Presidenti armen i bën thirrje qeverisë të japë dorëheqje

Presidenti i Armenisë, Armen Sarkissian, tha sot se qeveria duhet të japë dorëheqje dhe zgjedhjet e reja të mbahen më së voni brenda një viti, ndërsa duhet të formohet një qeveri e përkohshme e marrëveshjes kombëtare, mundësisht një qeveri teknokratike, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sarkissian gjithashtu kritikoi qeverinë armene gjatë takimit të tij me përfaqësuesit e komunitetit armen në Rusi.

Ai e përshkroi si një “tragjedi e madhe” faktin që kryeministri armen Nikol Pashinyan nënshkroi marrëveshjen e armëpushimit me Azerbajxhanin për Malësinë e Karabakut dhe tërheqjen e armenëve nga Karabaku.

“Ekziston një zgjidhje në çdo vend ku ka ndodhur një tragjedi kaq e madhe. Qeveria që çoi në këtë duhet të shkojë”, tha ai.

Ai vuri në dukje se situata në Armeni ndryshon shumë në krahasim me dy vjet më parë kur u mbajtën zgjedhjet dhe propozoi krijimin e një qeverie të përkohshme të unitetit kombëtar dhe zgjedhje të parakohshme.

Duke sugjeruar krijimin e një qeverie teknokrate mbi të cilën do të bien dakord të gjitha partitë, Sarkissian tha se kjo qeveri mund të punojë për gjashtë muaj ose një periudhë një vjeçare dhe të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Referendum për ndryshimin kushtetues

Sarkissian gjithashtu tha se një referendum kushtetues duhej të organizohej përpara zgjedhjeve të reja për të ndryshuar kushtetutën.

Duke theksuar se presidenti ose kryeministri të vetëm nuk duhet të marrin vendime të rëndësishme për vendin në Armeni, Sarkissian tha: “Kushtetuta nuk është aspak e ekuilibruar në vendin tonë. Duhet të ketë një ekuilibër midis Parlamentit, Qeverisë dhe Presidencës”.

Ai gjithashtu theksoi që Presidenti i vendit duhet të zgjidhet me votën e popullit, jo nga parlamenti siç është tani.

Në vitin 2018, Pashinyan u bë i njohur si udhëheqësi i demonstratave të përhapura në të gjithë vendin kundër klasës politike, duke kërkuar një Armeni më demokratike dhe fundin e korrupsionit.

Ai u zgjodh kryeministër nga parlamenti pasi blloku që ai drejtoi mori 70,4 për qind të votave në zgjedhjet e mbajtura në dhjetor të vitit 2018.



. .

Ngjarja paraprake

Mijëra njerëz evakuohen pas shpërthimit të vullkanit në Indonezi

Ngjarja e ardhëshme

Joe Biden është duke marrë trajtim mjekësor, ndrydhi këmbën derisa ishte duke luajtur me qenin e tij

të fundit nga

Tërmet në Tokio

Një tërmet me fuqi gjashtë ballë të shkallës Rihter goditi sonte bregdetin

AlbanianEnglishMacedonian