Qyqet, qyqe ishin e qyqe janë

Ka disa ditë që antikomunistët tradicionalë po e sulmojnë Nasho Jorgaqin duke e quajtur, me urrejtje, spiun të Sigurimit të shtetit shqiptar. Ata janë aq të cekët, sa nuk e dinë që, me të këtillë etiketime, nuk po i bëjnë asnjë të keqe Nashos… I kujt ish Sigurimi i shtetit shqiptar në kohën e Enver Hoxhës? Cilin shtet siguronte ai Sigurim? A siguronte Greqinë? A siguronte Jugosllavinë? A siguronte Anglinë? A siguronte SHBA-në? Ai Sigurim siguronte Shqipërinë. Madje edhe jashtë kufijvet të RPSSH-së.

Shqiptarët nuk do të kishin asnjë kundërshtim, nëse Shqipërinë do ta kishin siguruar ballistët, zogistët apo dukush tjetër. A mendoni se shqiptarëvet iu pat djegur barku për komuizmin?! Jo! Nëse ballistët do t’i kishin dalë zot këtij kombi efektivisht, gjithë kombi do t’i adhuronte ata. Nëse zogistët do t’i kishin dalë zot këtij kombi efektivisht, gjithë kombi do të ishte në krah të zogistëvet. Por Zogu iku nga Shqipëria në ditën e saj më të zezë. Si do ta adhuronin shqiptarët Ahmet Zogun?! Ai iku! Nuk doli në mal për atdheun. Nuk vuri jetën e vet në rrëzik për t’u vrarë nga armiku, por mbeti rrugëvet të botës si një qyqe. Edhe të tjerët ikën si qyqe! Nuk ishin në gjendje ta shpëtonin Shqipërinë as nga pushtuesit, as nga komunistët!

Erdhi koha kur edhe komunistët dështuan, sepse pësuan metamorfozë. Nuk patën këllqe për të mbrojtur atdheun dhe për ta ndërtuar, siç e mbrojti dhe siç e ndërtoi Enver Hoxha për një gjysmë shekulli. U zdërhallën, i lanë atdheun e kombin në mëshirën e rrukullisjes dhe “u kujdesën” vetëm për vete, udhëhequr nga filozofia e qenvet: Rrëmbe, shqyej, kullufit, ckërmit dhëmbët dhe kafsho “shokët” (qent e tjerë).

Por gjithsesi, kur dështuan komunistët, ballistëvet dhe zogistëvet iu dha një mundësi, mundësia e dytë, për ta dëshmuar sa fort i donin kombin dhe atdheun e vet. Iu dha mundësia të mos tregoheshin qyqe si herën tjetër (në vitet 39-45), por ta bënin Republikën e Shqipërisë më të mirë e më të pasur se ç’e kish bërë Enver Hoxha.

Të bënin reforma në bujqësi, jo të atilla që t’u riktheheshin ish-bejlerëvet dhe ish-agallarëvet toka, që të parët e tyre i kishin fituar duke u shërbyer sulltanëvet, por reforma ndryshe, në mënyrë që tokat të vazhdonin të punoheshin dhe fshatarët të mos ishin të detyruar të iknin nga Shqipëria, për të gjetur punë në tokat greke dhe në tokat italiane.

Ta bënin industrinë shqiptare më efikase, në mënyrë që ajo industri të mos konkurohej prej industrivet të tjera. Të mos lejonin që të shkatërroheshin fabrikat tona, por t’i modernizonin ato, dhe shqiptarët të mos detyroheshin të iknin nga Shqipëria, për të gjetur një punë në Gjermani, në Angli e në SHBA. A kishin jetuar në Perendim një gjysmë shekulli dhe a u ish djegur shpirti për kombin e për atdheun?! Ja pra! Tani e kishin në dorë për ta shëruar shpirtin e përvëluar!

