Arrestime, bastisje dhe dëshmi për ekspertiza. Organet hetuese gjatë dy ditëve të kaluara gjurmojnë pas një grupi kriminal, I cili një kohë të gjatë ka kryer vepra penale që lidhen me tregtinë e jashtëligjshme me drogë dhe substanca narkotike.
Nën hetime janë 14 persona – ka njoftuar Prokuroria.
Operacioni i MPB dhe PTHP-së është zhbilluar nga Shkupi deri në Gjevgjeli. Janë përfshirë 20 lokalitete në Shkup dhe një në Gjevgjeli, ku policia speciale kishte kryer bastisje gjatë ditës së djeshme.
“Janë kryer bastisje tek 16 persona në 21 lokalitete në rajonin Shkup – Gjevgjeli. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe konfiskuar gjësende ku do t`i nënshtrohen ekspertizës forenzike” – deklaroi zëdhënësi I MPB-së, Goce Andreevski.
Në suaza të këtij operacioni policor është arrestuar edhe Rade Trajkovski – Shtekli. Dyshohet për tregti me drogë, kurse mediat njoftuan se ishte arrestuar gjatë tentativës për arratisje në afërsi të një hoteli në rrethin e Gjevgjelisë.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit përmes komunikatës ka njoftuar se në Gjykatën Penale në Shkup është dorëzuar propozimi për caktimin e paraburgimit për 10 persona. Njëri prej të dyshuarve tashmë është në burg, kurse 3 të tjerët nuk janë të kapshëm për organet e ndjekjes.
Gjatë bastisjeve njoftohet se janë gjetur dhe konsfiskuar afro 10.000 euro, katër automjete, 12 celularë, revole, fara, materje me ngjyrë të gjelbërt për të cilën dyshohet se janë narkotike dhe sende për prodhimin dhe paketimin e drogës.
Rade Trajkovski – Shtekli është emri që lidhet me “nëntokën” e Shkupit. Ai gjatë periudhës së kaluar disa herë ishte në fokus të opinionit. Herën e fundit kah mesi i nëntorit, kur pati një shpërthim në oborrin e tij në lagjen “Keramidnica” të Shkupit. Shtekli pësoi lëndime të lehta trupore.
Ishte ky sulmi I tretë I pasuksesshëm ndaj tij. Dy të parat ndodhën në një Qendër Tregtare, kur në drejtim të tij ishte shtënë me armë zjarri.
Hetimet pretendojnë se bëhet fjalë për sulme që janë pjesë e të shtënave me armë zjarri të grupeve kriminale të Shkupit.
Burimi: TV KLAN