Në pikën e re të vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, qytetarët po shprehin interesim për imunizim kundër COVID-19 dhe se numri më i madh i të vaksinuarve është me dozën e tretë.
Zëvendësdrejtori i qendrës kryesore të mjekësisë familjare në Prishtinë, Rrezart Halili tha për KosovaPress, se mosha që po shprehin interesim për vaksinim është mosha më e shtyrë.
Halili tregon se në këtë qendër ka interesim të madh dhe se qytetarët të cilët po vaksinohen më shumë janë ata me dozën e tretë.
Halili:Që nga hapja ka një interesim mjaft të madh
“Që nga hapja ka një interesim mjaft të madh, domethënë të gjithë banorëve mund të them kategoria më e shtyrë të cilët dëshira e tyre është që të marrin dozën e tretë, por edhe ata të cilët ndërkohë kanë qenë të infektuar me virus më herët kanë marrë dozën e dytë dhe cilat doza i kanë më radhë”, ka thënë ai.
Në pikën e vaksinimit në sheshin e Prishtinës, këtë të shtunë kanë shprehur interesim shumë qytetarët. Fexhrije Maloku tregon se është imunizuar me tri dozat dhe se nuk ka pasur ndonjë problem.
Maloku:Me dy të parat nuk kam pas telashe
“Tash me (dozën) e tretë. Me dy të parat nuk kam pas telashe. Mirë në rregull po shkon po na thirrin mirë”, ka thënë ai.
Edhe Sadete Sopi thotë se është imunizuar me dozën e tretë dhe se gjithçka po shkon në rregull në këtë pikë të vaksinimit.
Sopi: Nuk jemi t’u pirtë shumë gjatë, shumë mirë po shkon
“Nuk jemi t’u pritë shumë gjatë, shumë mirë po shkon në rregull. Për dozën e tretë. Drejtë me thënë as COVID-in nuk e kam pas, as dy dozat telashe nuk kam pas, kjo me siguri e natyrshme te unë, të tjerët kam dëgjua kanë pas telashe”, tha ajo.
Kjo pikë e vaksinimit në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë është e hapur nga ora 12:00 deri në 20:00.