Arsenali raportohet se po planifikon të tentojë transferimin Moussa Diabyt nga Bayer Leverkuseni.
Reprezentuesi francez ka tërhequr shumë interes nga klubet anembanë Evropës pasi regjistroi një sezon të shkëlqyer, transmeton Gazeta Express.
Diaby kontribuoi me 13 gola dhe 12 asistime në 32 ndeshje të Bundesligës, teksa Leverkuseni siguroi pozitën e tretë në tabelë sezonin e kaluar.
Ai gjithashtu shënoi katër gola dhe tre asistime në tetë paraqitje në Ligën e Evropës.
23-vjeçari me prejardhje nga Mali, gjithashtu numëron tetë paraqitje me Kombëtaren A të Francës.
Sipas “Football Insider”, pronari i klubit të Arseanlit, Stan Kroenke, ka dhënë miratimin e tij që klubi të ndjekë Diabyn.
Kroenke dhe shefat e tjerë të klubit londinez thuhet se kanë mbetur të impresionuar me zhvillimin e skuadrës nën drejtimin e Mikel Artetas dhe janë të përgatitur të bëjnë çfarëdo që është e nevojshme për të transferuar ish-sulmuesin e Paris Saint-Germainit.
Bayer Leverkuseni thuhet se kërkon së paku 60 milionë funte për të ndarë rrugët me Moussa Diabyn, i cili me klubin gjerman ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2025.