Reagon portieri Molla: Unë ika nga Italia për Shqipërinë

Thuajse dy vite më parë, portieri Marko Molla merrte një vendim të rëndësishëm, për të lënë përfaqësueset italiane ku kishte qenë pjesë e kombëtares U17, për të veshur fanellën kuqezi të Shqipërisë. Djaloshi shqiptar pranoi ftesën e Edi Rejas dhe iu bashkua Kombëtares A në disa grumbullime.

Por më pas ai kaloi edhe te U21 e Shqipërisë duke luajtur ndeshjet me Anglinë dhe me Andorrën. Por vetëm kaq, pasi që nga qershori i vitit të kaluar ai nuk grumbullohet më as me kuqezinjtë e vegjël.

Në rrjete sociale është aluduar se Molla ka refuzuar ftesat nga Shpresat, pasi pret të luajë vetëm me kombëtaren e madhe. Por djaloshi ka hedhur poshtë këtë hipotezë me një postim në rrjetet sociale.

“Kam dëgjuar shumë zëra për faktin që nuk dua të bëhem pjesë e kombëtares U21 shqiptare, por nuk është kështu

Kam bërë një zgjedhje të rëndësishme bashkë me familjen time, atë të lija kombëtaren italiane për atë shqiptare. Për mua është një nder të jem pjesë e një kombëtareje të rëndësishme për mua dhe për familjen time. Dua të jap gjithë shpirtin për këto ngjyra dhe për këtë flamur”, shkruante portieri shqiptar në postimin e tij.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Kodra e Diellit, u organizua stërvitja “Shpëtim nga orteku 2022”

Story i radhës

​Biden: NATO nuk ka qenë kurrë më e bashkuar se sot në përgjigje të pushtimit rus

Të fundit nga