Qindra hondurasë nga karvani i migrantëve drejt SHBA-ve kthehen në shtëpi

 Mbi 700 hondurasë nga një karvan migrantësh që ishin nisur drejt kufirit midis Meksikës dhe SHBA-ve janë kthyer në vendin e tyre në Amerikën Qendrore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Institutit Kombëtar të Migracionit, 232 të mitur ishin midis 704 migrantëve që janë kthyer në ditët e fundit.
Karvani më i madh i migrantëve mes shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19) me rreth 3 mijë hondurasë kaluan ilegalisht në Guatemalë të enjten.

Guatemala akuzoi migrantët për rrezikimin e situatës shëndetësore të vendit gjatë pandemisë, duke theksuar se autoritetet do t’i dëbojnë ata.

Në një adresim drejtuar kombit, presidenti i Guatemalës, Alejandro Giammattei tha se është dhënë urdhër për t’i ndaluar të gjithë ata që kanë hyrë ilegalisht dhe për t’i kthyer në kufirin e vendit të tyre.

“Ne nuk do të lejojmë asnjë të huaj që ka përdorur mjete të paligjshme të hyjë në vend, të mendojë se kanë të drejtë të vijnë, të na infektojnë dhe të na vendosin në rrezik serioz”, tha Giammattei.

Ndërsa presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, javën e kaluar pretendoi se karvani i migrantëve mund të ketë lidhje me zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA.

“Mendoj se kjo ka të bëjë me zgjedhjet në SHBA. Unë i kam të gjithë elementët por ka indikacione se ai u formua me atë qëllim. Nuk e di në dobi të kujt, por nuk jemi naivë”, tha Obrador.

Nën presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, shumë migrantë po përballen me politikën amerikane anti-migrante në Amerikën Qendrore, ku ata fillojnë udhëtimin e tyre në një përpjekje për të ikur nga dhuna dhe varfëra në vendet e tyre.

Militarizimi në kufij, shkurtimet e ndihmave humanitare, qasja e kufizuar në dokumente dhe “marrëveshjet e sigurisë së vendeve të treta”, të nënshkruara nga administrata e presidentit Trump me vendet e Amerikës Qendrore, e bëjnë pothuajse të pamundur që një karvan i madh migrantësh të arrijë në portin e sigurt, në SHBA.

Në kuadër të kufizimeve të COVID-19, në muajin mars Washingtoni ngriu pranimin e refugjatëve, gjë që e bën hyrjen e paligjshme në vend aq të vështirë sa kurrë më parë.



. .

Ngjarja paraprake

Shefi i NATO-s dhe kryediplomati turk zhvillojnë konferencë të përbashkët për media

Ngjarja e ardhëshme

Nesër pa ujë disa fshatra të Sarajit

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian