Presidenti turk mirëpriti kryeministrin libanez

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, mirëpriti sot kryeministrin libanez Saad Hariri në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Drejtorisë së Komunikimit të Turqisë, Erdoğan dhe Hariri, i cili ka fituar mandatin që të formojë qeverinë e re në Liban, zhvilluan një takim në Pallatin “Vahdettin” në Stamboll.

Gjatë takimit, çështjet në lidhje me politikën, ekonominë, tregtinë dhe kulturën u diskutuan me qëllim për të avancuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Libanit, si dhe bashkëpunimin në çështjet rajonale.

Presidenti turk shprehu vullnetin e vendit për të forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe.

Duke nënvizuar se stabiliteti politik i Libanit është jo vetëm “i rëndësisë së veçantë” për popullin e Libanit, por edhe për paqen dhe sigurinë e rajonit, Erdoğan tha se mbështetja e Turqisë ndaj “unitetit dhe paqes” së Libanit do të vazhdojë.

Gjatë takimit, Hariri falënderoi presidentin Erdoğan për mbështetjen e Turqisë dhe investimet e bëra në Liban.

Presidenti i Libanit në tetor 2020 i dha mandatin Haririt, udhëheqësit të Lëvizjes së Ardhmërisë, për të formuar qeverinë e re të vendit, më pak se një vit pasi qeveria e fundit e udhëhequr nga Hariri dha dorëheqje.

Hariri shërbeu si Kryeministër dy herë, në vitet 2009-2011 dhe 2016-2019, përpara se të zëvendësohej nga qeveria aktuale.

Ai vjen nga një dinasti politike, pasi është djali i kryeministrit të ndjerë Rafik Hariri, i cili u vra në vitin 2005.



.. .

Ngjarja paraprake

Dhjetë fshatra të Rahovecit përfshihen nga vërshimet

Ngjarja e ardhëshme

Probleme në Juventus, De Ligt pozitiv me COVID-19

të fundit nga

AlbanianEnglishMacedonian