Qeveria e miratoi ribalancin e buxhetit për realizimin e pakos së katërt të masave për mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë

Shkup, 5 tetor 2020 (MIA) – Qeveria, në seancën e djeshme e miratoi ribalancin e buxhetit për vitin 2020. Ky është riubalanci i dytë që po bëhet këtë vit dhe lind nga nevoja për të zbatuar pakon e katërt të masave për të mbështetur qytetarët, ekonominë dhe stabilitetin makroekonomik.

“Me këtë ribalanc mundësohet zbatimi i pakos së katërt të masave anti-krizë, e cila ka për qëllim të sigurojë qëndrueshmërinë e aktiviteteve të brendshme ekonomike dhe të vendeve të punës, të ndihmojë aktivitete të caktuara të prekura, të sigurojë stabilitetin e transferimeve sociale dhe të sigurojë politika që do të ndihmojnë në zbatimin e strategjisë së shpejtë të daljes, në mënyrë që – kur kriza të përfundojë – të mund të vazhdojmë me trendet pozitive të ekonomisë së re zhvillimore”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi në konferencën e sotme për shtyp ku prezantoi ribalancin e pranuar të buxhetit.

Ai shtoi se sipas parashikimeve të rishikuara të Ministrisë së Financave, mbi bazën e të cilave është i ligjshëm edhe ribalanci i dytë i buxhetit, kthimi në rrugën e rritjes ekonomike pritet të jetë më i ngadalshëm sesa parashikimet e mëparshme.

Ai theksoi se tre pako të masave qeveritare janë ndërmarrë deri tani për t’u menaxhuar me krizën e Kovid-19. Këto pako kishin për qëllim trajtimin e valës së parë të krizës dhe përbëheshin nga mbështetja e likuiditetit të kompanive, ruajtja e vendeve të punës dhe mbështetja e qytetarëve të prekur nga kriza.

Ai kumtoi se realizimi i buxhetit që nga shtatori, në anën e të ardhurave është 136 miliardë denarë ose 69,1 për qind krahasuar me të hyrat e planifikuara për vitin 2020 me ribalancin e buxhetit nga maji, i cili është 4,9 për qind më pak se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Realizimi nga ana e shpenzimeve arrin në 171.9 miliardë denarë, që është 70,5 për qind krahasuar me shumën e planifikuar vjetore me ribalancin e parë, ose 10,7 për qind më shumë se vitin e kaluar. Sipas kësaj, në periudhën janar-shtator të vitit 2020, deficiti i Buxhetit të Republikës së Maqedonisë të Veriut është realizuar në vlerë prej 35,8 miliardë denarë ose 5,3 për qind e PBV-së. Sipas këtyre të dhënave, realizimi i buxhetit shkoi sipas planit, por me miratimin e pakos së katërt të masave që kanë për qëllim inkurajimin e aktivitetit ekonomik dhe mbështetjen e kompanive dhe qytetarëve, u paraqit nevoja për financimin e tyre, dhe kështu ristrukturimin e pozicioneve në buxhet dhe sigurimin e financave shtesë”, theksoi Besimi.

Shpenzimet e përgjithshme, tha ai, janë planifikuar në nivelin prej 253 miliardë denarëve ose 4,2 për qind, ose 10,1 miliardë denarë më të larta në komparacion me ribalancin.

Bazuar në të hyrat dhe shpenzimet e planifikuara, ministri Besimi theksoi se deficiti është pozicionuar në vlerë prej 56,6 miliardë denarë, ose 8,4 për qind e BPV-së.

Ribalanci, sot do t’i dorëzohet për miratim Kuvendit. bs/bsh/

Ngjarja paraprake

Besimi: Rebalanci i dytë i buxhetit siguroi fonde për Pakon e katërt të masave

Ngjarja e ardhëshme

Meta i përgjigjet Ramës: Më ke në shesh, do të kesh fatin e shokut tënd që ngeli edhe pa parti

të fundit nga