Propozimi i KLGJ për një anëtar në Gjykatën e Lartë, zhbllokon emërimet për Kushtetuesen

Në Shqipëri, Këshilli i Lartë Gjyqësor, njoftoi të mërkurën se ka vendosur të propozojë gjyqtaren Arbena Ahmeti, për emërimin e saj si anëtare e Gjykatës së Lartë. Ky vendim pritet të zhbllokojë situatën e plotësimit të tre vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese, që duhet të zgjidhen pikërisht nga Gjykata e Lartë. Gati dy javë më parë, ky institucion dështoi të shqyrtonte 4 kandidatura që kishin kaluar të gjithë filtrat paraprak, për vendin vakant të ish gjyqtarit Fatmir Hoxha, për mungesë të kuorumit.

Gjykata e lartë ka aktualisht 9 nga 19 anëtarë që parashikon ligji. Në rastin e zgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që thirret nga Kryetari i saj konsiderohet e vlefshme nëse marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Tanimë ky kuorum do të mund të arrihet, nëse propozimi i KLGJ-së do të miratohet nga presidenti Ilir Meta. Zonja Ahmeti do të bëhej kështu anëtarja e 10-të e Gjykatës së lartë.

Gjyqtarja Ahmeti është propozuar në posicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative. Ajo ishte kandidaturë e vetme për këtë funksion. Zonja Ahmeti ushtron aktualisht detyrën në Gjykatën Administrative të Tiranës. Në nëntor të vitit të kaluar ajo kaloi me sukses procesin e rivlerësimit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Vendimi i këtij institucioni nuk u ankimua nga Komisioneri publik, dhe në këtë mënyrë rikonfirmimi në detyrë, ka marrë formë të prerë.

Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë rishpalli thirrjen për vendin vakant të kryetares aktuale të Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, mandati së cilës ka mbaruar prej disa vitesh, por që ligji e lejon të qëndrojë në detyrë deri në zevëndësimin e saj. Nga 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, 3 zgjidhen nga parlamenti, 3 nga presidenti, dhe 3 nga Gjykata e lartë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

SHBA u bën thirrje amerikanëve të largohen menjëherë nga Ukraina

Story i radhës

Bitcoin, Ethereum and Major Altcoins Trim Gains, THETA and SLP Rally

Të fundit nga