Prizreni mbështet 12 biznese të vogla për shitjen online të produkteve të tyre

Autoritetet komunale të Prizrenit, të hënën, kanë bërë të ditur se 12 biznese të vogla do të jenë përfitues për shitjen online të produkteve apo shërbimeve të tyre, përmes aplikacionit të zhvilluar në bashkëpunim me organizatën zvicerane Swisscontact. Ata kanë shprehur qëndrimin se gjatë pandemisë COVID-19, bizneset e vogla kanë qenë më të prekurit, prandaj dhe pushteti lokal pos subvencionimit të tyre ka paraparë edhe lehtësimin e qasjes së tyre në botën digjitale.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka para përfaqësuesve të bizneseve përfituese ka shpjeguar se si pandemia ka detyruar edhe vet Komunën që të transformojë mënyrën e ofrimit të shërbimeve administrative për qytetarët. Sipas tij, një mundësi e tillë po synohet që t’i ofrohet edhe bizneseve lokale.

“Ne po i kushtojmë rëndësi që edhe bizneset e Prizrenit ti kthehen teknologjisë informative ngase përkundër zbulimit të vaksinës, po shihet se procesi i vaksinimit do të merr kohë, dhe pandemia po zgjatë më shumë se sa që kemi pritur. Por në të ardhmen mund të ndodh edhe ndonjë rast tjetër dhe ne duhet me qenë të përgatitur, edhe me kthy ekonominë tonë më shumë në aspektin e përdorimit të teknologjisë informative”, ka thënë Haskuka.

Sipas tij, ky projekt do të mundësojë që bizneset përfituese t’i rrisin shitjet, të shtojnë numrin e klientëve, t’i zvogëlojnë shpenzimet, të kenë lehtësime në punën administrative, të kenë shërbime më të mira ndaj klientëve si dhe promovim të produkteve e shërbimeve, por edhe të zgjerojnë shtrirjen në treg. Ai ka shtuar se aplikacioni në fjalë pritet që të funksionalizohet së shpejti.

Ndërsa drejtoresha e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Liman-Kazaz ka theksuar se Komuna e Prizrenit është e para në nivel Kosove që ofron një mundësi të tillë për biznese dhe ka uruar përfituesit që të adaptohen lehtë dhe të kenë dobi nga ky aplikacion.

Zana Tabaku nga “Appdec” ka bërë të ditur se ideja e platformës “Shitja online” është me i ndihmu bizneset me u bart edhe në sferën online.

“Të gjitha bizneset çfarëdo produktesh apo shërbimesh që ofrojnë kanë mundësinë që ti paraqesin në Shitjen Online. Ideja e platformës është që secili biznes me pas faqen e vet unike dhe me pas mundësinë që klienti me ble prej faqes së juaj”, ka thënë Tabaku, duke shtuar se një gjë e tillë do të bëhet gati për që bizneset përfituese nga Prizreni, të cilat edhe do të trajnohen në mënyrë të veçantë për funksionim edhe në sferën online.

Ajo ka pohuar se në këtë platformë mundësia e shitjes është e njëjtë si në dyqane.

“Përparësia e Shitjes Online është që mundemi me përdor në dyqan me shit, por edhe me shit online. Qasja në treg është më e madhe, pasi ka mundësi me ju pa gjithkush, jo vetëm banorët e Prizrenit”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër Ilijaz Ilijazi që operon me biznesin që merret me qepjen e shitjen e veshjeve solemne ka shprehur bindjen se shitja online do të jetë një shtytje e re për bizneset.

“Digjitalizimi dhe shitja online është me rëndësi në këtë kohë, sidomos gjatë pandemisë. Prandaj është e mirëseardhur për bizneset që të paktën të jemi në hap me kohën, pra ti kemi dyqanet digjitale”, ka deklaruar ai.

Ngjarja paraprake

Anglia rrezikon të humbasë eliminatoret për Botërorin 2022

Ngjarja e ardhëshme

Turqia u mundëson ushtarëve libianë stërvitje për mbrojtje ajrore

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian