Qeveria e RMV-së siguroi 5 masa për mbështetje të sektorit turistiko-hotelierik

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot kumtoi pesë masat e reja për mbështetje të sektorit turistiko-hotelierik, në vlerë prej 7,5 milionë eurosh, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, në konferencën për shtyp të mbajtur përmes videokonferencës informoi për mbështetjen e drejtpërdrejtë financiare për sektorin turistiko-hotelierik në vlerë prej 7,5 milionë eurosh.

Duke theksuar se si qeveri prej sot fillojnë me realizimin e pesë masave, ministri Bekteshi tha se masat janë miratuar me konsultim të sektorit privat dhe se konsiderojnë se kjo do të jetë shumë e rëndësishme për kompanitë të cilat për shkak të pandemisë COVID-19 ishin drejtpërdrejt të goditura.

Masa e parë, sipas ministrit Bekteshi, është kthimi i taksës së paguar për qëndrim të përkohshëm për vitin 2019 për të gjitha objektet e kategorizuara hotelierike në Maqedoninë e Veriut. Për këtë masë në buxhet janë paraparë 120.000 denarë.

“Masa e dytë është për grantet për agjencitë turistike. Shuma e mjeteve që do të ndahen është në varësi prej të ardhurave të përgjithshme të realizuara në vitin 2019, numri i të punësuarve dhe lloji i licencave për punë, ndërsa do të arrijë më së shumti deri në 180 mijë denarë për licencën B dhe më së shumti deri në 430 mijë denarë për licencën A”, theksoi Bekteshi.

Duke theksuar në masë janë paraparë grante edhe për restorantet që organizojnë solemnitete, dasma dhe evente, Bekteshi tha se shuma e mjeteve do të varet me të ardhurat e përgjithshme të realizuara në vitin 2019, numrin e të punësuarve dhe llojin e vendimit për kategorizim dhe do të arrijnë prej 180 mijë deri në 600 mijë denarë.

Po ashtu, siç tha ministri Bekteshi, janë siguruar edhe grante për kënde lojërash, me mbështetjen e përgjithshme financiare prej 153 milionë denarësh.

Mes tjerash, Qeveria siguroi edhe grante për guida të licencuara turistike. Shuma e përgjithshme e planifikuar për këtë veprimtari arrin në 9.800.000 denarë.

Bekteshi, duke theksuar se guidat turistike janë mjet i rëndësishëm në ofertën turistike, tha se do t’u ndahet grant në vlerë prej tri rrogave mesatare, gjegjësisht 65 mijë denarë.

Kompanitë kërkesat do të mund t’i dorëzojnë përmes aplikacionit “Shtëpia është shtëpi” deri më 27 nëntor, ndërsa mjetet do të paguhen deri në fund të vitit.

Ministri, duke bërë thirrje deri te të gjithë punonjësit turistikë që të aplikojnë, theksoi se ministria menjëherë do t’i përpunojë aplikacionet me qëllim që mjetet të paguhen me kohë.

Ministria e Ekonomisë po ashtu siguroi edhe mbështetje financiare prej 20 milionë denarësh për artizanalet. Ministria do të mbulojë 60 për qind për furnizime të veglave dhe materialeve të riprodhuara deri në 60 mijë denarë.

Duke u përgjigjur në pytjen për shitjen e qendrës turistike “Kodra e Diellit”, ministri Bekteshi tha se deri te Qeveria e Kosovës kanë ofruar paraqitje të përbashkët për zhvillimin e Kodrës së Diellit dhe se presin përgjigje nga qeveria kosovare.



. .

Ngjarja paraprake

ShSKUK nesër hap konkurs për specialistët e rinj

Ngjarja e ardhëshme

NPHKSH në listën e 200 firmave më të sukseshme në RMV për vitin 2019

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian