“Rama, heshtje vrastare për naftëtarët!” Sindikata: Kryeministri foli sa për të larë gojën, nuk dorëzohemi!

Sindikata e Naftëtarëve të Bashkuar ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit për grevën e urisë së naftëtarëve.

Në një deklaratë për mediat, Sindikata thotë se Rama edhe njëherë që dënjoi të flasë për ta, e bëri sa për të larë gojën, duke thënë se kjo është marrëdhënie mes punëtorëve dhe kompanisë private dhe se fajin për kushtet ku ndodhen punëtorët e ka qeveria e shkuar që ndërmori privatizimin e rafinerisë.

Por kryeministri, sipas tyre, nuk foli për përgjegjësinë që ka si drejtues i shtetit shqiptar.

“Edi Rama hesht me një heshtje vrastare për naftëtarët, familjet e tyre, banorët e Ballshit dhe të gjithë Shqipërisë. Naftëtarët janë të vendosur të mos dorëzohen derisa të vihet e drejta në vend”.

Deklarata e plotë:

Për herë të parë sot – pas protestave të vazhdueshme në ndërmarrjen e rafinerisë së Ballshit, pas protestave në bashkinë e Fierit, pas protestës së naftëtarëve në Tiranë që u shtyp me dhunë nga policia, dhe pas një greve urie 9-ditore që po rrezikon jetët tona – Edi Rama denjoi të flasë për naftëtarët.

Edhe këtë herë që denjoi të flasë, e bëri vetëm për të larë gojën duke thënë se kjo është marrëdhënie mes punëtorëve dhe kompanisë private dhe se fajin për kushtet ku ndodhen punëtorët e ka qeveria e shkuar që ndërmori privatizimin e rafinerisë.E megjithëse privatizimi i rafinerisë ishte me të vërtetë shkatërrimtar – ashtu siç ka rezultuar çdo privatizim i aseteve publike deri më sot – Edi Rama nuk flet për përgjegjësinë që ka si drejtues i shtetit shqiptar.

Nuk flet për faktin se sektori i nxjerrjes dhe përpunimit të naftës është cilësuar si sektor strategjik i rëndësisë së veçantë kombëtare, e prandaj përgjegjësia nuk mund t’i lihet vetëm atij që e ka privatizuar.

Nuk flet për faktin se naftëtarët kanë 24 paga pa marrë, se për këtë ka dalë një vendim gjykate i formës së prerë i cili e ka vënë rafinerinë nën sekuestro dhe se qeveria e Edi Ramës pengon zbatimin e vendimit të gjykatës.

Nuk flet për faktin se e gjithë nafta që qarkullon në tregun shqiptar është naftë e importuar, ndërsa e gjithë nafta që nxirret në vend tregtohet jashtë, në vend se të përpunohej në rafineri e të dilte me kosto më të ulët.

Nuk flet as për interesat që ka oligarku Shefqet Kastrati në bllokimin e punës në rafineri për të shitur në treg naftën që importon nga jashtë.Për këto gjëra Edi Rama nuk dëgjon, nuk sheh dhe nuk flet.

Për këto gjëra Edi Rama hesht me një heshtje vrastare për naftëtarët, familjet e tyre, banorët e Ballshit dhe të gjithë Shqipërisë. Naftëtarët janë të vendosur të mos dorëzohen derisa të vihet e drejta në vend.

Ngjarja paraprake

Alpinisti Nadir Murseli me jubile 25 vjeçar

Ngjarja e ardhëshme

Janë gjetur pesë bomba- kashikarë dhe dy korniza për pushkë automatike në rrugën e vjetër në drejtim të fshatit Llopatë të Kumanovës

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian