Reagimi që shkaktoi intervista e Osmanit, “dielli nuk mbulohet me shoshë”

“Tronditja” që shkaktoi intervista e u.d. Presidentes Vjosa Osmani në BBC, më shumë se reagim, zgjoi panik. Empirikisht nuk mund të ekzistojnë dy të vërteta. Ka vetëm një. Nëse është kësisoj, një e vërtetë është edhe kur flet para audiencës kombëtare, edhe para asaj ndërkombëtare. Në rastin konkret, zonja Osmani ka përmendur fakte, të parathëna.
Pse nuk pati një reagim të tillë kundrejt konstatimeve që kanë dalë nga organizata kredibile, të cilat gjithashtu kanë potencuar nivelin e lartë të krimit e korrupsionit në Kosovë?!
Në tetorin e viti 2012, Gjykata Evropiane e Auditorëve ka audituar asistencën e BE-së në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit.
Raporti kishte konstatuar se asistenca nuk ka qenë efektive sidomos në sektorin e policisë dhe gjyqësorit.
Në raportin e GJEA-së, është thënë se niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë mbetet i lartë. Sipas të njëjtit raport, gjyqësori vazhdon të vuajë nga ndërhyrja politike, joefikasiteti dhe mungesa e transparencës dhe implementimit.
Në raportin e përvitshëm të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit në botë, të publikuar në fund të janarit të këtij viti, organizata Transparency International korrupsionin e ka konsideruar problem madhor të Kosovës. Kosova është vlerësuar me 36 pikë në një sistem llogaritjeje të indeksit ku 100 tregojnë mungesën e korrupsionit, teksa zero, nivelin më të lartë të korrupsionit. Stagnim në luftën kundër korrupsionit ka konstatuar në fillim të këtij viti edhe OJQ kosovare Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
Pra, dy raporte ndërkombëtare dhe një vendëse pikëtakohen në të njëjtin konstatim: Kosova është e zhytur në krim e korrupsion, madje që prej asaj kohe e deri tash. Pse qenka tronditës ky fakt i mirënjohur, kur ai thuhet nga presidentja e vendit?!
Faktet e mësipërme kundrejt intervistës së zonjës Osmani në BBC, vetëm se e fuqizojnë argumentin kundrejt “të tronditurve”.
Rrjedhimisht, pse ky alarm për fakte të ditura që moti. Imazhi i shtetit nuk mbrohet me dy rrëfime: një përbrenda dhe tjetrin përjashta.
Ka një shtet dhe një të vërtetë. E vërteta që e jetojmë çdo ditë është korrupsioni e krimi dhe këtë nuk mund ta fshehim e as ta teleisim me çfarëdo formulimi gjuhësor apo qasje diplomatike.
Dielli nuk mbulohet me shoshë. E vërteta gjithnjë dhemb. Sidomos atëherë kur shkaktarët e pasojave kanë emër. Reagimet kundrejt intervistës së u.d. Presidentes Osmani në BBC, shpërfaqin panikun dhe ndërgjegjen e vrarë të atyre që imazhin e Kosovës e plandosën përtoke duke e bërë shtetin referencë në maje të rangimeve botërore për krim e korrupsion. Këto reagime janë edhe simptomë e kllapisë së një pjese të spektrit politik nga rezultati fantastik i zonjës Osmani në zgjedhjet e fundit.
Imazhin e shtetit nuk po e godet, por po e mbron ajo që mbi vete ka afro 400 mijë vota. Brenga e saj është edhe e tyre, porse jo e kritikëve të intervistës. Këta kritizerë, shtetin e kanë konsideruar mjet përfitimi, ndaj ky reagim ngjallë neveri. Shteti nuk janë ata, por gjatë kohë ishte shteti i tyre.
Qasja e presidentes në intervistë është reale dhe apologjia më e mirë që mund t’i bëhet shtetit.
Shteti me rrëfime nga përrallat nuk mbahet. Ai është në letargji, ndaj u.d. Presidentja do të jetë ajo që me angazhimin e saj të mëtejmë Kosovës do t’i bëhet kuratore e imazhit ndërkombëtar të tij!

(Autori është këshilltar i ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani)

Ngjarja paraprake

Bekteshi: BDI është unike

Ngjarja e ardhëshme

Konfirmohet mungesa e sigurtë e Manchester United në takim ndaj Milanit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian