Rrëfehet Duka: Panucci, trajneri më zhgënjyes, vazhdon të kërkojë bonuse

Gjatë intervistës së tij për emisionin “Ora Sport” në RTV Ora, presidenti i FSHF Armand Duka foli edhe mbi marrëdhëniet e tij me trajnerë dhe kapitenë të Kombëtares.

Duka zgjodhi italianin Christian Panucci si trajnerin më zhgënjyes, ndërsa rrëfeu se premio më e madhe që ka marrë kombëtarja ka qenë pjesëmarrja në Europianin “France 2016”.

Pjesë nga intervista:

Për në fund kam përgatitur një pyetësor të shkurtër. Ju keni kaluar shumë trajnerë dhe kapitenë në Kombëtaren shqiptare dhe janë pikërisht trajneri dhe kapiteni ata të cilët kanë edhe më shumë komunikim me presidentin e Federatës. Kështu që do të doja të ma zbulonit, cili ka qenë sipas jush trajneri më profesionist në këto rreth 20 vite në Kombëtaren shqiptare?

Armand Duka: Është pyetje e vështirë, sepse të gjithë kanë karakteristikat e tyre. Unë i vlerësoj të gjithë pozitivisht në fakt të gjithë trajnerët me të cilët kam bashkëpunuar, por ai që ka lënë gjurmë në histori është Gianni De Biasi, sepse u kualifikua për në finalet e Europianit “Francë 2016”. Rezultatet i japin të drejtë De Biasit dhe gjithashtu kapitenit të tij, Lorik Cana. Uroj që të na çojë Edi Reja me Elseidin apo Etritin sërish në Europian dhe pastaj radhën tjetër do të them për këto.

Trajneri më zhgënjyes për ju? Besoj se a pasur edhe trajnerë që ju kanë zhgënjyer?

Armand Duka: Në fakt, më zhgënjyesi për mua ka qenë Christian Panucci.

Në rang kapitenësh a ka pasur ndonjë që ju ka zhgënjyer?

Armand Duka: Kapitenët që kemi pasur janë të gjithë të mirë. Sinqerisht, nuk e them sepse rëndom duhet të flasësh mirë, por në përgjithësi ne kemi fat me djemtë që luajnë në Kombëtare. Kemi pasur vazhdimisht djem shumë të mirë dhe shumë të edukuar, të përkushtuar.

Padyshim që mosha në të cilën luajnë nga 20 deri në 30 vjeç po themi është relativisht një moshë e re, por mënyra se si sillen, mënyra se si përkushtohen në ekip është vërtetë për t’u lavdëruar. Unë e njoh shumë mirë edhe botën e futbollit përtej kufijve shqiptarë dhe mendoj që jemi me fat me të gjithë djemtë që luajnë në përfaqësuesen tonë. Dhe kapitenët që janë zgjedhur kanë pjesë pikërisht e këtyre brezave kaq pozitivë. Ndërsa sa i përket karakteristikave të kapitenit, lider lind dhe këtu nuk duhet të gjykosh.

Ndaj Lorik Cana në një farë mënyre është një lider i lindur. Të tjerët janë shumë të mirë, por të jesh lider është pak i vështirë.

Ju përmendët Panuçin si trajnerin më zhgënjyes dhe në fakt një vit më parëështë përfolur se tekniku hapi një gjyq ndaj FSHF dhe kërkonte një sasi të konsiderueshme parash. Çfarë ka ndodhur më këtë çështje?

Armand Duka: Ai vazhdon të kërkojë bonuse për fitoret e ekipit Kombëtar pasi ai është larguar nga ekipi, gjë që ne nuk e gjykojmë të drejtë dhe jemi në gjyq.

Po trajneri më kërkues ndaj Presidentit, cili ka qenë?

Armand Duka: Në fakt, trajnerët kanë një lloj karakteristike të përbashkët. Sa më shumë të fitojnë, aq më shumë kërkojnë, kur humbasin kërkojnë më pak. Në fakt, duhet të jetë e kundërta, kur humbasin duhet të kërkojnë më shumë, por tërhiqen pak kur humbasin dhe kur fitojnë kërkojnë shumë që të gjithë.

Trajneri më strikt e që kishtë një disiplinë të hekurt në raport me skuadrën?

Armand Duka: Korrekt kanë qenë të gjithë, të disiplinuar, por i besojnë asaj që thonë dhe kontrollojnë diçka më pak në përgjithësi. Ai që ka qenë më strikti e që ndiqte parimin beso-kontrollo, ka qenë Dossena.

Ka pasur trajnerë me të cilët ju keni ruajtur raporte miqësore. Kush është trajneri me të cilin ju jeni miq të mirë?

Armand Duka: Kam marrëdhënie të mira me të gjithë ata që kanë qenë trajnerë në Shqipëri. Fatkeqësisht dy prej tyre janë ndarë nga jeta, së fundmi Otto Baric, familjen e të cilit gjej rastin ta ngushëllloj publikisht. Një super-trajner dhe një super-njeri, një profesor i vërtetë. Me të gjithë kam ruajtur kontaktet, madje edhe me Brigelin, i cili ka punuar për ne rreth 18 vjet më parë.

Një ndër detyrat e kapitenëve është edhe diskutimi i premiove. A ke pasur ndonjë që ka qenë më rebeli në këtë drejtim?

Armand Duka: Asnjëri, të gjithë kanë qenë shumë të mirë. Në të gjithë ekipet e tjera mbase flasin që përpara ndeshjeve për premiot, ndërsa djemtë tanë kurrë nuk na pyesin a do të ketë premio apo jo. Pas ndeshjes padyshim që të gjithë gëzojnë, por gjithmonë në kufijtë e të bukurës.

A mund ta zbulojmë premion më të madhe që është marrë ndonjëherë në Kombëtare?

Armand Duka: Padyshim që ka qenë për pjesëmarrjen në Europian.

Ngjarja paraprake

Konsullata e Kosovës në Kanada me lajm të rëndësishëm për qytetarët

Ngjarja e ardhëshme

MASh-i planifikon arritjen e digjitalizimit në arsimin e lartë deri në vitin 2027

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian