Vitet e 90-ta, vitet më të rënda në historinë e popullit shqiptarë të Kosovës. Kosova u pushtua nga regjimi kriminal i Serbisë dhe çka që ishte shqiptare edhe shkatërronin!
Sportistët shqiptarë u bashkuan si kurrë më parë, vendosën që të formojnë Kampionatin e Republikës së Kosovës në secilën disiplinë sportive dhe i thanë një herë e përgjithmonë jo garave me klube ish jugosllave dhe të Serbisë.
Ky vendim e kishte çartur edhe më shumë pushtuesin serb, uzurpoi stadiumet dhe palestrat sportive në Kosovë, duke i dëbuar nga aty sportistët shqiptarë.
Reshat Ibraimi nga Kumanova, dikur edhe zyrtar në klubin e futbollit Bashkimi nga Kumanova, edhe gazetar i njohur sportiv në Maqedoni, në vitet 1994-1995, kishte sakrifikuar shumë, duke udhëtuar nga Kumanova për në Kosovë dhe për t’i xhiruar ndeshjet e Kampionatit të Pavarur të Kosovës, që u zhvilluan atëkohë në rajonin e Gjilanit, si në Përlepnicë, në fshatin Malishevë etj.
Ai me kamerën e tij ka sakrifikuar dhe i takon Gjeneratës së Republikës. Disa herë kishte hasur në probleme të mëdha, gjatë kthimit për në Kumanovë dhe në kufij milicia serbe e ndalon!
“Ku ke qenë zotëri me këtë kamerë?
Reshati me heshtjen e tij dhe me një zë të qetë, ia kthen: “Isha mi xhiruar arat dhe kallamboqin që u rritë për merak, isha në një vizitë familjare dhe e bëmë për qejf një xhirim!”. Milici serb: Zotëri, a jeni i sigurt? Reshati: “Po, merreni kontrollojeni”! Milici serb i beson këtij mashtrimit mjeshtëror të Reshatit dhe shpëton pa ther në këmbë. Ibraimi disa herë ka hasur në kontroll nga milicia serbe, duke kaluar kufirin Kosovë – Maqedoni.
Ai është krenar që së bashku me kameramanin Nazmi Aliti sado pak kanë kontribuar me atë kamerën e tij të vogël, por edhe nuk e harron edhe frikën apo dridhje të këmbëve të tij, se po u zbulua se po gënjen, veç një Zot e din se çfarë do ta gjente nga milicia kriminale serbe.