12
“Çdo qeveri e re paraajmëron reforma dhe strategji për përmirësimin e arsimit. Aktualisht, qeveria po përgatit një revizion gjithëpërfshirës të Konceptit për arsimin fillor, me qëllim përmirësimin e programeve mësimore. Por si ndikojnë këto ndryshime të shpeshta tek nxënësit dhe stafi arsimor?”
Rezultat i ndryshimeve të shpeshta është rritja e analfabetizmit funksional, vlerësojnë ekspertët. Mësimdhënësi Satki Ismaili thotë se kjo gjendje krijon më së tepërmi huti te fëmijët, të cilët një vit mësojnë me një planprogram, ndërsa vitin tjetër me një tjetër.
Zgjidhjen e sheh te ndërtimi i strategjive nacionale afatgjate.
“Sistemi arsimor në Maqedoni duhet të koordinohet nga ekspertë të cilët nuk janë të politizuar, por derisa për çështje të ndryshme në RMV angazhohen ekspertë të huaj, pse për politika arsimore të mos angazhohen ekspert të huaj. Angazhimi i tillë do të binte që të ndërtohen politika dhe strategji nacionale afatgjate ku kush të vjen në pushtet, kush të jetë ministër i arsimit do të ketë obligim që të realizojë atë” – thotë mësimdhënësi, Satki Ismaili.
Përveç nxënësve, edhe mësimdhënësit ndjejnë presionin e këtyre ndryshimeve.
“Te stafi arsimor është problem edhe më i madh se te nxënësit, mirëpo ndjeshmëria është më e vogël, sepse janë më të rritur, më të vetdijësuar. Problemi është se për shembull te stafi arsimor, i njejti mësimdhënës është gjeograf apo historian, biolog apo kimist dhe duhet të ketë planprogramet edhe të gjeografisë edhe të shkencave natyroredhe të bëjë planprograme. Nga të pasurit një planprogram për klasët e teta apo të shtata ai duhet të ketë planprograme mes planprogrameve” – shprehet mësimdhënësi Faruk Rexhepi.
Prindërit gjithashtu janë të shqetësuar. Shoqatat e tyre theksojnë se eksperimente të tilla me arsimin e fëmijëve janë të rrezikshme.
“Arsimimi i fëmijëve është një ndër shkaqet kryesore të migrimit të popullatës. Për shkak se në Perendim e dinë se kur do të fillojnë nga klasa e parë do të vazhdojnë deri në klasën e tetë me të njejtin program. Te ne mundet që në klasë të parë mëson me një program, në të dytën me një program tjetër, të ndërrohet qeveria dhe të ketë ndonjë program të tretë. Prandaj, nëse duan që afrsimimi të jetë konstant, atëherë të kopjojmë ndonjë program të një shteti të zhvilluar, për shembull Finlandës” – deklaroi Sasho Pangovski nga Shoqata e prindërve, “Nashi”.
Nga ana tjetër, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se revizioni i konceptit të arsimit fillor dhe ndryshimi i programve mësimore ishte pikërisht kërkesë e mësimdhënësve.
“Këtij procesi i ka paraprirë vendimi për shtyrjen e zbatimit të Konceptit për arsimin bazë në klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë. Shkak për këtë janë reagimet e mësimdhënësve të cilët në dy vitet e fundit janë përballur me sfida të shumta lidhur me mënyrën e mësimit të lëndëve të integruara – histori dhe shoqëri, shkenca natyrore etj. Sipas indikacioneve, ata kurrë nuk kanë marrë udhëzime se si të mësojnë, të administrojnë teste, të vlerësojnë e kështu me rradhë. Sugjerimet e tyre të qëndrueshme do të jenë pjesë e kurrikulave të reja që do të përgatiten nga Byroja e Zhvillimit të Arsimit dhe do të futen gradualisht nga viti i ardhshëm shkollor”, sqarojnë nga Ministria e Arsimit.
“Pavarësisht revizionit të programeve, disa elemente pozitive nga koncepti ekzistues do të mbeten, si qëndrimi më i gjatë i nxënësve në shkollë dhe lëndët zgjedhore sipas interesave të tyre.”
BURIMI: zhurnal.mk