Reforma sa për të thënë! Strategjia e re për arsim fillor dhe të mesëm

“Maqedonia e Veriut është ndër shtetet që renditet nga fundi për nga cilësia e arsimit. Jo vetëm kjo, ky sistem arsimor dhe mënyra e realizimit të procesit edukativo-arsimor prodhon nxënës/studentë të papërgatitur me kompetenca jomjaftueshme të arritura, prindër të pakënaqur dhe punonjës të arsimit të pakënaqur”, thotë profesori universitar Lulzim Aliu.

Në Maqedoni, sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës, 187.240 filloristë dhe 69.980 shkollarë të mesëm do të përfshihen me reformat e reja të iniciuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). “Qeveria po bën hapa konkretë me të cilët deri në fund të mandatit – duhet të vendosim kornizën për arsimin e mesëm profesional. Tërë këtë e bëjmë me mbështetje të madhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Në atë për të cilën po punohet me shpejtësi në këtë moment është vendosja e tri BET-qendrave rajonale që shërbejnë për profesionalizimin e kuadrit i cili do të trajnohet që të mund në mënyrë efikase dhe menjëherë pas përfundimit të arsimit të përgjigjet në tregun e punës”, ka thënë ministrja e Arsimit, Milla Carovska, ndërsa ka informuar se qendrat e para të tilla nga viti i ardhshëm do të pro-funksionojnë në Ohër, Tetovë dhe Kumanovë, por tendenca është që të hapen në të gjitha rajonet e tjera në vend. “Tendenca është të hapen qendra në të gjitha rajonet në pajtim me reformën që po përgatitet për konceptin në arsimin fillor. Atëherë, si vend do të mund të lavdërohemi se ndoshta në 10 vitet e ardhshme do të kemi shumë më tepër popull me shkrim digjital”, është shprehur Carovska.

Megjithatë, profesorë universitar thonë se Maqedonia e Veriut është ndër shtetet që renditet nga fundi për nga cilësia e arsimit. “Kohën e fundit po flitet dhe proklamohen ndryshime, reforma në fushë të arsimit. Me këtë reforma, a do të kemi një arsim më cilësor? Kjo është një pyetje që i brengos shumicën e mësimdhënësve, prindërit dhe nxënësit në Maqedoninë e Veriut. Meqë, me sistemin arsimor i cili realizohet në vend, sipas të gjitha hulumtimeve ndërkombëtare dhe atyre vendore, Maqedonia e Veriut është ndër shtetet që renditet nga fundi për nga cilësia e arsimit. Jo vetëm kjo, ky sistem arsimor dhe mënyra e realizimit të procesit edukativo-arsimor prodhon nxënës/studentë të papërgatitur me kompetenca jomjaftueshme të arritura, prindër të pakënaqur dhe punonjës të arsimit të pakënaqur”, thotë profesori universitar Lulzim Aliu. Sipas tij, edhe pse është përpiluar Strategjia e re nacionale për arsim, është sjell Ligj i ri për arsimin fillor, të mesëm e të lartë, Maqedonia përsëri nuk po arrin të prodhojë arsim cilësor. “Arsim të reformuar – po, por arsim cilësor – jo, veçanërisht tani kur procesi edukativo-arsimor duhet të zhvillohet në rrethana të diktuara nga virusi Covid-19”, thekson ai.

Aliu thotë se nëse analizohen se ku janë paraparë ndryshime, do të vërejmë se me Strategjinë e re dhe me ligjet e reja, ndryshimet duhet të ndodhin në ciklin e ulët të arsimit fillor (klasa e I – V) dhe në arsimin e lartë (universitetet). “Nuk parashihen ndryshime dhe reforma në mësimin lëndor të ciklit të ulët (klasa e VI-IX) dhe në arsimin e mesëm. Fillohet me fëmijët e vegjël dhe shkëputet vazhdimësia në moshën kur ata janë në gjendje për t’u zhvilluar dhe për të kuptuar më shumë, deri në moshën e pjekurisë (shkolla e mesme), për të vazhduar më tej studimet që kanë rënë jashtëzakonisht shumë në cilësinë e kuadrit që prodhohet në institucionet e larta arsimore – studentë që nuk kanë janë të aftë të kryejnë veprimtarinë për të cilën kanë studiuar. Ndryshimet e parapara në ciklin e ulët të arsimit fillore kanë të bëjnë me grumbullimin e lëndëve të arteve dhe të arsimit fizik në një lëndë të vetme, disa lëndë që kanë të bëjnë me natyrën, shoqërinë, njohjen e mjedisit, po ashtu në një lëndë të vetme, dhe në këtë formë thuhet se është zvogëluar numri i lëndëve që do të realizohen në ciklin e ulët të arsimit fillor. Edhe ky model arsimor do të vazhdoj të prodhoj pakënaqësi”, nënvizon Aliu, ndërsa shton se nuk mund të priten rezultate pozitive nëse ata të cilët duhet të bëjnë ndryshime, janë të pakënaqur – nuk paguhen mjaftueshëm për punën të cilën e kryejnë. “Profesioni i mësimdhënësit është ndër profesionet më pak të paguara në vend”, shprehet ai.

Në anën tjetër, profesori Naser Miftari jep disa sugjerime nga ku duhet përfshirë në sistemin e arsimit fillor dhe atë të mesëm. “Të ndërpritet çdo formë mësimdhënie dhe pensionim urgjent i punonjësve të moshës mbi 50 vite, ndërrim apo largim vullnetar nga procesi arsimor i i gjithë atyre që nuk pajtohen me erën digjitale, punësim i të rinjve të diplomuar, si dhe ndërtimi i një mekanizmi të fuqishëm monitorues i mbarëvajtjes së procesit mësimor. Byroja për Zhvillim të Arsimit, të merr në dorë timonin për të udhëhequr me detyrat dhe të arrijë qëllimet e emrit që mban – ‘Byro për Zhvillim të Arsimit’. Duhet të emërohen, punësohen njerëz të dëshmuar, profesionalë dhe ekspertë të fushës arsimore, mandej trajnim masiv i stafit arsimor nga ku edhe rrjedh avancim tekniko-teknologjik, qasje e re metodiko-didaktike, koncept i ri mësimor me fokus – qytetari dhe shkencë të mirëfilltë, si dhe të përgatitet plan-program i ri mësimor. Natyrisht që kërkohet të krijohet lidhje e sinqertë në mes pjesëmarrësve të procesit arsimor ndërmjet mësimdhënësve, nxënësve në mes prindërve, komunitetit dhe më tej”, vlerëson Miftari.

Nga Unioni Nxënësve të Shkollave të Mesme zotohen se do të kontribuojmë në këmbimin e ideve dhe kërkesave, sidomos kur bëhet fjalë për Maturën Shtetërore. “Sa i përket plan-programeve shkollore, nuk janë shkurtuar për arsye reformash në arsim, por përkundrazi – të adaptohen në rrethanat që jemi. Filluam një muaj me vonesë, orët janë 30-35 min, e domosdoshme ishte që programet arsimore të modifikohen. UNSHM mbështet reformat e nisura të MASH në lidhje me modernizimin e projekt-detyrës si me Maturën Shtetërore. Ne, do të kontribuojmë me ide dhe kërkesa për të njëjtën”, deklaroi Blendi Hodai nga UNSHM. (koha.mk)

Ngjarja paraprake

Gentrit Dumani flet për serinë pozitive me Drenicën, ka një dedikim të veçantë për Genc Hamitin

Ngjarja e ardhëshme

Borisov: Vendet e Ballkanit Perëndimor treguan se veprojnë në mënyrë evropiane

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian