Përleshjet mes policisë dhe anëtarëve të komunitetit kurd në Paris kanë hyrë në ditën e dytë radhazi pasi një person i armatosur vrau tre kurdë të premten në kryeqytetin francez.
Protestuesit përmbysën vetura, i vunë flakën të paktën një veture dhe dogjën goma të automjeteve pranë sheshit “Place de la Republique”. Më herët kurdët mbajtën një protestë paqësore.
Përleshjet shpërthyen pasi disa prej protestuesve filluan të gjuanin me fishekzjarrë policinë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës.
Përleshjet zgjatën rreth dy orë, pas së cilës protestuesit u shpërndanë, raporton thetelegraph.
Kujtojmë se një person i armatosur vrau tre persona në Qendrën Kulturore Kurde dhe në një kafene në lagjen e 10-të të Parisit.
Policia ka arrestuar një 69-vjeçar, i cili u lirua së fundmi nga paraburgimi, ndërsa priste gjykimin për një sulm në një kamp emigrantësh në Paris, një vit më parë.
Vrasjet ndodhën në një kohë kur komuniteti kurd po përgatitej të shënojë 10 vjetorin e vrasjes së tre grave kurde në Paris.
Ndryshe, prokuroria e Parisit njoftoi të shtunën se i dyshuari francez 69-vjeçar mund të marrë një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.