Reali kundër Barcelonës

Nuk janë të largëta ditët kur për Realin përballjet kundër Barcelonës ishin më keq se të bëje një vizitë te dentisti. Humbje, “manita” (pesëshe), në kampionat e në Champions… Por që nga viti 2020 rrota e historisë duket se ka ndryshuar kah.

Që nga viti pandemik shumë gjëra kanë ndryshuar dhe tani janë “Los Blancos” që dominojnë në “Clasico”. Që nga viti 2020, Reali numëron pesë fitore radhazi në përballjet kundër Barcelonës.

Humbja e fundit e Realit daton më 2 mars 2019, kur një gol i shënuar nga Ivan Rakitiç (La Liga) u jepte suksesin katalanasve. Ishte suksesi i dytë në pak ditë, teksa kishte mundur më parë Realin edhe në “Bernabeu” 0-3 duke e nxjerrë jashtë Kupës së Mbretit. Gjithçka do të ndryshonte një vit më vonë.

Më 1 mars 2020, Reali i drejtuar nga Zinedin Zidan fitonte ndaj Barcelonës me dy gola nga Vinicius e Mariano Diaz të luajtur në stadiumin “Alfredo di Stefano”, teksa “Bernabeu” ishte mbyllur për shkak të pandemisë.

Që nga ai sukses, Reali ka arritur të fitojë të gjitha “Klasiket” kundër Barcelonës, tri në La Liga dhe një në Superkupën e Spanjës në janar të këtij viti në Riad të Arabisë Saudite. Në kampionatin spanjoll në sezonin 2020-2021, Reali fitonte 1- 3 në “Camp Nou” dhe 2-1 në Madrid.

Në këtë sezon, me Ançelotin në krye, Reali ka fituar dy “Klasike” ndaj Barcelonës, atë në “Camp Nou” në kampionat 1-2 falë golave të Alabës dhe Lukas Vaskezit, teksa golin e vetëm për Barçën e shënonte Serxho Aguero, shkruan Panorama Sport.

Suksesi më i fundit është ai i janarit, në gjysmëfinalen e Superkupës ku madrilenët triumfonin 2-3 në kohën shtesë. Gjithsej janë pesë fitore radhazi për Realin kundër Barcelonës, teksa ndeshjet radhazi pa humbje janë 6, po të llogarisim këtu edhe barazimin pa gola në sezonin 2019-2020.

Tashmë Reali është në kërkim të suksesit të gjashtë radhazi në “Clasico”, duke iu afruar edhe më shumë rekordit historik të sukseseve radhazi të “Los Blancos” përballë Barçës që është shtatë fitore radhazi.

Bëhet fjalë për periudhën 1962-1965, kur historia niste me një fitore 1-3 në Barcelonë në vitin 1962 dhe mbyllej me një fitore 1-5 po në Barcelonë. Bëhet fjalë për Realin e Di Stefanos, Pushkashit e Gentos, një makineri që dominonte në Spanjë dhe në Europë. Tani Benzema e Modriç me shokë duan të rishkruajnë historinë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Humanizmi në vepër, biznesmeni nga Shkupi dhuron 100 jastëk ortopedik për klinikën për sëmundje të fëmijëve

Story i radhës

Është vërtet një mision i vështirë të fitosh zemrën e këtyre tri shenjave të horoskopit

Të fundit nga