Rama për kufizimin e zonave detare me Greqinë: Do të përgatitemi për zgjidhje të drejtë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se çështjen e kufizimit të zonave detare nuk e ka hapur Greqia, por e ka hapur Shqipëria, duke iu referuar edhe marrëveshjes mes dy vendeve që u shfuqizua në vitin 2010 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, raporton Anadolu Agency(AA).

Në një konferencë për mediat së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me fokus investimet dhe projektet në infrastrukturën kombëtare rrugore, portuale dhe aeroportuale, Rama foli edhe mbi çështjen që është ende hapur mes Greqisë dhe Shqipërisë për zonat detare.

Rama theksoi se Greqia nuk ka pasur asnjë pretendim më shumë sesa aq sa mori nga marrëveshje e vitit 2009 dhe sipas tij për Greqinë ishte çështje e mbyllur.

“Gjykata Kushtetuese 9 me 0 e ka rrëzuar atë marrëveshje (marrëveshja e vitit 2009) me kërkesë si paditës të Partisë Socialiste. Çështja është rihapur me thënë të drejtën falë këmbënguljes, durimit, vullnetit tonë, në komunikimin me palën tjetër dhe falë vizionit për të ardhmen dhe e them këtë me shumë respekt për të ardhmen e përbashkët, të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili së bashku me ministrin e jashtëm që ishte dje këtu, qartësisht ka zgjedhur të vërë në dispozicion të zgjidhjes të të gjitha çështjeve të gjithë vullnetin e tij të mirë”, u shpreh Rama.

Kujtojmë se gjatë deklaratës së përbashkët dje për mediat të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, u konfirmua se Shqipëria dhe Greqia janë dakorduar që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve.

Pyetjes se çfarë do të kërkojë Shqipëria në gjykatën ndërkombëtare, kryeministri Rama iu përgjigj: “Çfarë kërkojmë ne është e qartë, shumë e qartë. Ne kërkojmë një marrëveshje të drejtë. Kaq. Marrëveshja e mëparshme ka qenë e padrejtë për Shqipërinë”.

“Më në fund pala greke ra dakord me ne. Me qeverinë e mëparshme nuk kemi arritur të biem dakord për ta çuar çështjen para drejtësisë ndërkombëtare. Me këtë qeveri arritëm të biem dakord që ta çojmë çështjen para drejtësisë ndërkombëtare, në duart e një gjykate që i ka të gjitha kompetencat, ka të gjithë ekspertizën që të japë drejtësi të drejtë për këtë problem. Kjo është një zgjidhje ideale për ne që natyrisht në bazë të gjithë protokollove dhe në bazë të standardeve do të ulemi dhe përgatitemi siç e kërkon procedura për të arritur në një zgjidhje të drejtë”, theksoi Rama.

Në vitin 2009, mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Greqisë u nënshkrua një marrëveshje për çështjen e kufizimit të zonave detare, por marrëveshja në fjalë u shfuqizua në vitin 2010 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë që e shpalli të pavlefshme juridikisht dhe antikushtetuese.

Në prill të vitit 2018, Shqipëria filloi bisedimet me Greqinë për kufizimin e zonave detare, ndërkohë mes palëve nuk u arrit një marrëveshje përfundimtare për çështjen në fjalë.

“Do të na ndihmojë edhe plani i ri i investimeve i Komisionit Evropian”

Kryeministri Rama u fokusua gjatë konferencës edhe në investimet dhe projektet në infrastrukturën kombëtare rrugore, portuale dhe aeroportuale në Shqipëri, ku sipas tij, ka nisur dhe do të vazhdojë me intensitet një transformim rrënjësor.

“Dua të vë theksin tek vizioni që është korniza e gjithë hapave që ne kemi hedhur dhe do të hedhim në të ardhmen e afërt për të materializuar një transformim të integruar. Do të na ndihmojë jashtëzakonisht shumë edhe plani i ri i investimeve i Komisionit Evropian i cili ka tre shtylla, si infrastrukturën me rrjetet e transportit hekurudhor dhe patjetër të rrugëve automobilistike, energjia ku Shqipëria ka një pozicion kyç dhe ka një avantazh të rëndësishëm në raport me vendet e tjera të rajonit për të qenë protagonist në këtë pjesë të programit, pasi Shqipëria është vend kalimi i Gazsjellësit Trans Adriatik”.

Rama tha se Shqipëria ka një plan të qartë për shtrirjen e infrastrukturës së gazit qoftë në veri me Gazsjellësi Adriatiko-Jonian që shkon në Mal të Zi, Kroaci dhe pastaj lidhet me rrjetet evropiane të gazit, qoftë sipas tij edhe me degëzimet e tjera, duke filluar nga degëzimi i Kosovës.

Në lidhje me naftëtarët e Ballshit në Shqipëri që kanë nisur grevë urie prej disa javësh për të kërkuar pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në rafineri, Rama tha se “Në rastin e naftëtarëve të Ballshit e kam bërë shumë të qartë, ne nuk jemi palë përballë një pale. Me naftëtarët ne nuk kemi asnjë llogari të hapur apo asnjë llogari për të mbyllur për shkak se ajo është një marrëdhënie private. Por në kushtet kur ata kanë këto vështirësi të mëdha dhe në kushtet kur ata refuzojnë të hyjnë në programin e asistencës shtetërore sipas të gjitha ligjeve në fuqi ne jemi të gatshëm të ulemi të diskutojmë. Duhet të dalin nga greva nëse duan të bisedojnë me ne”.

Kujtojmë se naftëtarët kanë zhvilluar edhe protesta të vazhdueshme muajit e fundit për të kërkuar pagat e prapambetura, para se të fillonin grevën e urisë.

Rama gjithashtu theksoi se janë në proces disa kantiere të mëdha të transformimit të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale.



. .

Ngjarja paraprake

Ballkani në epërsi, dy të skuqur! Prishtina shënon

Ngjarja e ardhëshme

Karakaçanov kërcënoi Shkupin, Shekerinska: Kështu nuk negociojnë aleatët

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian