Publikohet raporti “Pandemi në Gjyqësi”

Organizata për Demokraci, Antkorrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! ka publikuar raportin e monitorimit të gjykatave themelore në Republikën e Kosovës “Pandemi në Gjyqësi”. Raporti përfshin të dhënat dyvjeçare të monitorimit (tetor 2018 – gusht 2020) me fokus në gjetjet e veçanta të vitit të fundit (shtator 2019 – gusht 2020).

Gjatë periudhës dyvjeçare, ÇOHU ka monitoruar rreth 1,000 seanca gjyqësore në gjykatat themelore në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Ferizaj, Prizren, Gjilan dhe Gjakovë ku janë identifikuar një varg gjetjesh – nga ato më teknike e deri të shkeljet e afateve procedurale dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Ndër gjetjet kryesore të identifikuara janë:

– Mungesa e efikasitetit të gjykatave dhe prokurorive në trajtim të rasteve të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, në veçanti korrupsionit të nivelit të lartë;

– Efektet e pandemisë COVID -19 në drejtësi, mosmbajtja dhe shtyrja e seancave gjyqësore;

– Numri i madh i lëndëve të vjetërsuara/parashkruara – 25,909 lëndë penale të parashkruara nga viti 2000 deri në vitin 2019 në gjykatat e Kosovës;

– Numri i madh i lëndëve që rrezikojnë parashkrimin – 492 lëndë të tilla;

– Shkelja e afateve procedurale ligjore deri në 1,520 ditë vonesë (mbi katër vjet) për mbajtjen e një shqyrtimi;

– Fillimi me vonesë i seancave gjyqësore;

– Mospërgatitja dhe ndërrimi i prokurorëve gjatë përfaqësimit të aktakuzave;

– Mungesa e efikasitetit të mekanizmave të vlerësimit të performancës për gjykatës dhe prokurorë në kuadër të KGjK dhe KPK.

Për shkak të pandemisë COVID-19, në gjykatat dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës është vështirësuar puna në trajtimin e lëndëve. Për një kohë të gjatë fokusi ka qenë vetëm në trajtimin e lëndëve me karakter emergjent. Përkundër përpjekjeve për menaxhimin e krizës, ajo kishte rezultuar me rënien e theksuar të efikasitetit në trajtimin e lëndëve në gjykata dhe prokurori.

Në raport gjithashtu janë përfshirë dhe janë analizuar indekset ndërkombëtare të perceptimit të korrupsionit dhe sundimit të ligjit (Transparency International dhe World Justice Project). Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, të publikuar nga Transparency International, Republika e Kosovës ka shënuar regres në luftimin e korrupsionit, me ç‘rast nga pozita 93 në vitin 2018 ka zbritur në vendin 101 në vitin 2019.

Po ashtu, në raport është për rastet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar në periudhën 2015-2020, në bazë të të cilave identifikohet se përkundër prioritetit që do të duhej të kishin lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ato vazhdojnë të barten nga viti në vit duke pasqyruar joefikasitetin e gjykatave dhe prokurorive në trajtim të rasteve të tilla.

Në fund raporti përmban rekomandimet për institucionet dhe akterët përkatës. 

Ngjarja paraprake

Mbyllet shkolla në Krujë/ 4 mësues të infektuar me COVID

Ngjarja e ardhëshme

Etiopia do të vendosë mbi mënyrën e akuzimit të shefit të OBSH-së

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian