​Qytetarët thonë se kanë pritur më shumë nga qeveria Kurti 2

Qeveria Kurti 2 më 23 mars bën një vit që nga votimi në Kuvendin e Kosovës. Qytetarët kanë mendime të ndryshme për një vit qeverisje. Disa thonë se janë të pakënaqur dhe disa të tjerë mbajnë shpresa për një standard më të mirë nga kjo qeverisje.

Hasan Matoshi ka thënë për KosovaPress, se nuk sheh ndonjë rregull që është bërë dhe se çdo qeveri po ia hedh fajin njëra-tjetrës.

Matoshi: Çdo Qeveri veç ia hedh fajin njëra-tjetrës

“Asnjë Qeveri s’ka punu qysh duhet, shikoni si e kanë bërë Prishtinën.. Askund nuk shohim ndonjë rregullsi, është mbush me qen. S’ju vjen turp i botës, si qeveritë, si komunat, nuk janë në gjendje m’i largu këta qen…Çdo Qeveri veç ia hedh fajin njëra tjetrës , i hedhin akuza njeri-tjetrit, i kanë blloku me trotuare…bërllok çdo kund..Ose të punojnë siç duhet, ose të japin dorëheqjeje, le të largohen, s’ka asgjë prej këtyre”, tha ai.

Bahtir Rama është shprehur i kënaqur me qeverisjen aktuale.

Rama: Qeverisja për momentin është shumë stabile 

“Qeverisja e Albin Kurtit për momentin është shumë stabile dhe shumë mirë është duke e udhëhequr…Të gjitha janë në përmirësim..Është problem për një vit t’i përfundojë të gjitha punët”, tha ai.

Sokol Avdiu ka thënë që kjo Qeveri e ka tepruar, punët po shkojnë veç më keq.

Avdiu: Punët po shkojnë veç më keq

“Boll ka qenë katastrofë, por ky e ka tepruar… Nuk e di se çfarë ka bërë deri tash, veç po shkojnë punët më keq…Për ne pensionuarit s’mendon askush që jemi gjallë…Ngecje në ekonomi”, tha ai.

Mentor Iljazi, po ashtu është shprehur i pa kënaqur me këtë Qeveri, ku ka thënë se Qeveria është e dobët në politikë dhe ekonomi.

Iljazi: Sa i përket ekonomisë është zero

“Sa i përket politikës, ekonomisë është zero, sepse ata po bëjnë ligje për LGBT-në, e ekonomikisht populli nuk ka para, ata duhet më tepër për 90% se sa për 1% të popullatës…Çdo aspekt ka ngecje”, tha ai.

Gerta Bajaj, studente nga Shqipëria, ka thënë që nuk ka parë ndonjë ndryshim që nga tetori.

Bajaj: Që prej tetori deri tani nuk është se kam parë ndonjë ndryshim

“Unë jam studente nga Shqipëria dhe që prej tetori deri tani, nuk është se kam parë ndonjë ndryshim shumë drastik, si në arsim dhe ekonomi”, tha ajo.

Arsim Bekteshi ka thënë që është i kënaqur por që ka vend për kritika.

Bekteshi: Në përgjithësi është mirë, por ka vend për kritika

“Në përgjithësi jam i kënaqur, ka vende për kritika por në përgjithësi është mirë, në krahasim me qeverisjet e kaluara janë më të suksesshëm, më të vendosur”, tha ai.

Riza Krasniqi po ashtu është i kënaqur me Qeverisjen e Kurtit 2.

“Është njëra ndër Qeveritë më të mira që ka pas deri tash Kosova, ka shumë punë për me ndryshu”, tha ai.

Ndërsa, qytetari Idriz Govori, ka thënë që ka pritur më shumë nga kjo Qeveri.

Govori: Kemi pritë më shumë, s’është duke treguar rezultat

“Kemi pritë më shumë, s’është duke treguar rezultat..Në të gjitha aspektet ka ngecur…Kemi pritë më mirë prej tij, kemi prit prej premtimeve që i ka dhënë, i ka pas shumë të mira, rezultati është zero”, tha ai.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Putin “tradhëtohet” nga aleatët e tij, ushtarët vullnetarë të Bjellorusisë mbështesin shtetin e Zelensky-t

Story i radhës

Kush është Indrit Çela që u rrah brutalisht me leva hekura

Të fundit nga