RMV bëhet udhëheqëse e bashkëpunimit rajonal në Ballkan

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, së bashku me Ndihmëssekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, hapën Dialogun Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, i cili po mbahet sot në Ambientet e Departamentit të Shtetit në Uashington.

“Dialogu Strategjik me SHBA-të paraqet kapitull të ri në marrëdhënet tona të ndërsjella, i cili do ta avancojë partneritetin tonë strategjik dhe do të vendosë kornizë për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve. “Ndjehemi veçanërisht krenarë që Maqedonia e Veriut është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që e ruan këtë proces të rëndësishëm, i cili paraqet njohje edhe për rolin tonë rajonal dhe sinjal të qartë të miqësisë dhe aleancës së fortë mes dy vendeve”- theksoi Osmani.
Pas hapjes zyrtare, vijoi sesioni kushtuar iniciativave rajonale, që u kryesua nga ana e Ministrit Osmani dhe ndihmëssekretarja e shtetit Karen Donfried. Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e iniciativave rajonale për proceset reformuese si veçanërisht të rëndësishme për perspektivat e integrimit evropian, pajtimin dhe stabilitetin e përgjithshëm të Ballkanit Perëndimor.

Ministri Osmani e theksoi pjesëmarrjen aktive të Maqedonisë së Veriut në një sërë iniciativash rajonale, përfshirë këtu Procesin e Berlinit, Ballkanin e Hapur, Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Këshillin për Bashkëpunim Rajonal etj. Njëherazi, ai e përshëndeti rolin e tyre në fushën e integrimit ekonomik dhe prosperitetit rajonal, duke theksuar se të njëjtat nuk janë zëvendësim për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por i mbështesin dhe i përshpejtojnë proceset e tyre eurointegruese.

“Maqedonia e Veriut, si iniciatore e I8 dhe B6, është vend lider me iniciativa rajonale me vizion për përshpejtimin e proceseve reformuese, forcimin e integrimit ekonomik dhe përshpejtimin e proceseve integruese evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Qasja e këtillë është veçanërisht e rëndësishme për tejkalimin e dallimeve ndërmjet vendeve të rajonit dhe integrimin e tyre sa më shpejtë në BE. “Ne veçanërisht i jemi mirënjohës ShBA-së për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe të pahamendshme të përpjekjeve tona në këtë drejtim”- theksoi Osmani.

Iniciativa tetë (I8) paraqet platformë rajonale, të iniciuar nga Maqedonia e Veriut, për bashkëpunim trilateral ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Qëllimi i nismës është forcimi bashkëpunimin politik ndërmjet vendeve përgjatë Korridorit Pan-Evropian 8, ose të ashtuquajturin aks ballkanik lindje-perëndim, që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke inkurajuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë, energjisë, turizmit, kulturës dhe të ngjashme. Nga ana tjetër, iniciativa B6 parqet platformë joformale për bashkëpunim politik të Ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, të iniciuar vitin e kaluar nga ministri Osmani, qëllimi i së cilës është të nxisë komunikimin e ndërsjellë ndërmjet liderëve të diplomacisë në vendet e rajonit, ngjashëm me bashkëpunimin rajonal tashmë të krijuar në Evropë, si V4 (Vishegrad) ose iniciativa e vendeve të Evropës Qendrore C5.

Në sesion u bë fjalë edhe për situatën aktuale të sigurisë, me çka u shpreh dënimi i përbashkët i agresionit ushtarak rus, si dhe u shpreh mbështetje për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Gjithashtu, u përshëndetën të arriturat e Maqedonisë së Veriut në kuadër të proceseve eurointegruese dhe u dërgua mesazh për fillimin sa më të shpejtë të negociatave për aderim në BE.

Kryesimi ynë me OSBE-në në vitin 2023 ishte gjithashtu në krye të agjendës, që u përshëndet dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

(VIDEO) Profesorët e “Shën Kirilit” protestuan për paga më të larta

Story i radhës

Nëna e fëmijëve përdhunohet në tren nga faturino dhe tre të tjerë kur u ftua në vagonin e klasit të parë

Të fundit nga