira, te zyra e KBO Prishtina, që është edhe sot. 

“Bota sot”: Ju kujtohet meçi i parë si seniorë?
Latif Demolli:
Meçin e parë zyrtar e kam me juniorë në Kampionatin individual të Kosovës, ku u bëra kampion i Kosovës në kategorinë 63.5 kilogram.  Ishte e veçantë për mu sepse këtë suksese e arrita si debutues. Kështu kam vazhduar edhe në vitin 1976-1977, katër vite rresht kampion i Kosovës për juniorë. Në vitin 1977 mora pjesë në garën e madhe për juniorë dhe jam nënkampion i ish Jugosllavisë. Pas këtij kampionati kalova në ekipin e parë, ku trajner ishte i madhi Lah Nimani.

Image

Në ekip parë kemi dalë unë edhe Sami Buzolli. Në vitin 1978 unë dhe Sami Buzolli ftohemi për Shpresat e Olimpike të ish Jugosllavisë, dhe në të njëjtin vit morëm pjesë në turneun ndërkombëtar në Eger të Hungarisë. Po ashtu unë dhe Samiu kemi qenë në përgatitje me Shpresat Olimpike të ish Jugosllavisë për Kampionatit Botëror.

Në vitin 1979 mora ftesë për shërbimin ushtarak. Pas kthimit nga shërbimi ushtarak  prapë u kyqa në ekipin e parë të Prishtinës, deri atëherë, në vitin 1980, klubi i boksit Prishtina kishte vetëm tre tituj kampionit të ish Jugosllavisë.

Image

Kyqem në ekipin e parë, boksoj në Prokuple kundër Topliçaninit, në Prishtinë kundër Buduçnostit të Titogradit dhe në Borovë kundër Borovës, po në të njëjtin vit fitojmë edhe titullin e katërt.  Në këtë sezon e kam zëvendësuar Nazif Gashin dhe Xheko Muhoviqin.  Kështu që kam marrë pjesë për reprezentacionin e Kosovës në Beograd, Bjelinë, Zenicë, Shabac. Në Shabac ishte mbajtur turne “Dorëza e Artë”.  Vërtet ka qenë një ndjenjë e veçantë që kam kontribuar për fitimin e titullit të katërt dhe periudhë e paharrueshme sepse të jesh në mesin e kolosëve, ka qenë ëndërr e secilit sportist. Jam krenar që i takoi  gjeneratës së artë të Prishtinës.

“Bota sot”: Çfarë ishte atmosfere?
Latif Demolli:
Ka qenë atmosferë e jashtëzakonshme, një konkurrencën e fortë, me 22 milion banorë që kishte ai shtet që nuk ekziston më, posaçërisht të jesh në ekipin më të mirë në ish Jugosllavi si sot të jesh më i miri në Evropë, ngase ajo ligë ka qenë më e forta në botë.

“Bota sot”: Pas titullit të katërt ku shkoi Demolli?
Latif Demolli:
Kryesia dhe trajneri Branko Dragishiq, më sugjeruan të lajmërohem në provimet dhe seminareve për gjyqtar të boksit, që mbahej atëkohë në qytetin e Kragujevcit dhe nga Kosova kemi qenë në konkurrencë shtatë boksierë për gjyqtarë në vitin 1983. Në vitin 1984 me provime teorike dhe praktike për gjyqtar federativ kemi kaluar unë Rrustem Konjuhi dhe Bedri Doroci. Kemi filluar të ndajmë drejtësinë në ligën e dytë federative të asaj kohe.

Image

“Bota sot”: Cilat ishin arsyet që nga boksieri vendosët të bëheni gjyqtar?
Latif Demolli:
Për arsye se e kam njohur shkollën e boksit dhe rregullat e këtij sporti të shkathtësive bujare. Në vitin 1989 kam dhënë provimin për gjyqtar ndërkombëtar të klubit (KIS). 

“Bota sot”: Kur referuat për herë të parë në ligën e parë?
Latif Demolli:
Në të njëjtin vite , fillova të ndaja drejtësinë në Ligën e Parë federative dhe jam gjyqtari më i ri ndërkombëtar në këtë ligë. Kam nda drejtësinë në Nikshiq, në Podgoricë, në Kumanovë, në Kragujevc etj.

“Bota sot”: A keni pas telashe gjatë këtij rrugëtimi?
Latif Demolli:
Shumë telashe! Probleme më të mëdha në Nikshiq ku na kanë sulmuar, por falë policisë kemi shpëtuar pa lëndime. Shikuesit ishin të revoltuar në gjyqtarë, paksa ndaj meje edhe si shqiptar dhe krejt kjo ishte problematike. E mbajë mend, kur Preleviqi nxori revolen dhe shpëtuam nga publiku.  Vështirë ka qenë të referosh me  kolegët serbë, malazezë, maqedonë etj.

“Bota sot”: Pse?
Latif Demolli:
Gjithë kam qenë si i vetmuar, si jetimë, sepse ata gjithmonë kanë marrë vendime së bashku, edhe ndoshta kanë bërë gabime të qëllimshme për t’i dëmtuar  ekipet apo ndonjë boksier. Ka pas hile!

“Bota sot”:  Ju kujtohet periudha e vitit 1985, kur Xhevdet Peci e rrahu gjyqtarin në Podgoricë, ju si e komentoni këtë në këndin gjyqtarit?
Latif Demolli:
Nuk ka qenë hije e mirë, klubi i boksit Prishtina e kishte të sigurt titullin, vetëm mos të humbin meçin 20:0. Ky sulm nuk na nevojitej, i cili na kushtoi me humbjen e titullin dhe përjashtimin nga liga e parë, këtë mezi e pritshin autoritetet ish jugosllave. Është interesant të ceki, se si klub shqiptarë nga Kosova, kemi pasur kundërshtar edhe boksierët edhe shikuesit. Nuk na shikonin me sy të mirë sepse ishim shqiptarë. Pas prishjes së ish Jugosllavisë, filluan masat e dhunshme, u detyrova të largohem për Bullgari

“Bota sot”: Cilat ishte arsyeja që morët rrugë për Bulgari?
Latif Demolli:
Për 10 vite ishte atje, në Kosovë filloi të pavarësohet sporti, ndër to edhe boksit. Kohë pas kohe vija në Kosovë që t’i dalë në ndihmë kolegëve për ndarjen e drejtësisë në Kosovë, sidomos në dy kampionatet e Kosovës, njëri u mbajt në stadiumin e Flamurtarit dhe tjetri në Shipol të Mitrovicës. Pas çlirimit të Kosovës, kthehem sërish në shtetin e Kosovës, në vitin 2000 formuam Shoqatën e Gjyqtarëve të Kosovës dhe pranojmë edhe gjyqtarë të ri. Aktivizohem edhe gjyqtarë të kohës së paraluftës,  kohës dhjetëvjeçare dhe fatmirësisht filloi edhe Kampionati i Republikës së Kosovës.

Edhe pse si federatë nuk ishim në AIBA, unë si gjyqtar ndërkombëtar, ndaja drejtësinë në shumë turne ndërkombëtar, si në rajon si në Evropë, si në Çeki, Poloni, Hungari, Bullgari, Bosnjë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni. Pas pranimit të federatës tonë në AIBA dhe EUBC, atëherë fillova jo vetëm të ndaja drejtësinë në turne ndërkombëtar, që ishin në kalendarin zyrtar të AIBA-ës dhe EUBC-ës, por edhe në kampionatet evropiane.

Më modesti e them, jam i vetmi gjyqtar i Kosovës në nivele më të larta botërore e me licencë të AIBA-së, përveç në Kampionatin Evropian dhe Botëror, ndajë drejtësinë edhe në Kampionate Ballkanike, Lojëra Mesdhetare. Në Kampionatet Evropiane, në vite të ndryshme kam referuar në Poloni, Hungari, Itali, Bjellorusi, Bullgari, Azerbajxhan etj. Kampionatet Ballkanike në Turqi dhe Lojëra Mesdhetare në Tarragona të Spanjës.

“Bota sot”: A keni pasur vështirësi gjatë këtij rrugëtimi, që atëkohë federata ka qenë e panjohur ndërkombëtarisht?
Latif Demolli:
Në të gjitha shtetet, që nuk e njohën Kosovën, kemi pasur vështirësi për mos njohjen pasaportës tonë, ku ka ndodhur që në aeroportin e Armenisë të qëndrojmë me dhjetëra orë.  Kjo dihet botërisht.

“Bota sot”: A mendoni si gjyqtar, me stemën e Kosovës në kuadër të AIBA-së, e keni sensibilizuar boksin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar?
Latif Demolli:
Besoj se po, në shumicën e rasteve, edhe pse nuk kemi pasur boksierë nga Kosova dhe e kam nda drejtësinë si gjyqtar, kur u dëgjua emri i Kosovës. Ka pasur ndjenja interesante për shtetin e ri dhe respekt. Edhe në finale e kam përfaqësuar Kosovën, për të cilën ka pasur reagime shumë pozitive por edhe negative. Negative nga ato shtete që nuk e njohin Kosovën. Edhe te ato shtete që kemi pasur reagime negative, me sjellje e mira dhe referim iu kam lënë mbresa, gradualisht kam krijuar shoqëri dhe afërsi apo siç thonë fitova zemrat e tyre, që ta respektojnë shtetin e Kosovës, edhe pse autoritetet e tyre shtetërore nuk e njohin Kosovën si shtet.

Kam kënaqësinë që kam krijuar një respekt me të gjitha federatat e rajonit, Evropës dhe të botës, krejt e kam bërë me punën time. Po ashtu respekt ndaj meje kanë edhe federatat më të fuqishme si EUBC dhe AIBA dhe e gjitha ka ndodhur për shkak të ndarjes së drejtësisë në mënyrë sa më korrekte dhe profesionale. Jo rrallë herë kam marrë komplimente nga kryetarët e këtyre mekanizmave të fuqishëm po ashtu edhe anëtarët e bordit të këtyre institucioneve pikërisht përndarjen e drejtësisë. Sepse kam referuar meçet më të vështira, mos ti quaja edhe finale.

Federata Shqiptare e Boksit me drejton sikur me qenë i familjes së tyre dhe me thonë: Ju jeni gjyqtarë i dy shteteve: Kosovë-Shqipëri. Më thonë kësisoj: Kur jeni ju të pranishëm, të paktën nuk na dëmtojnë dhe të paktën kemi një ndihmë profesionale. Kjo ka ndodhur në Lojërat Mesdhetare. Shqipëria bëri histori, duke fituar medaljen e argjendtë për herë të parë në Lojërat Mesdhetare në Tarragona në vitin 2018. 

“Bota sot”: Si e shpjegoni karrierën tuaj nga një boksier i gjeneratës së artë të Prishtinës, sot jeni nga gjyqtarët më të mirë të rajonit dhe të Evropës, a keni besuar se do të arrini në këtë nivel kur për herë të parë referuat në ligën federative në vitin 1984?
Latif Demolli:
Besoj që një njeri që e do një sport me shpirt dhe zemër e ka një qëllim, nuk i ndahet atij sporti, por punon me zell normalisht edhe arrihet deri të suksesi i ëndërruar. Kjo ka ndodhur galë punës sime, gati pesë dekada apo gjysmë shekulli, fiks 46 vite ia kam kushtuar këtij sporti, që vërtet mëdha shumë emocione, të pafundme por edhe momente të sikletshme siç ndodhin në sport. Me sportin e boksit jam i lidhur shpirtërisht dhe pa të nuk mund të jetoj sikur peshku pa ujë.

“Bota sot”: A përfituat më shumë apo i keni dhënë boksit?
Latif Demolli:
Nga boksi amatorë shumica nuk fitojnë asgjë, përveç disa kushte për një jetë mesatare, sa për të mbajtur familje.

“Bota sot”: A mendoni se me ndarjen e drejtësisë në garat e ndryshme ndërkombëtare, e ke ndihmuar edhe federatën që të anëtarësohet në AIBA?
Latif Demolli:
Normalisht, kur përmendet Kosova dhe gjyqtari siç isha unë, çdo shtet që është anëtar i AIBA-së, kishte tjera përshtypje dhe merrte plus pas plusi. Kjo ishte edhe arma më e fortë e sensibilizimit të boksit tonë në arenën ndërkombëtare. Ndryshe kur përmendet emri i një gjyqtarit nga shteti i Kosovës ndryshe kur nuk e ke asnjë përfaqësues.

Shpresoj se pas meje do të lë një gjeneratë të mirë, pasardhësit e mi të referimit. Atëherë do të isha i lumtur, për arsye që po lë pas vete një brez të shkëlqyeshëm, duke bartur përvojën time, që mund ta quaja veten si profesor i referimit.  Çdo profesor i gëzohet suksesit të nxënësit, i tillë jam edhe unë.

“Bota sot”: Pas pensionit?
Latif Demolli:
Pas pensionimit do të jetojë prapë me këtë sport bujar. Gjithmonë do të jem në shërbim të atyre që kërkojnë këshilla profesionale dhe çdo herë do të jem i gatshëm për sportistët dhe brezin e ri të gjyqtarëve. 

“Bota sot”: Ku jeton Latif Demolli?
Latif Demolli:
Jetoj në Prishtinë, kam një familje të mrekullueshme, kam katër çuna, asnjë vajzë dhe kam një familje moderne. Besoj se kam shoqërinë më të gjer, pak ka rëndësi të unë a është profesor, rojtar, arsimtar, sportist, të gjithë janë njësoj për mu dhe janë të mirëseardhur e të dashur për mu. Ulem pijë kafe me çdo njeri. Jam një tip që të gjithë i kam afër vetes dhe krijoj atmosferë të hareshme.  Gjithmonë synoj të krijojë sa më shumë miq e sa më pak armiq. 

“Bota sot” Çfarë makine nget?
Latif Demolli:
E kam një makinë Wolfsfagen Tauran dhe është shumë ekomomike, të cilën e përdori në shumë raste për të bartur  boksierët në shtetet e rajonit dhe të Evropës. 

“Bota sot”: Çka iu ka bërë më të lumtur apo keni edhe ndonjë pikë të zezë?
Latif Demolli:
Jam i kënaqur që kam qenë në ekipin e gjeneratës së artë të Prishtinës, kjo është një histori e papërsëritshme. Edhe si boksier edhe si gjyqtar, kam shijuar anën më të mirë profesionale dhe kudo gëzoja autoritet.  Pika më zhgënjyes kur na përjashtuan prej ligës së parë në vitin1985, paksa edhe na kishin inati si klub shqiptar. Më zhgënjyese ka qenë kur na maltretuan në shtetin e Armenisë në Kampionatin Botëror për të rinj, ku për herë të parë Kosova mori pjesë me boksierë të rinj.

“Bota sot”: Shpesh visheni si sheik, a e keni ndërmend të shkoni në Mekë?
Latif Demolli:
Jeta është më shumë të papritura. Ja lëmë kohës!  Jam tip që gjithmonë bëjë befasi për të mirë dhe kur më së paku e presin.

Ngjarja paraprake

Përleshje me armë, 2 të plagosur, njëri në gjendje më të rëndë (Video)

Ngjarja e ardhëshme

A mund të dështojë sërish regjistrimi dhe kur pritet të votohet Ligji? Flet deputeti i BDI-së, Arbër Ademi

të fundit nga