Të mos lejonin që kasta e juristëvet të kthehej në kastë popullrrjepëse! Të mos lejonin që mjekësia të kthehej në mjekësi pacientzhvatëse! Të mos lejonin që arsimi të kthehej në fabrikë diplomash falco, në treg droge dhe në fidanishte prostitucioni!

Por ballistët dhe zogistët zgjodhën të anatemonin Enver Hoxhën, që tashmë kishte vdekur, t’i quanin komunistë ata që prej kohësh s’ishin më komunistë, dhe të merrnin dëmshpërblimet në emër të persekutimevet që u ishin bërë në kohën e Enver Hoxhës. Të merrnin dëmshpërblime jo vetëm ata që kishin qenë të burgosur apo të internuar, por edhe bijtë e tyre! Të merrnin dëmshpërblime jo vetëm bijtë e ish-të burgosurvet dhe të ish-të internuarvet, por edhe nipërit e mbesat e tyre! Dhe, këta dëmshpërblime, në pará, të mos ua paguanin ish-persekutuesit, por t’ua paguante populli shqiptar. Populli shqiptar të varfërohej, aq sa të mos mund të jetonte në vendin e vet, ndërsa ish-kundërshtarët e regjimit të Enver Hoxhës të mbeteshin gjithë jetën të pakënaqur, sepse nuk po u jepeshin këstet e paravet në kohën dhe në sasinë që e kishin merituar. Ish-ballistët, ish-zogistët dhe pasardhësit e tyre, nuk ua kërkuan paratë persekutuesvet të vet (se s’kish ku t’i gjenin), por popullit shqiptar! Qe populli shqiptar ai që u detyrua t’ua paguajë vitet e burgut dhe të internimit! Populli, i cili pat paguar dhe realizuar zhvillimin e bujqësisë, populli i cili pat paguar dhe krijuar industrinë, një industri jo të keqe, duhej tani të paguante edhe burgun e atyre që i pat burgosur e dënuar Enver Hoxha!

(Po këta të sotmit, që po i burgos regjimi i sotëm, a do të detyrohet prapë populli shqiptar t’i dëmshpërblejë, mbas nja një çerek shekulli?!)

Ballistët dhe zogistët, të cilët Nasho Jorgaqi i ka përshkruar te romani “Mërgata e qyqeve”, as atëherë, as sot nuk bënë asgjë që të mund t’u hiqej emërtimi qyqe.

Ç’bënë ata për ato pjesë të Shqipërisë, që kishin mbetur nën sundimin e Greqisë e Jugosllavisë dhe që nuk i qeveriste Enver Hoxha?! Ç’bënë ata për shqiptarët që ishin me miliona në shtetin turk? Apo u ish ngucur mendja vetëm te ai çerek Shqipërie që po e qeveriste Enver Hoxha!

Aty e kishin gjysmën e Shqipërisë Jugore, të pushtuar prej grekëvet. Pse nuk bënë ballistët e zogistët tanë që ajo pjesë e Shqipërisë, e cila nuk ishte komuniste, të fitonte të drejtat e veta nacionale?! Të fitonte ajo popullatë të drejtën për t’u regjistruar me kombësi shqiptare, të fitonte të drejtën për t’u shkolluar në gjuhën shqipe. Zogistët e ballistët tanë të mërguar, nuk bënë asgjë, që arvanitëvet, banorë të shtetit grek dhe kontribues shembullorë në historinë e atij shteti, të fitonin të drejtën për t’u shkolluar në gjuhën e vet. Le t’i pëmbledhin në një vëllim dokumentet e përpjekjevet të tyre në këtë drejtim dhe atëherë do të themi që Nasho Jorgaqi s’ka pasur të drejtë t’i quajë qyqe ballistët dhe zogistët tanë!

Ballistët dhe zogistët tanë, të cilëvet Perendimi u kish ofruar strehim dhe dashamirësi, nuk bënë asgjë që shqiptarët e mbetur nën Jugosllavi të fitonin të drejtat që u takonin. Edhe Titoja ka qenë komunist. Edhe Titoja mbante nën sundim më shumë se gjysmën e Shqipërisë. Çfarë veprimesh kanë ndërmarrë ballistët dhe zogistët e mërguar në Perendim, që shqiptarët e asaj pjese të Shqipërisë të mos keqtrajtoheshin?! Le t’i përmbledhin në një vëllim dokumentet e përpjekjevet të tyre në këtë drejtim dhe atëherë do të themi që Nasho Jorgaqi s’ka pasur të drejtë t’i quajë qyqe ballistët dhe zogistët tanë!

Në vitin 1981, a bënë peticione ballistët dhe zogistët tanë të mërguar? A e ngritën zërin pranë SHBA-së, pranë shtetevet të Evropës Perendimore apo në OKB, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëvet që po shtypeshin nga tanket sërbë nëpër rrugët e Prishtinës?! Sa ballistë e zogistë erdhën në Kosovë për të demonstruar bashkë me vëllezërit e tyre nëpër rrugët e qytetevet shqiptarë, të shtruara me gëzhoja dhe të mbuluara me gaz lotsjellës?! Le të mblidhen reagimet e RPSSH-së në mbrojtje të demonstruesvet në një vëllim më vete dhe le të mblidhen reagimet e ballistëvet e zogistëvet në një vëllim më vete! Vetëm pas kësaj do të mund ta akuzojmë ose jo, Nasho Jorgaqin si agjent të një regjimi, kombëtar ose antikombëtar!

Para se t’i vërsulet Nasho Jorgaqit, duke e akuzuar si spiun të shtetit të vet, Agron Tufa do të duhej të kish folur e shkruar për shqiptarë që u kanë shërbyer dhe që vazhdojnë t’u shërbejnë shtetevet të huaj. Në Tiranë e Prishtinë nuk janë të pakët spiunët që u shërbejnë Sërbisë e Greqisë. Por edhe Vatikanit, edhe Kishës Ortodoske Greke, edhe Xhihadit Islamik. Kush po i rekruton djemtë shqiptarë dhe po i dërgon në luftë në vendet islamikë, duke i detyruar të marrin me vete edhe gratë e fëmijët?!

Apo ata, spiunë të shërbimevet të huaj, nuk po e dëmtokan kombin shqiptar! Kombin shqiptar e paska dëmtuar dhe po e dëmtoka Nasho Jorgaqi, i cili, “për turpin e tij”, paska bashkëpunuar me Sugurimin e shtetit të vet!

Në këtë kontekst, mua po më bie në sy edhe heshtja e pjesës më të madhe të shtypit të Tiranës. Pse nuk po i del zot Nasho Jorgaqit shtypi i përditshëm i Tiranës?! Midis gazetarëvet ka jo pak djem e vajza, prindërit apo gjyshërit e të cilëvet kanë qenë gjithashtu informatorë të shërbimit të fshehtë shqiptar, në të mirë të shtetit shqiptar të atëhershëm. Kanë qenë, pra, atdhetarë, mbrojtës të shtetit të vet, nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm (siç thuhej atëherë). Pse nuk po dalin këta gazetarë në mbrojtje të Nasho Jorgaqit, duke thënë: “Edhe im atë, ose, edhe gjyshi im apo gjyshja ime, kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të shtetit shqiptar dhe unë jam krenar që ata kanë qenë të tillë?!”

 Ashtu si, me të drejtë, një amerikan i sotëm është krenar, në qoftë se i ka pasur gjyshin apo gjyshen bashkëpunëtorë a punonjës të FBI-së.

Apo mos edhe këta gazetarë, bij e bija të ish-mbrojtësvet të këtij vendi, na janë shndërruar tashmë në qyqe e në karavidhe?!

Ngjarja paraprake

Iran, shënohet numri më i lartë i vdekjeve ditore nga COVID-19

Ngjarja e ardhëshme

Sekretari Aziri, takon producentët e festivalit ‘Shkupi Up Fest’ Besfort Dulatahu dhe Visar Etemi

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian