Publikohet raporti i KE-së për Maqedoninë e Veriut

 Raporti vjetor i Komisionit Evropian i balancuar për Maqedoninë e Veriut. Brukseli vlerëson se vendi ka vazhduar përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por se mbetet ende punë për t’u bërë.

“Maqedonia e Veriut ka mbajtur nivelin e njëjtë të progresit në sundimin e ligjit, gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. Maqedonia duhet ta ruajë këtë moment. Jam i inkurajuar nga angazhimi i qeverisë së re për ta avancuar agjendën e reformave për BE, në sferat fundamentale. Siç e dini, negociatat në Këshill po vazhdojnë dhe shpresoj që konferencat e para ndërqeveritare me dy vendet të mbahen gjatë kësaj presidence- deklaroi Oliver Varhelyi, Komisioner i BE-së për Zgjerim.

Sa i përket gjyqësorit, KE vlerëson njëfarë niveli të përgatitjes, respektivisht përmirësim në punën e Këshillit Gjyqësor dhe pavarësinë e gjyqësorit, por kërkon angazhim shtesë në zbatimin e planit aksionar të strategjisë gjyqësore. KE gjithashtu kërkon që me Ligjin për Prokurorinë Publike të zgjidhen lëndët e dala nga përgjimet e paligjshme. Komisioni vlerëson progres në hetimin dhe gjykimin e lëndëve të korrupsionit të profilit të lartë, duke përshëndetur formimin e Komisionit për parandalim të korrupsionit e duke pritur rezultate të mëtejme. Më tej, KE përshëndet formimin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, por kërkon t’i sigurohet qasje tek të gjitha mjetet e nevojshme për kryerjen e detyrave që ka, duke theksuar po ashtu nevojën për forcim të mbikëqyrjes mbi shërbimet e inteligjencës.

Sipas raportit, vendi është pjesërisht i përgatitur në sferën e administratës publike. Progres të pjesshëm ka pasur edhe në lirinë e mediave, por rritje të tensioneve gjatë pandemisë dhe fushatës parazgjedhore. Andaj kërkohet transparencë më e madhe në reklamimin shtetëror, publik dhe partiak dhe zgjidhje për pavarësinë dhe qëndrueshmërinë financiare të Radio Televizionit të Maqedonisë.

Në raport, mungesa e ligjit për anti-diskriminim cilësohet si dobësi e madhe, që duhet korrigjuar. Dobësi vlerësohet edhe niveli i zbatimit të dispozitave ligjore për gjuhën e urrejtjes, kritikohet mungesa e mbikqyrjes mbi punën e policisë dhe theksohet nevoja për masa urgjente në përmirësimin e situatës në burgje si dhe gjetjen e zgjidhjeve alternative për paraburgim dhe burg”

KE vlerëson pozitivisht arritjen e marrëveshjes politike për zgjedhjet parlamentare në kushte pandemie, gjithsesi përsërit vërejtjet e OSBE ODIHR-it se stabiliteti juridik është minuar me ndryshime thelbësore ligjore dhe me dekrete qeveritare. Thekson se rritja e theksuar e procedurave të shpejta është shqetësuese dhe se duhet kufizuar. Komisioni Evropian thekson se vendi duhet të vazhdojë t’i ushqejë marrëdhëniet e mira fqinjësore me Greqinë dhe Bullgarinë dhe t’i zbatojë marrëveshjet dypalëshe.

Komisioni Evropian po ashtu prezantoi plan ekonomik prej 9 miliard eurosh si IPA 3 për periudhën 2021-2027 dhe investime që do të kapin vlerën prej 30 miliard eurosh për të zvogëluar dallimin ekonomik mes rajonit dhe BE-së.

Ngjarja paraprake

Shqipëria mobilizohet

Ngjarja e ardhëshme

Varhei shpreson që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet deri në fund të vitit

të fundit nga