Presidenti Begaj takim me Imzot Arjan Dodajn dhe kryepeshkopin Janullatos: Kjo ditë të sjellë dritë, shpresë dhe mirësi për të gjithë

Presidenti Bajram Begaj është takuar ditën e sotme me Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, të Kishës Katolike të Shqipërisë në Katedralen Katolike në kryeqytet.

Ai ka përcjellë urimet për festën e Krishtlindjes.

“Uroj nga zemra që kjo ditë të sjellë dritë, shpresë dhe mirësi për të gjithë, në këto kohë jo të lehta. Kjo ditë e veçantë, dita simbol e lindjes së Krishtit, zgjon shpresën dhe gëzimin në zemrat tona, na rikthen te vlerat njerëzore e fetare, te familja dhe te besimi,” theksoi Presidenti.

Begaj riktheu në vëmendje takimin me Papa Françeskun disa ditë më parë në Vatikan.

Papa Françesku është një mik i madh i shqiptarëve ndaj i përcolla ftesën për të vizituar sërish Tiranën. Mesazhet e tij për një botë në paqe ku të gjithë duhet të jemi më solidar, padyshim kanë rezonancë kudo në botë, ashtu sikundër edhe në Shqipëri.

Thirrja  e djeshme, ku Ati i Shenjtë kërkoi nga njerëzit që të bëjnë diçka të mirë për të risjellë shpresën, mendoj se vjen e fortë për të gjithë besimtarët e krishterë dhe jo vetëm,” tha Presidenti.

Begaj ka zhvilluar një takim edhe me Kryepeshkopin Anastas Janullatos në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë, me rastin e festës së Krishtlindjes.

“Kjo ditë na rikthen te njëri-tjetri dhe te dëshira për të qenë të bashkuar, për të sjellë dhe kultivuar paqe, bashkëpunim e solidaritet, për t’u kujdesur për tjetrin me dëshirë e dashuri. Kjo festë, na rikujton se thjeshtësia dhe përulësia janë vlera njerëzore dhe virtyte të çmuara që i shërbejnë paqes dhe harmonisë në familje e komunitet dhe nxisin prosperitetin mes popujve. Dashuria për njëri-tjetrin duhet të mbizotërojë, sepse vetëm ajo e bën botën një vend më të mirë për të gjithë”, tha Presidenti gjatë takimit me Janullatos.

 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Shembet një pjesë e tribunës, 27 të lënduar

Story i radhës

Shkupi, i katërti në botë për ajër të ndotur

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish