Raportet për gjuajtje me armë në veri, ky është njoftimi i fundit nga Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e mediave serbe se ka qenë e përfshirë në shkëmbim zjarri në Zubin Potok.

“Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, thuhet në njoftimin për media.

Mediat serbe kanë raportuar se rreth orës 19:45 janë dëgjuar shkëmbime zjarri në Zubin Potok, dhe se të shtënat kanë ndodhur pasi Policia e Kosovës “ka dashur të heqë njërën nga barrikadat” në këtë komunë në veri të Kosovës.

Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani ka shkruar në Twitter se “mediat pro-regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar rrejshëm se përleshjet po ndodhin në Zubin Potok”.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë përleshje dhe se “strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë po gjuajnë me armë”.

Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga Policia e Kosovës.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.

Më 22 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nëse KFOR-i nuk vepron, Kosova do t’i heq barrikadat.

Ai tha gjithashtu se kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë ndihmë për transferimin e Pantiqit, duke shtuar se dërgimi i tij në një qendër paraburgimi “është prioritet” për autoritetet në Kosovës.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) tha më 23 dhjetor se ende është duke e shqyrtuar mundësinë që të ndihmojë autoritetet e Kosovës për ta transferuar ish-policin Dejan Pantiq nga një stacion policor afër Jarinjës, në një qendër paraburgimi.

Një ndër kushtet për largimin e barrikadave, sipas Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – është edhe lirimi i Pantiqit.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se kërkesa për lirimin e Pantiqit “është e papranueshme”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se pas Krishtlindjes do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.

Story i mëparshëm

Tensionet në veri, reagon presidenca e Kosovës: Policia nuk është përfshirë

Story i radhës

Putin thotë se Moska është gati për bisedime, por sulmet në Ukrainë vazhdojnë

Të fundit nga