Prioritetet po ndryshojnë për njerëzit që kërkojnë punë në epokën e pandemisë

Tashmë që programi i asistencës federale për papunësinë ka përfunduar, amerikanët e papunë inkurajohen të aplikojnë për mbi 10 milionë vende pune që janë të disponueshme në mbarë Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, shpjegon arsyet përse jo të gjithë duket se po nxitojnë drejt tregut të punës.

Një panair punësimi në qytetin Leesburg, Virxhinia, ofron mundësitë e shumë dëshiruara për Lisette Bez. Ajo humbi vendin e saj të punës si menaxhere në komunitet për shkak të pandemisë dhe është ndër pothuajse 9 milionë amerikanët për të cilët mbaroi asistenca për papunësinë më 4 shtator.

“Shumë njerëz janë përpjekur të gjejnë punë prej kohësh, sepse edhe me asistencën për papunësinë ofrohet një lehtësim, por në të vërtetë nuk siguron mjaftueshëm për të planifikuar për gjëra të tjera, si p.sh. blerjen e një shtëpie, ose siguracionin apo kujdesin për familjen tuaj”, thotë zonja Bez.

Ironikisht, punëdhënësit po përpiqen të plotësojnë rreth 10 milionë vende të lira pune në të gjithë vendin, por kanë probleme me rekrutimin.

Rrjeti i dytë më i madh i transportit publik në Shtetet e Bashkuara po reklamon 400 vende pune, por edhe me paga konkurruese kjo ka rezultuar e vështirë në kohërat e COVID-it, thotë zyrtari i agjensisë së transportit në zonën e Uashingtonit, Alberto Marino.

“Ndoshta njerëzit janë ende disi të frikësuar të aplikojnë për një punë ose të jenë në kontakt me publikun. Por në këtë lloj aktiviteti ne u shpjegojmë njerëzve qartë se si është kjo punë. Të gjithë protokollin e sigurisë që duhet të zbatojmë”, thotë ai.

Që nga marsi i vitit 2020, rreth 700 miliardë dollarë janë dhënë si ndihmë financiare për punonjësit e mbetur papunë. Qeveria federale do të ketë një defiçit prej 3 trilionë dollarësh këtë vit fiskal, dhe do të ishte e vështirë të justifikohej një rritje e mëtejshme me një rikthim të asistencës së skaduar, sipas Komitetit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm, një organ që mbikqyr qeverinë.

“Ishte mirë për ekonominë sepse mund të dilnin dhe të shpenzonin para në ekonomi. Tani që fondet kanë skaduar është e rëndësishme që njerëzit të rikthehen në punë”, thotë Mike Farquharson, nga Komiteti për një Buxhet të Përgjegjshëm Federal.

Por parashikimet janë të përziera nëse përfundimi i papritur i përfitimeve federale të papunësisë dhe i një shtese javore prej 300 dollarësh nga fondet që jepnin shtetet amerikane do të rezultojë në një rritje të punësimit, veçanërisht për industritë që paguajnë paga minimale.

“Unë kam vërtet shpresë për ecjen përpara të ekonomisë amerikane. Nëse ia bën më të lehtë njerëzve që të vazhdojnë të mbeten pa punë, zvogëlon produktivitetin kombëtar me kalimin e kohës, veçanërisht sepse sa më gjatë që dikush të mbetet pa punë, aq më i ulët është shansi që të rikthehet në punë”, thotë Michael Farren, studiues në Qendrën Mercatus në Universitetin George Mason.

“Punët nuk janë të disponueshme në zona të rëndësishme dhe sektorë të rëndësishëm të ekonomisë si rezultat i pandemisë. Mendoj se është thelbësore që tani shtetet të bëjnë atë që administrata Biden thotë se mund të bëjnë dhe të përdorin fondet ekzistuese nga Plani i Shpëtimit Amerikan dhe të vazhdojnë ta japin asistencën”, thotë Damon Silvers, nga sindikata AFL-CIO (Federata Amerikane e Punës – Kongresi i Organizatave Industriale).

Alex Jordan Ku ka bërë disa punë të përkohshme gjatë pandemisë. Mbështetja tek asistenca e papunësisë, edhe nëse shteti i zgjat ato, do të ishte një tabu familjare, kështu që ekziston nevoja për të gjetur një pozicion me kohë të plotë që ofron më shumë siguri.

“Jam e shqetësuar për variantet që po e tejkalojnë vaksinën. Thjesht duke parë se gjithnjë e më shumë njerëz e përballojnë me vështirësi, më bën të shqetësohem për sigurinë dhe gjithçka tjetër”, thotë Alex Jordan Ku, e cila vazhdon të kërkojë punë./VOA

WWW.GAZETA.MK

Ngjarja paraprake

Денес се регистрирани 365 нови случаи на Ковид 19 – починаа 23 лица

Ngjarja e ardhëshme

Protestë për urën që po rrënohet/ Të rinjtë mblidhen në shi tek “ura e zogut” në Milot

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian